Zgjedhja

Aktivitetet sportive për fëmijët tuaj

Ski, not, gjimnastikë, kërcim, futboll, çiklizëm, patinazh, atletikë, tenis, basketboll, volejboll, karate dhe judo; njihuni me përfitimet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur për fëmijët tuaj.

NOT

"Në ujë fëmija ndihet paksa si në shtëpinë e tij duke qenë se ka jetuar me të nëntë muajt e parë të jetës”, - kështu shprehen një zëri pediatrët e mbarë botës. Ndaj, bërja e notit nga fëmijët tuaj këshillohet qyshkur ata janë të vegjël. Kurset e para të vërteta për ta mund të fillojnë në moshën 3 vjeç.

GJIMNASTIKË

Ndër sportet e tokës, sigurisht që gjimnastika cilësohet si sport i plotë, sepse favorizon zhvillimin harmonik të eshtrave, muskujve dhe nyjave dhe rrit njohurinë, ndërgjegjësimin dhe kontrollin e trupit.

KËRCIM  

Ndjenja e ritmit është gdhendur thellë në kodin tonë gjenetik, ashtu si aftësitë koordinuese dhe të kushtëzuara. Njohja dhe zhvillimi i muzikalitetit është i dobishëm për të nxjerrë diçka që është e lindur te Ne e që mund ta përdorim si bazë për mësimet e mëvonshme në këtë drejtim. 

ÇIKLIZËM

Biçikleta përforcon kryesisht gjymtyrët e poshtme, kështu që nuk është një sport i plotë, por duke i dhënë asaj fëmija juaj mëson të qëndrojë në ekuilibër, të koordinojë lëvizjet dhe dalëngadalë fillon të respektojë rregullat e rrugës! Përveç këtyre, nëse do të pedalojë në një park jashtë qytetit, ofron mundësinë të largohet nga zhurmat dhe kaosi i qytetit. 

PATINAZH

Është një lloj sporti i cili mund të mësohet shumë shpejt, rreth moshës 5 vjeç. Por ky sport duhet plotësuar me aktivitete të tjera sportive të përgjithshme siç është noti ose gjimnastika, pasi patinazhi stimulon veçanërisht gjymtyrët e poshtme. Ashtu si çiklizmi ky sport është një mundësi e mirë për të zhvilluar aftësinë e koordinimit. 

SKI 

Ndryshe nga se besohet, ky është një aktivitet që mund të mësohet që në vogëli, rreth moshës 4 vjeç, sepse mjafton të ndjekësh një teknikë qëndrimi pa përdorur forcë. Plus që fëmijët përparojnë shpejt në këtë drejtim prej faktit se kanë qendër të ulët graviteti, që u lejon atyre stabilitet më të madh.

FUTBOLL

Është një nga aktivitetet që favorizon më shumë shoqërimin me të tjerët dhe shpirtin e grupit, që u mëson fëmijëve të lënë mënjanë egoizmin e tyre në të mirë të skuadrës. As ky nuk është një sport i kompletuar. Bashkë me të praktikojini fëmijës tuaj notin ose palestrën. 

ATLETIKË 

Mund të fillohet në moshën 6-8 vjeç, por vetëm nën formën e lojës, sepse fëmija nuk mund të durojë ngarkesa dhe përpjekje të gjata. 

TENIS

Tenisi është një aktivitet që të argëton dhe rrit pasionin e të luajturit sa herë praktikohet. Ndërkohë zhvillon shumë përqendrimin dhe disiplinën. Por kujdes, me të stërviten vetëm pjesët e sipërme të trupit. 

BASKETBOLL, VOLEJBOLL

Janë aktivitete të plota sportive, që vënë në lëvizje si këmbët ashtu edhe gjymtyrët e sipërme të trupit të fëmijët tuaj; zgjasin shtyllën kurrizore dhe forcojnë muskujt. Stimulojnë shpirtin e të luajturit në grup ndërsa zhvillojnë saktësinë dhe shkathtësinë. 

KARATE, JUDO

Artet marciale mund të jenë të dobishme për fëmijët e turpshëm dhe pa vetëbesim; karate ose judo mund t’i bëjë ata të kenë besim në aftësitë e tyre në një kohë që mund të kontrollojnë edhe agresivitetin që disponojnë. Trupi i tyre do të ndihet më i zhdërvjellët nëse praktikojnë këto arte.




(Nanila Biçaku, Portali Shkollor) 

15,035 Lexime
6 vjet më parë