Shkolla këtë vit

Shkollë në kohën e Kurorës

Shkolla sot filloi, me emocionet e një viti tjetër dhe një KURORE në pushtet, por që askush nuk i përulet përballë dëshirës për të jetuar në shoqërinë e tjetrit dhe shpresën e së nesërmes.

  Sot fillojë shkolla për shumë fëmijë që mezi prisnin por edhe për prindërit e tyre. Shumë prej nesh, gjatë këtyre muajve të vështirë, përjetuan ditë në ankth nga e panjohura e një virusi dhe ndryshimet që ai solli në jetën tonë shëndetësore, fizike, psikologjike, sociale por edhe ekonomike. E gjithë kjo ngarkesë mendore, shpesh herë edhe fizike, u bashkëjetua edhe me fëmijët tanë. Ata janë aty çdo ditë me ne, duke kuptuar realitetin e ri që na është përshfaqur, ku lëvizjet janë të kufizuara. Pra, fëmijët janë aty me ne, duke përjetuar dhe tashmë duke njohur shumë mirë koronën, ose më mirë në këtë artikull do e quaj KURORA.


  Çdo kush mendon të fillojë ditën e tij/saj me një buzëqeshje dhe dëshirë për të jetuar të sotmen. Si për të shprehur dëshirën për t’iu rikthyer natyralitetit. Ne shpesh e përkthejmë si mungesë përgjegjësie, por unë mendoj se ka një dëshirë të fortë për të rebeluar ndaj stresit të lartë që ka shkaktuar KURORA. Ne duam të kthehemi në normalitet, pa frikën për të takuar personat që i kemi xhan, pa frikën e shprehjes së zakoneve tona kulturore për tjetrin, pra frikën për t’u gushuar mes njëri-tjetrit, pa frikën për t’i dhënë dorën miqve tanë, pa frikën për t’iu afruar shoku-shokut dhe të ndjejmë aromën e tyre në harmoni me marrëdhënien që krijojmë. 


  Kështu duam ta nisim edhe këtë vit shkollor, pa frikën se KURORA do të na zërë. Edhe po na zuri, si mbret apo mbretëreshë, do e përballojë me dinjitet. Sot nuk po përjetojmë vetëm emocionin e përvitshëm të fillim të shkollës, sidomos të atyre vocërrakëve të klasës së parë. Madje, nuk e di nëse jemi duke e përjetuar plotësisht atë lloj gëzimi. Duket njësoj sikur duam të mbushemi me frymë dhe të ndërpritet në mes. Si më buzëqeshje e lënë përgjysmë, si krahët e një shqiponje që nuk hapen plotësisht për të fluturuar e lirë dhe në lartësi. Sot shkolla do të nisë, por emocioni për të nuk është i njëjtë. Të gjithë do të kemi dyshime dhe frikë. Sot bota nuk është më e njëjtë. Por, ka diçka që më pëlqen në të gjithë këtë ndryshim. Dëshira për tjetrin është bërë më e madhe dhe e nevojshme. Në duam të jemi mes njerëzve dhe të shkëmbejmë gjithfarë dinamikash me ata. Ky fillim shkolle ka këtë sakrificë, duke marrë në konsideratë faktin se mësimi online mund të ishte një justifikim i mirë, duke parë gjendjen që është krijuar. Por jo, shkolla do të nisë normalisht. 


Shumë prindër dhe gazetarë më pyesin se çfarë mendoj për fillim e shkollës këtë vit? Si duhej të zhvillohej? A duhet që fëmijët të ndahen ne grupe? A duhet, a duhet…


  Mendimi im që herët ishte që shkollat të mos hapeshin këtë vit. Madje unë mendoj se asnjë prej fëmijëve tanë nuk do të rrezikojë analfabetizmin nëse ne do të zhvillonin një program mësimor cilësisht të ndërthurur me informacionet përsëritëse, mirëmbajtëse në formën e projekteve motivuese dhe aktiviteteve argëtuese për fëmijët. Unë do të isha për një strategji stres-mbështetës për fëmijët dhe prindërit. Për një format rehabilitimi gradual, deri në vajtjen në ambientet e shkollës. Duket e pazakontë? Duket si çmenduri? Ndoshta keni të drejtë. Por, a nuk janë kohët që po jetojmë të pazakonta dhe të “çmendura” në një farë mënyre? A nuk na mësojë kjo periudhë e gjatë KURORE që mos varemi shumë nga planet afatgjata, por të kuptojmë jetën sot? Dhe mbi të gjitha, a nuk na mësojë kjo situatë të jemi fleksibël dhe të ndryshueshëm? 


  Unë mendoj se KURORA na mësojë më shumë se kaq. Ajo na tregoi se jeta ka shumë vlerë, dhe ajo do të duhet të bëhet me TJETRIN në krah që të ketë cilësinë që meriton. Ajo na mësojë durimin, prakticitetin dhe kreativitetin. Me shumë vështirësi na mësojë mbijetesën. Ndaj, kishte vend për të shmangur rutinën e një shkolle që i përket normalitetit të së djeshmes. Mund të ishte vepruar edhe ndryshe. Megjithatë, duhet ta pranoj se një shumicë e madhe prindërish dhe fëmijësh e duan me çdo kush rikthimin në shkollë. E mbani mend? Rebelizmi dhe dëshira për t’iu rikthyer sa do pak atij normaliteti të së djeshmes. 


  Si përfundim, shkolla sot filloi; me emocionet e një viti tjetër dhe një KURORE në pushtet, por që askush nuk i përulet përballë dëshirës për të jetuar në shoqërinë e tjetrit dhe shpresën e së nesërmes. 

 


Nga Drnt. Denata Toçe

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


3,105 Lexime
3 vjet më parë