Fëmija “ideal”

"Ky është biri / bija ime, me të cilin krenohem!"

Fëmijët mësojmë shumë nga veprimet tona. Është e rëndësishme të kuptojmë se ata janë të bukur dhe të mirë, “ideal”, ashtu siç janë. Ata janë shëmbëlltyrë e “bukurisë” suaj.

Dita e parë që vjen në jetën tuaj një fëmijë është një nga momentet më mallëngjyese, të cilin fjalët janë të pakta për ta përshkruar. Sa muaj keni pritur me ankth gëzimi, zbulimin e misterit sesi do t'i ketë sytë, fytyrën, duart e vogla që mezi prisni t'i prekni, këmbët e njomëza që shkujdesur prekin ajrin dhe trupin nënës, ondet e një arome foshnjore, të një jete të re, të një frymëmarrje të pastër, si ëngjëll i vetëm në tokë mes njerëzve. Kjo është një "magji", privilegji njerëzor i paçmuar që na është dhënë ndonjëherë. Janë këto momente të jetës që i kthejnë të gjitha gjërat e tjera në një meskinitet klishe, në fragmente të përsëritura. Ndërsa këto momente, nuk përsëriten asnjëherë. Ndaj dhe unë në këtë shkrim, dëshiroj që ju t'i ktheni në kujtimet tuaja herë pas here dhe të thoni me zë të lartë: Ky është biri/bija ime, me të cilin krenohem!


Fëmijët vijnë me një fuqi unike mendore dhe shpirtërore. Askush prej tyre nuk është i njëjtë dhe sa mirë që është kështu. Dikush lojëcak, dikush fjalëpak, dikush i ndjeshëm, dikush luftarak dhe i zjarrtë, dikush i rrëmbyer, dikush i matur, dikush i vëmendëm në çdo detaj, dikush ëndërrimtar, dikush i qeshur dhe krahëhapur, dikush i ngrysur dhe shpatullulur etj. Të gjithë këta fëmijë, ende pa mësuar shumë nga bota, vijnë me një potencial të lindur që është temperamenti i tyre. Kjo botë është bërë me rregulla dhe me skema të cilat na imponojnë shumë prej sjelljeve tona të jenë ashtu siç DUHET të jenë, por ato në fillim kanë formën e enës gjenetike, ato janë ashtu siç janë dhe për këtë do të shkruaj disi më tepër. Ja si fillojë kjo lojë mendimesh:


Në festën e fëmijëve, një mikeshë e imja më uroi: "Gëzuar 1 Qershorin! Shpresoj që fëmija brenda teje të jetë ende i gjallë, plot jetë!" Fillimisht u stepa, porse nuk kisha një përgjigje dhe si për kortezi dhurova një buzëqeshje sociale dhe kështu përfundoi çasti mes nesh atë ditë. Çasti i stepjes sime u thellua në mendime teska i jepja makinës për të bërë një copë rrugë deri në shtëpi duke kujtuar fëmijërinë. Nuk mbaja mend shumë skenarë të asokohe, por u kujtova për ndjesi të veçuara, që më kishin lënë mbresë dhe ato më çuan në një udhëtim të këndshëm; u kujtova se sa e kënaqur isha kur e zgjatja lojën pa kufij orësh, ditë e natë, e doja të ishte pa pushim, por të rriturit më thonin se duhet të flesh nga pak dhe oraret ishin orare. U kujtova sesa mirë ndiehesha, kur luaja e shkujdesur, e shpenguar dhe me shumë energji, të cilat ndonjëherë shndërroheshin në aksidente të vogla, por të rriturit vinin dorën përpara gjoksit duke pickuar bluzën, si për të thënë "pu, pu, pu çështë ky fëmijë, shumë i lëvizur... mistrec!" dhe jo rastësisht këto ishin fjalët që i vinin në vesh prindërve të mi edhe nga mësuesja e fillores. Këto fjalë i vinin edhe nga komshinjtë e lagjes ndërsa më shikonin sipër pemëve nga uria e qejfit për të vjelë nja dy kumblla të tharta në ndonjë bahçe zemërgjerë, edhe pse asnjëherë nuk ishin të tilla, por ne mendonim se nuk na gjente asnjë gjë e keqe. Gjëja që më pëlqente më shumë ishte vrapi i fëmijës që më çonte me sprint nga një vend në tjetrin, a thua sikur nuk më dilte koha, por thjesht ajri që përplasej në fytyrën time, pa përgjegjësi kotësish që të rrokullisin mendjen dhe me sytë gjysëm mbyllur, kokën pjesërisht nga qielli, për ta shijuar deri në fund ndiesinë e fluturimit, por me këmbë në tokë. Ishte ky vrapi dhe nxitimi që na shkaktonte plagët e gjunjëve, të cilat i hanin disa të shara, rrobat e baltosura, të cilat i vërenim në fytyrat e nënave tona; një fëmijë i pisët nuk ishte modeli i duhur dhe nënat tona turpëroheshin. Kur mbajtja e lapsit ishte qejfi i zhgarravinave plotngjyrëshe dhe, me krijimin e disa bulzave “picasso”, shdërroheshe në një bukurshkrim në vitet e para shkollore, që dreqin, nuk arrita asnjëherë të jem e zonja. 


Me kalimin e viteve, të gjithë këto rregulla, më shndërruan në një person situatat e të cilit ishin nën kontroll. Nuk ishte më e nevojshme që dikush të më diktonte sesi të sillesha, se bota ishte bërë e parashikueshme dhe unë një fëmijë "i mbarë." Si rrjedhojë, edhe prindërit e mi ishin më krenarë dhe unë ndiehesha krenare për veten time. Por ende më bezdisnin fjalët e urimit të mikeshës sime. E lashë mënjanë krejt natyrshëm egoizmin e kujtimeve fëminore dhe fillova të shqetësohesha për statusin tim si prind. Fillova të pyes veten se çfarë do të doja të ndryshoja tek fëmija im, por mbi të gjitha, çfarë do të doja më MOS ndryshoja kurrë tek ai? Fundja, e kush jam unë që vendos të ndryshoj ose jo diçka tek fëmija im. Por, përsëri, ai ndryshon dhe duket sikur është veç “për të mirën e tij” ajo që unë bëj. Mendova se janë pikërisht ato, sjelljet e mia, që më tradhëtojnë hera-herës. 


Po të më pyesnit mua sesi do të doje të ishte djali yt dhe nëse të njëjtën pyetje do t'jua drejtoja ju prindër të mirë, thjesht ashtu, pa zërin tuaj, unë mendoj se kam disa përgjigje. Si mendoni sikur sa herë që ju i thërrisni, ai kthen përgjigje menjëherë, kur ju i thërrisni në emër ai thotë “urdhëro”, kur i kërkoni të vendosë gjërat në vendin e tyre, ai përgjigjet menjëherë dhe i vendos sipas vendit, kur i kërkoni të lajë duart para buke dhe mbas buke ai e bën pa hezitim, e mbyll televizorin në kohën e ngrënies dhe të gjumit, kthehet në shtëpi në orarin e përshtatshëm, nuk thotë asnjëherë “s'dua”, nuk ka nevojë t'ia thuajsh dy herë të bëjë detyrat pasi ulet dhe i bën vetë, i kreh gjithnjë flokët e tij kujdesshëm, thotë “mirupafshim” sa herë që largohen njerëzit miq të familjes apo të afërm, thotë “faleminderit” sa herë që i japin një dhuratë apo diçka që e kërkon, “të lutem” është një nga frazat më të preferuara, bisedon me prindërit dhe merr vendimet e duhura krejt i vetëm, nuk bën pyetje turpëruese përpara të tjerëve, është i sinqertë, tregon çdo gjë, nuk gënjen asnjëherë, kërkon leje për të bërë ndonjë veprim, nuk është i dhunshëm dhe toleron që gjërat e tij t’i marrin edhe të tjerët. Ha gjithnjë ushqimin që i vendos përpara, edhe pse ato janë perime dhe disa prej tyre nuk i ka shumë qejf. Vishet dhe zhvishet vet, mbi të gjitha, nuk ka qënë e nevojshme ta pyesësh se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, sepse ai vet ka dëshirë të bëhet mjek, tamam si mami ose jurist si babi. Shkon në shkollë për të takuar mësuesen dhe ato thonë vetëm fjalë të mira dhe flasin vet notat, për më tepër. I shoqërueshëm dhe bujar me bashkëmoshatarët. Nuk grindet përpara dëshirave të tij, por dëgjon këshillën e prindërve dhe kështu nuk shtrihet në dysheme për të kërkuar me patjetër atë që do. Ja, ky është një fëmijë ideal që duam të gjithë dhe, siç do të thoshte gjyshja ime e ndjerë, me atë gjuhën e kohës së saj, “tamam si në katallog.” Po në fakt, ky është fëmija që duam të shndërrojmë ne, por realiteti është i ndryshëm dhe këtë realitet nuk mund ta gjeni në katallog, as në reklama dhe as tek fëmija ngjitur, te ai që ne i themi fëmijëve tanë: “ e shikon sa mirë sillet Beni”. Ja si ndodh më së shumti në jetën e përditshme: fëmija ynë nuk e kthen ngahera kokën, se me siguri ka një lojë të preferuar nëpër duar ose po shikon programin e tij dhe, sigurisht, që nuk është koha që ju t’i thërrasim pa pushim në emër. Ndërkohë veprimet tona nuk kanë qenë aspak më të ndryshme, pasi kur ata na kanë thirrur në emër, ne ka shumë gjasa që të kemi qënë të zënë me punët tona dhe t’i kemi thënë: “hë çfarë do, dhjetë herë mami mami, si e ke hallin!” Sigurisht, që fëmijët tanë nuk duan ta mërzisin mamin, thjesht janë momente që ata duan vëmendje. Veprimet tona tregojnë të kundërtën e asaj që ne presim që fëmija të bëjë dhe kur e thërrasim i themi: “thuaj, urdhëro!”. Ne duam që ata t’i vendosin gjërat e tyre në vend, por rregullsia e tyre merr domethënie në rrëmujën e tyre. A nuk jemi ne ata që i themi: “gjërat e mia mos i prek, more vesh!?”, sado të rrëmujshme qofshin ato? A nuk jemi ne që i kërkojmë të jetë i pastër dhe të ruhet që të mos vritet, ndërkohë që ai vet shikon sesi babi i tij bëhet pis kur rregullon diçka në shtëpi apo nëna ti tij “luan” duke bërë punët e shtëpisë? A nuk jemi ne që i kërkojmë fëmijës të ushqehet pa parë TV ndërkohë që fëmija ju ka parë ndërsa shikoni lajmet dhe jeni duke ngrënë para Tv-së? A nuk i themi fëmijës që të jetë i përpiktë në orar dhe ndërkohë i keni premtuar se do të vini ta merrni në shkollë dhe vini 30 min me vonesë? A nuk jemi ne që i kërkojmë fëmijës të jetë i sjellshëm me njerëzit, t’i përshëndesë dhe t’i thotë faleminderit, ndërkohë që nuk i flasim me gojë fqinjit tonë? Por kur nuk i drejtohemi me kortezi mirësjellje familjarëve, se mendojmë që një urdhër i thjeshtë merret si i mirëqënë që është detyrë mirësjelljeje? A nuk jemi ne që i kërkojmë fëmijës që të thotë gjithnjë të vërtetën dhe jemi po ne ata që i bëjmë premtime fëmijës, të cilat nuk arrijmë t’i mbajmë dot dhe, më e keqja, të cilat i dimë që nuk do t’i realizojmë, por thjesht për “t’i hequr mendjen”? A nuk është e gjitha kjo hipokrite dhe një përpjekje e gënjeshtër për të ndryshuar fëmijët tanë me fjalë, që në dukje, ata të jenë fëmijët idealë? 


Fëmijët mësojmë shumë nga veprimet tona. Është e rëndësishme të kuptojmë se ata janë të bukur dhe të mirë, “ideal”, ashtu siç janë. Ata janë shëmbëlltyrë e “bukurisë” suaj. Po të shikojmë me rigorozitet modelet që i ofrojmë, kjo do t’u dhuronte atyre sigurinë e të qënurit mbi të gjitha njerëz të mbarë në këtë tokë. Tashmë ëngjëllin brënda tyre, fëmijën e çiltër dhe “pa të metë” ata e kanë që kur kanë parë dritën e diellit. Kjo vlen të ruhet deri në fund. Vlen që fëmija të shikojë dhe mësojë sesi ndiqet udha e jetës së tyre jo duke ia diktuar, por duke vepruar. Duke i treguar modelin më të mirë të mundshëm, atë të qënurit të vërtetë me veten tuaj. Kjo do të thotë të mos humbisni fëmijën brënda jush, prindër të mirë. Këtë mësova nga reflektimi im! Vetëm kështu, ne si prindër, do të mësojmë të jemi krenarë për fëmijët tanë dhe t’i respektojmë ata, ashtu siç janë, “ideal”. 


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

5,110 Lexime
7 vjet më parë