100 shkencëtarët që ndryshuan botën

Anaksimandri

Anaksimandri zbuloi në mënyrë të efektshme idenë e hapësirës: domethënë, një gjithësi me thellësi i njohur si babai i astronomisë moderne, Anaksimandri është pikënisja e konceptit të sotëm perëndimor të gjithësisë.

Të dhëna të hamendësuara

Për jetën e Anaksimandrit dihet shumë pak, përveç faktit që ka lindur në një qytet të Greqisë, në Milet, në bregdetin aziatik të Turqisë, ndoshta në vitin 611 p.e.s. Mungesa e të dhënave ka ardhur se ai shkruante pak vetë dhe shumë shpesh këtë detyrë ua linte nxënësve të tij. Çdo gjë që dimë për të, ka arritur te ne nga të tjerët, nga filozofët grekë, adhurues të shkencave natyrore, të cilët, sigurisht, kanë qenë të interesuar për paraardhësit e tyre të famshëm.


Përfytyroni kohën kur të gjithë pranojnë se bota i ngjan një disku të rrafshët, e cila mbahet lart nga disa shtylla; është e vendosur në mes të gjithësisë dhe ngjan me një çadër, kurse yjet qëndrojnë rreth saj në të njëjtën largësi. Dhe, befas, në kundërshtim me këtë opinion, dikush del të vërtetojë se gjithësia ka ”thellësi” dhe se bota nuk mbështetet mbi asgjë: yjet, Hëna dhe Dielli, jo vetëm që kanë një largësi të ndryshme, por edhe rrotullohen në rrathë rreth kësaj Toke tredimensionale. Një kuptim revolucionar, që do të ndryshonte tërësisht mënyrën e paraqitjes së ekzistencës së gjithësisë. Ky “kërcim” gjigant shkencor do t’i përkiste Anaksimandrit. 


Teoria e pafundësisë 

Anaksimandri zbuloi në mënyrë të efektshme idenë e hapësirës: domethënë, një gjithësi me thellësi I njohur si babai i astronomisë moderne, Anaksimandri është pikënisja e konceptit të sotëm perëndimor të gjithësisë. Ky dijetar grek, i cili lindi dhe vdiq në Milet, gjatë udhëtimeve të tij të  shumta, formuloi pikëpamjet e veta për gjithësinë. 


Anaksimandri, nxënës i Talesit nga Mileti, vlerësohet për arritjet origjinale në fushën e fizikës, filozofisë, gjeometrisë dhe astronomisë. Si për Talesin, edhe për Anaksimandrin, ka shumë pak të dhëna. Njihet vetëm një vepër e tij origjinale, edhe ajo jo e plotë. Çdo gjë për të e kemi mësuar më vonë nga grekët, sidomos nga Aristoteli dhe Teofrasti. Më tepër sesa shkencëtar, ata e mbajnë Anaksimandrin për filozof, duke u mbështetur kryesisht te teoria e guximshme e pafundësisë dhe e së pakufishmes. Kjo ide është parim i parë i të gjitha gjërave, pa origjinë e pa fund, por nga e cila erdhën “të gjitha hyjnitë dhe botët në të” (sipas përshkrimit të Teofrasiti për veprën e Anaksimandrit). Megjithatë, idetë e tij në astronomi kanë pasur një ndikim jashtëzakonisht të madh dhe kanë shërbyer si pikënisje për teoritë që kanë ndryshuar botën. 


Gjithësia topografike 

Ndoshta hapi më i rëndësishëm i Anaksimandrit është konceptimi i Tokës, që qëndron pezull, plotësisht e pambështetur në qendër të gjithësisë. Për mendimtarë të tjerë grekë, Toka ishte një pllakë e palëvizshme që mbahet nga uji, shtylla apo ndonjë strukturë tjetër e ngurtë. Megjithëse Anaksimandri, pa dyshim nuk e njihte gravitetin, pohimin e tij e mbrojti me argumentin se Toka, meqenëse gjendet në mes të gjithësisë, “në largësi të barabartë nga skajet e saj, ajo qëndron në vend, nuk anohet as lart, as poshtë, as anash; dhe, duke qenë se është e pamundur që të anohet në të njëjtën kohë në drejtime të kundërta, ajo detyrimisht mbetet ashtu siç është” (kështu e sqaron Aristoteli teorinë e Anaksimandrit). Ky, si shembull, shpjegon se pse Dielli perëndon në perëndim dhe lind në lindje. Shtojini kësaj edhe faktin se Toka ka thellësi (edhe pse Anaksimandri Tokën e mendonte edhe si rul me një sipërfaqe të sheshtë në krye, e cila është vetëm “sipërfaqja” e Tokës). Si duket, bëhet fjalë për një paraqitje të re; për një ‘padrejtësi’ nga rregulla e kohës për botën.


Hapësira ndërmjet yjeve 

Anaksimandri dha efektivisht kuptimin e hapësirës ose të gjithësisë me thellësi. Duke shmangur idenë për Tokën e rrethuar nga kupola qiellore, të ngjashme me modelin planetar, ai argumentoi se trupat qiellorë (Dielli, Hëna dhe yjet) gjendeshin në largësi të ndryshme nga Toka, me hapësirë ose ajër ndërmjet tyre. Ai u përpoq të përcaktonte largësinë e tyre nga Toka, kur rrotulloheshin rreth saj, por gabimisht mendoi se yjet ishin më afër, kurse Hëna dhe Dielli më larg. Mendohet që Anaksimandri mund të ketë vizatuar një hartë të gjithësisë. Edhe sikur të dhënat të ishin të gabuara, ajo do të ishte një arritje e madhe në konceptimin grafik të gjithësisë.


Arritje të tjera

Anaksimandri nuk ka qenë vetëm astronom. Mendohet se ai e ka transferuar orën diellore nga Babilonia në Greqi dhe se me të ka mundur të përcaktojë solsticet dhe ekuinokset. Gjithashtu, mbahet si krijuesi i hartës së parë gjeografike të botës së njohur, që vetvetiu ka qenë një hap domethënës. Njëkohësisht, në biologji, mund të konsiderohet si paraardhësi “i pavetëdijshëm” i teorisë së evolucionit të Darvinit, sepse ka besuar që krijesat njerëzore janë zhvilluar nga gjallesat, të cilat kanë populluar më parë Tokën. Anaksimandri ka besuar se kanë qenë peshq parahistorikë, të cilët formën e vet e kanë marrë falë bashkëveprimit të valëve të ujit me ngrohjen diellore.


(Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai)

4,160 Lexime
6 vjet më parë