të pranosh humbjen

Sfidat në adoleshencë - Të humbasësh, dhemb!

Mosha e adoleshencës fillon dhe përmbyllet me humbje të njëpasnjëshme, të cilat të çojnë në fitore kur përballohen me sukses. Fjala sukses nuk më pëlqen shumë, por i shkon për shtat kur kemi të bëjmë me disa stade humbjeje.

“…Kur me qëllon të përballem me humbjen, e kam të vështirë të mos mendoj gjatë për të dhe të mos lëndohem sa herë që e kujtoj. Kur kjo ndodhi kohët e fundit, më bëri të reflektoj dhe të pyes veten: pse e kam kaq të vështirë të pranojë humbjen? Pse “dhëmb” kaq shumë të humbasësh? Më vjen natyrshëm të mendoj se humbja është e barazvlefshme me dështimin. Por a është kështu në të vërtetë? Nëse jo, pse atëherë më shkon mendja menjëherë tek dështimi? Cilët janë faktorët, mekanizmat që më çojnë të mendoj kështu? Pse kam mësuar të reagoj kaq ashpër me veten time?”


Sa të bukura dhe me vlerë janë fjalët dhe pyetjet që ngre një fëmijë adoleshent. Sa herë që përballem me ta më duket vetja e mbivlerësuar që zgjedhja e tyre jam unë. Thellimi i tyre me këto pyetje e shton etjen time për të reflektuar akoma më shumë dhe për të dhënë më të mirën mbi këtë temë kaq të rëndësishme. 


Mosha e adoleshencës fillon dhe përmbyllet me humbje të njëpasnjëshme, të cilat të çojnë në fitore kur përballohen me sukses. Fjala sukses nuk më pëlqen shumë, por i shkon për shtat kur kemi të bëjmë me disa stade humbjeje që përjeton fëmija në këtë moshë, 9-23 vjeç. Këtu po dua të trajtojë si adoleshencën e hershme dhe atë të vonë, pasi humbjet ndjekin këtë distancë moshe. 


Adoleshentët janë të bashkëlidhur me prindërit e tyre dhe vijnë nga ky proces, ku kanë lënë fëmijërinë dhe tashmë i “thërret” zvillimi biologjik, konjitiv dhe social që të jenë më të rritur. Këtu do të duhet të përjetojnë shkëputjen e parë dhe të vendosin në vendin e duhur atmosferën se ai apo ajo nuk është më fëmijë. Kjo në vetvete është një humbje të cilën e përjetojnë si adoleshentët por edhe prindërit të cilët e kanë të vështirë të mendojnë kthjellët se ai kolopuçi i vogël, faqerozë dhe trup-njomëcak, tashmë është një djalë i rritur dhe kërkon të vendosë “Kush jam unë” në vendin e tij në botën ku jeton. Ky proces quhet  identifikim. Kërkon kurajë dhe energji psikike për ta përballuar këtë ndryshim ndaj dhe mosha e adoleshencës është vulnerabël. Prof. Dr. Carl E. Pickhardt, flet për humjet e adoleshentëve në artikullin e tij “Neçessary Losses of Adolescence”, 2013, me qëllimin për të nxjerrë nevojën që ka fëmija të përballet me humbjet që janë të natyrshme në moshën e adoleshencës. Ai flet për rëndësinë e përballjes dhe rritjes në këtë proces duke listuar këtu humbjen e fëmijërisë, humbjen e “fëmijës së mirë” ku përmendet humbja e atij fëmijës që kërkon hapsirat e veta të kundërshtitë se këtu del në pah dhe “Çuni i keq” që deri në ato momente ishte në kontrollin e prindit. Humbja e mbrojtjes prej prindërve, ku ata nuk kanë më të njëjtin kontroll për të mbrojtur idetë apo “luftën” e fëmijës me botën, por kur ky i fundit i fiton betejat i vetëm. Humbja e ëndrrave në adoleshencë, ato ëndrra të cilat besoheshin gati si të vërteta, fillojnë të bëhet më realiste dhe të zhvillohet sensi i përballjes me realitetin dhe të zhvillohet një ëndërr më objektive, dhe e fundit humbja e rëndësisë së prindërve, duke mos e ngatërruar me respektin ndaj tyre. Thjesht, shkëputja nga fëmija adoleshent dhe njohja e të rriturit. 


Të gjitha këto humbje, janë të rëndësishme të kalohen dhe të zhvillohen si një urë kaluese drejt zhvillimit të njohjes me veten dhe botën që fëmijën e rrethon. Por, për t’u përballur shëndetshëm me to, një faktor kyç në vetvete është: “të pranosh humbjen!”


Që në fëmijëri, të gjithë ne krijojmë raportin tonë me humbjen, dhe jo të gjithë përfitojmë mësimet e para të humbjes me argumentët apo konseguencat e nevojshme. Disa prej nesh mësojnë të humbasin keqazi ose të ngjashëm me këta janë disa të tjerë që mësojnë to mos humbasin fare, ose më mirë e thënë, të mos e pranojnë asnjëherë humbjen, disa të mësojnë se i duhet të humbasin ndonjëherë dhe se humbja është pjesë e fitoreve personale. Inatçorët e humbjeve ose ata që mendojnë se humbja nuk i përket, janë ata që kanë mësuar prej prindërve se në asnjë rast nuk DUHET të humbasin. Pra, e përkthyer në shembuj të thjeshtë, nuk mund të rrëzohesh, nuk mund të të bie akullorja nga dora, nuk mund të thyesh vazon, nuk mund të dalësh i fundit në garë, vetëm i pari, etj. Këta fëmijë mësojnë se nëse nuk arrijnë të jenë perfekt, atëherë nuk mund të marrin aprovimin e prindërve, fatkeqsisht as dashurinë e tyre. Pritshmëritë e këtyre prindërve janë ose gjithçka ose asgjë. Kështu fëmija mëson të mendojë bardh e zi, dhe sigurisht të sigurojë një vlerësim të ulët për veten. Këta fëmijë kthehen gjithashu në të rritur të frustruar, inatçor, agresiv, të dhunshëm dhe që nuk arrijnë të përfundojnë suksesshëm një detyrë apo një projekt sado i thjesht të jetë, pasi ndërtojnë pritshmëri përtej mundësive të tyre, aspak realiste. Janë këta të rritur që krijojnë vështirësi edhe në marrëdhënie me të tjerë, duke mos pranuar fitorët apo arritjet e të tjerëve. E kanë të vështirë të pranojnë ndryshimin në marrëdhënie, ose të humbasin kontrollin ndaj situatave dhe tjetrit. 


A nuk ishte një histori mjaft dramatike e kohëve të fundit vrasja e një vajze të re 20-vjeçare, pikërisht se partneri apo ish partneri i saj, nuk mund të pranonte “jo-në” si përgjigje? A nuk solli kjo tragjedinë e humbjes së jetës së një njeriu tjetër, kështu si pa të keq? Hipotetikisht unë do të mendoja se kjo vajzë ose të do ishte pjesë e jetës së djalit në fjalë, ose nuk meritonte të jetonte asnjë çast, apo të ishte me një person tjetër. Më mirë të vdisnin të dy, sesa të dy të jetonin me këtë dështim, që duket se ka qenë vetëm nga ana e djalit. Këto keq-besime sjellin keq-formime të sjelljeve të individit. Pikëritsht, në një periudhë kaq delikate siç është adoleshenca, si një farë e mbjellë për të sjellë përgjigjen e artë të asaj se KUSH në të vërtetë është ai apo ajo, vjen me larminë e eksperiencës së jetës deri në atë stad. Çdo hap që ne kemi hedhur me fëmijën, reflektohet në mënyrën se si fëmija operon në proceset e tij të menduarit në këtë moshë. Momenti më i rëndësishëm është që fëmija të fitojë vetveten, por kjo nuk mund të ndodhë drejt nëse nuk ka mësuar se si të fitojë ndaj humbjeve. Kategoria e dytë e fëmijëve që kanë mësuar në moshën e tyre të hershme se si të mbajnë përgjegjësi për humbjet e tyre, se si të përballen me to dhe se si t’i shndërrojnë në sukses, mësojnë të mos dorëzohen ose të pranojnë humbjen dhe të kërkojnë fitore të tjera, duke mos qenë rixhid, jo fleksibël në të mënduarit e jetës apo në marrëdhënie me të tjerët. Mësojnë të jenë në harmoni me çdo gjë të natyrshme në këtë botë, që një vazo edhe thyhet, që një notë e keqe ndodh të merret, por e njeh si mungesë e përpjekjeve të shumta, që fëmijët edhe rrëzohen por ngrihen sërisht vet, që një fëmijë nuk është perfekt dhe për këtë ai është i preferuar dhe unik. Nëse konseguencat kanë tendencë drejt zgjidhjeve pozitive dhe objektive, atëherë fëmija siguron besim në vete, se ai sërisht mund t’ia dalë dhe se nuk cënohet dashuria që prindërit kanë për të. Nuk janë humbjet apo fitoret që sigurojnë dashuri për fëmijën, përkundrazi, dashuria e prindërve siguron humbje realiste dhe pozitive ndërkohë që rritet në fitore triunfuese.


A do të sigurojë një adoleshent fitore triumfuese? Kjo varet shumë nga mënyra se si ai apo ajo e percepton humbjen: a është një dështim, apo një mundësi për të mësuar se SI do ta bësh hapin tjetër? Humbjet dhëmbin, por kur mëson rreth saj atëherë ke fituar një betejë triumfuese me jetën. Atëherë përgjigjia se “Kush jam unë!” do të marrë një kuptim dhe një pamje më të qartë. Si fillim, unë them se një adoleshent/e është më shumë se një humbje që dhëmb, pasi ke misionin “të jesh!”, dhe kjo do të thotë, të jetosh të nesërsmen ku mund të sjellësh jo vetëm fitore, por edhe të triumfosh duke “shëruar” hallkat e zinxhirit social nga ajo çfarë ke mësuar prej vetes.  


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

5,060 Lexime
6 vjet më parë