Marrëdhënia me fëmijët

Të zakonshmet tek fëmijët…

Por unë i ftoj prindërit që të bëjnë një ushtrim shumë të thjeshtë; përpara se të reagojnë, pas çdo vështirësie që hasin me fëmijën të mos vendosin në plan të parë instinktin e zemërimit, reflekset kulturore, sikur fëmija...

Po të ndalet secili prind dhe të mendojë fëmijën e tij, me siguri që do të gjejë tek ai elementët që e shqetësojnë. Prindërit kanë tendencën që të nisen të vlerësojnë fëmijën e tyre, nga ankthet që kanë. Mendojnë se fëmijët janë krijesa kaq komplekse, sa ndjehen të befasuar çdo herë që nuk arrijnë ta menaxhojnë situatën, nuk arrijnë të përshtaten me ta, nuk arrijnë të jenë prindërit që do të donin të ishin. Kjo ndodh sepse ata ende nuk e kanë mësuar se fëmijët kanë gjëra të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha, kanë gjëra të zakonshme. 


Vëreni ose kujtoni me vëmendje një fëmijë në muajt e parë të jetës. Me siguri që do të shikoni ose mbani mend se pjesën më të madhe të kohës fle, por kur nuk fle, të paktën 2-3 orë në ditë qan. Ndonjë fëmijë, në mënyrë të pazakontë, qan edhe më tepër se 3 orë dhe kjo do të duhet të shikohet më nga afër me specialistin përkatës, por edhe nëse kjo përjashtohet, pra fëmija nuk ka ndonjë problem specifik, atëherë do të kthehemi në terrenin “i zakonshëm.” 


Sjelljet apo veprimet që fëmijët shfaqin janë nga më të ndryshmet. Ata bien pre e shumë prej dilemave të prindërve dhe të të rriturve që kujdesen për ata, duke i konsideruar të vështira ose të pamundura për t’u marrë. Një pjesë e mirë e shoqërisë sonë, i trajton këto probleme kryesisht nëpërmjet asaj që shoqëria, kultura i ka ofruar: një fëmijë qan, pushoje duke e tundur, duke e mbajtur në krah, në mos mund edhe t’i gjuash, t’i bërtasësh që të marrë vesh qerratai. Nëse një fëmijë nuk han ushqim, atëherë mirë është që të gatuash diçka tjetër, çfarë atij i pëlqen më shumë, në mos, do t’ia japësh me zor, duke e ngulur në karrige, tundur e shkundur deri sa të marrë vesh se ç’duhet të bëjë. Nëse një fëmijë kërkon me ngulm që të ketë një lodër në dyqanin e lodrave, apo në  market kur shkoni së bashku, mirë është që ta blini se ndryshe do të ketë shpërthime zemërimi, në të kundërt, ka tërheqje zvarrë dhe ngritje zëri ose pickime. Kështu duket sikur të zakonshmet e fëmijëve na formëzojnë ne të rriturve sjellje jo të zakonta por që kthehen shumë shpejt në zakone kulturore. Dhe e dini pse ndodhin këto sjellje? Përgjigja është e qartë: është shumë e thjeshtë!


Të merresh me fëmijët, është një detyrë e vështirë, kërkon kohë, kërkon përkushtim, kërkon energji dhe mençuri. Këto janë fraza që i kam dëgjuar vazhdimisht nga prindërit. Por unë do i ftoj prindërit që të bëjnë një ushtrim shumë të thjeshtë; përpara se të reagojnë, pas çdo vështirësie që hasin me fëmijën, si ato që u përmendën më sipër dhe të tjera të ngjashme, të mos vendosin në plan të parë instinktin e zemërimit, reflekset kulturore, sikur fëmija ta ketë personalisht me të rriturin. Përkundrazi, nuk ka dashuri më të sinqertë dhe më të dëlirë se dashuria që fëmija ka për prindin. Duke njohur këtë, në ato çaste, thuaj “STOP!”, ose “NDAL!”, dhe vërtet ndalu, madje fizikisht ngulu aty ku je, mos lëviz, kërko në kokën tënde reagimin që do të bësh, një alternativë nga instikti që të erdhi, që është në sinkron me interesin më të lartë të fëmijës. E di, ju jeni të zemëruar në ato momente. Fëmija sapo është shtrirë përtokë dhe kërkon me ngulm që t’i blesh aeroplanin me bateri që fluturon. E do TANI dhe KETU! Shpërthen në zemërim, ulëret dhe përplas këmbët. Në ato momente ju doni ta tërhiqni zvarrë, ndoshta t’i ulërini, ta pickoni, ose në rastin më të mirë, t’ia blini aeroplanin. Ka shumë mundësi që kjo e fundit të ndodh, për të “blerë” kështu lumturinë e momentin të fëmijës, por jo lumturinë e tij afatgjatë. Në këtë rast fëmija ka marrë një mësim: “sa herë që përplas këmbët dhe shpërthej në zemërim, dëshira ime realizohet.” Kjo është arsyeja pse kemi një përsëritje të episodit të fëmijëve. 


Le t’i kthehemi këtij momenti, le të përfytyrojmë edhe një herë situatën. Le të mendojmë se ju ndaluat si prind në ato momente dhe i kërkuat mendjes qetësinë që ju duhet për të reaguar, po tani? Tani, do t’i afroheni fëmijës aq pranë sa të mos e shkelni hapësirën e tyre dhe të mos provokoni më shumë zemërim dhe të shmangni ndodhë agresion fizik. I thoni me një zë të qetë se lodrën që kërkon më vjen keq por nuk mund ta marrim pasi tashmë ai ka një aeroplan në shtëpi, afërsisht si ai. Nëse buxheti është arsyeja, atëherë do t’i thoni se gjendja juaj e parave është me e vogël se ajo e avionit. Eja të gjejmë bashkë një lodër me këtë shumë parash. I thoni se nëse sërish ai do të vazhdojë të kundërshtojë, atëherë do të humbasë mundësinë që të vini javës tjetër në të njëjtin vend pse jo për të blerë një lodër. Ose, do të humbasë mundësinë (diçka që e ka me qejf ta bëjë çdo ditë) të shikojë TV këtë mbasdite, darkë, etj. Sigurisht që fjala duhet mbajtur që të funksionojë. TV-ja nuk do të hapet, javës tjetër ju nuk duhet të veni tek i njëjti vend, etj. 


Ndërsa ia thoni fëmijës këto fjalë, nuk ia përsërisni më dhe vazhdoni qëndrimin tuaj mbi çështjen në fjalë. Mos i mbani inat fëmijës, mbani një fytyrë neutrale. Edhe pse fëmija mund t’ju thotë që nuk ju ka xhan, ju sigurojeni që e doni shumë, që fëmija të kuptojë se sjellja e tij, nuk cenon dashurinë, por ka pasoja të tjera. Mund ta merrni fëmijën nga dora, pa e parë në sy dhe të vazhdoni rrugën. Mund edhe të prisni për një kohë të gjatë, duke u ulur aty pranë deri sa fëmija të ngrihet vet, gjithmonë duke mos e parë në sy. Mbi të gjitha, mos i ktheni të njëjtën përgjigje vazhdimisht. 


Por çfarë ndodh pas kësaj? A do ta lëmë fëmijën vetëm me mësimin që i dhamë? Sigurisht që jo! Ne do të duhet t’i mësojmë fëmijës se sa të kujdesshëm jemi ndaj veprimeve korrekte që fëmija bën herë pas here. Nëse hyni në një dyqan dhe fëmija ju kërkon: “A kemi para sa për të blerë një makinë?” Ju do e shpërbleni duke e falenderuar që ai ju pyeti. Tregojini që jeni shumë krenare për të, edhe nëse ju duhet të thoni se nuk keni para mjaftueshëm, por mund t’i mblidhni gjatë javë së bashku për ta blerë herës tjetër. Mbajini premtimet dhe sigurojini vazhdimësi.


Le të vijmë edhe një herë tek momenti i vështirë. Sërish fëmija është i shtrirë përtokë dhe në zemërim e sipër. Ju tashmë i keni thënë vetëm “NDAL!”, jeni afruar me kujdes dhe i keni thënë fjalët e duhura sikundër e përmendëm më sipër. Pyetja që lind është: po tjetri? Po të gjithë të tjetër që shikojnë skenën që po ndodh? 


E kush tha që është e lehtë të merresh me sjelljet e zakonshme të fëmijëve. Po ju shikojeni kështu: a do të përfitojë prej audiencës nga kjo situatë? Sigurisht që po! Ju do të jeni në gjykimin e tyre të menjëhershëm një nënë radikale, e sertë, joempatike ndoshta! Por një gjë është e sigurt, ju do të përfitoni reflektimin e tyre dhe qetësinë tuaj. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se ata janë vet prindër dhe ndoshta do të donin të provonin rrugën e vështirë një ditë. Ju po jepni shembullin, modelin për ata. Ju patët guximin të përballeshit me nervat, ndjenjat tuaja për të përfituar më të mirën ndaj fëmijës suaj. A ka vlerë më të madhe se kjo? Ndaj, vazhdoni të reagoni qetësisht në ato momente dhe të mos humbisni fokusin. 


Sa për mua? Sfida si këto përballëm çdo ditë me fëmijën tim. Kam kuptuar se këto janë të zakonshmet e secilit fëmijë, dhe përballja në mënyrë efektive me to, do i shndërrojë ata në të jashtëzakonshëm.   


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

6,244 Lexime
6 vjet më parë