“Balada e Detit” poezi nga mësuesja Iriana Papamihali

“Balada e Detit”, poezi e mësueses Iriana Papamihali, është një udhëtim emocional mes qetësisë dhe fuqisë së detit. Me imazhe të gjalla dhe gjuhë poetike, autorja shpalos lidhjen shpirtërore me natyrën, duke treguar se pasioni dhe arti i mësuesve kanë vend të veçantë edhe në Portalin Shkollor.

“Balada e Detit”, poezi e mësueses Iriana Papamihali, vjen si një rrëfim ndjesor dhe i thellë mbi marrëdhënien shpirtërore mes njeriut dhe detit. Përmes imazheve të fuqishme, metaforave të dritës, dallgëve dhe blusë së pafund, autorja shpalos emocionin, frikën, magjinë dhe qetësinë që deti ngjall. 

Në Portalin Shkollor, ne i japim hapësirë edhe krijimeve dhe pasioneve të mësuesve, duke i ndarë me kënaqësi me lexuesit tanë, si dëshmi se arti dhe ndjeshmëria ecin krah për krah me misionin edukues. 



Nga Iriana Papamihali - “Balada e Detit” (foto nga autorja)©


Para teje rri dhe frymën mbaj,

ti me aromën tënde,

në dejet e mia hyn si fllad,

stërkalat e dallgëve etjen ma shuajnë.


Shtrihesh pafund para meje,

deri sa bëhesh një me qiellin,

valët e tua, dritën e diellit,

në miliona bulëza diamanti reflektojnë,

valët me duart e bardha më ftojnë,

me valët e bregut luftojnë,

ato valë që vijnë nga larg,

unë mes tyre jam.


E zënë si në pusi më duket vetja,

nga forca e valëve,

që tashmë janë lartësuar në dallgë,

sa keq që ajo bukuri e paqtë iku si me magji,

papritur dallgët në qiell janë,

apo mos vallë u kthye gjithçka përmbys?

Sa herë jam përpara teje o det,

emocionet në deje përhapen vetë,

pa marrë leje nga unë,

me shpejtësinë e dallgëve të tua më përpijnë.


Dhe unë rri në breg dhe sodis,

herë dallgët e herë retë,

por gjeta kuptimin e vërtetë,

për ty o det,

bluja jote me valën e bardhë bashkuar,

me të kaltrën e qiellit dashuruar,

në det retë janë pasqyruar.


Eh, sa herë të shoh,

nuk ngopen me bukurinë tënde,

dhe bulëzat e diamanteve,

dua ti mbledh një e nga një,

dhe për ty të krijoj një kurorë,

të florinjtë nga dielli dhe të argjendtë nga hëna.


Prandaj artistët të thurrën vargje në telajo,

Penelin thellë në blunë tënde e zhytën,

dhe për ty, o det, botën çuditën.


Bukuria jote më tërheq

të zhytem brenda teje,

dhe flokët era m’i shpupuris,

me vete flas dhe mërmëris.


Papritur fryma më merret,

jo nuk dua te jem brenda teje,

dua në breg të rri të vrapoj,

dhe forcë të marr nga bukuria jote,

e ngjyrës blu-kaltëroshe.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

112 Lexime
3 orë më parë