Zgjedhjet për përfaqësim në Këshillin Studentor

Në Universitetin publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mërkurën ka nisur procesi i zgjedhjeve studentore

Në Universitetin publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mërkurën ka nisur procesi i zgjedhjeve studentore, ku do të zgjidhen studentët për përfaqësim në Këshillin Studentor dhe atë për Parlamentin Studentor.

Kryetari i Unionit të Pavarur të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti ka deklaruar se, çdo gjë është duke shkuar mirë sa i përket procesit të zgjedhjeve, ndërsa si problem i vetëm - sipas tij, - është mungesa e emrave të studentëve nëpër lista.

Ndërkohë, përfaqësues të organizatës studentore “Studim-Kritikë-Veprim” kanë raportuar për disa parregullsi, të cilat - sipas tyre, - kanë ndikuar në procesin e votimit. Atdhe Arifi nga kjo organizatë tha se parregullsi janë paraqitur në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin e Mjekësisë.

“Prej mëngjesit kemi hasur në disa parregullsi. E para, në orën 08:00 është përcaktuar të fillonte votimi dhe kanë tentuar të fusin njerëz pa i pasur vëzhguesit. Shumë organizata kanë tentuar ta nisin votimin pa praninë e të gjitha organizatave studentore. E dyta, po tentojnë të votojnë vetëm me letërnjoftim. Rregullorja na ka ardhur prej Rektoratit, që pa kartë studenti nuk guxon të votojë askush. Në katin e dytë janë raportuar disa raste, sikurse edhe në fakultetet e tjera. Ne do të këmbëngulim që të zbatohet rregullorja e universitetit dhe, në këtë rast, të vazhdojë procesi me rregullsi”, tha Atdhe Arifi, organizata studentore SKV.

Problem tjetër, siç tha Arifi, është se në Bibliotekën e Fakultetit Filozofik po mbahen disa karta identiteti të studentëve, që kanë marrë libra për lexim në të dhe - sipas tij, - ekziston mundësia që ato karta të keqpërdoren për votim.

Ai është shprehur se, nëse këto parregullsi vazhdojnë dhe nuk eliminohen, atëherë SKV do të marrë masa, që - sipas tij, - mund të jetë bllokimi i procesit të votimit.

Ndërsa votuesja Rina Kadri, studente në Fakultetin Filozofik, pret që fituesit e këtyre zgjedhjeve të punojnë për eliminimin e problemeve të ndryshme, me të cilat përballen studentët.

“Ajo çfarë pres unë janë disa ndryshime dhe të mos lejohen parregullsitë që janë bërë deri më tani. Sidomos ato nga ana teknike, me të cilat na bie të ndeshemi çdo ditë. Projektorët, mungesa e profesorëve, edhe pse personalisht nuk më ka qëlluar ndonjëherë por kam dëgjuar për degët e tjera, pastaj edhe parregullsitë, mosparaqitja e provimeve e të tjera”, tha Rina Kadri, studente në Fakultetin Filozofik.

Zgjedhjet studentore po zhvillohen edhe në universitetet publike të Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Ferizajt dhe në atë të Mitrovicës.

1,507 Lexime
8 vjet më parë