Rrëfim

“Copëza zemre”

“Ai po rritet pranë gjyshërve të tij të mrekullueshëm, pranë nesh, me dashurinë dhe përkujdesjen e të gjithëve ne, shumë larg nënës vet, me shpresën se ne mësuesit kemi fuqinë edhe për t’ia sjellë sa më shpejt dashurinë që i mungon këtij engjëlli të vogël”- rrëfim nga mësuesja Dhurata Agalliu.

Një mëngjes, ditë pushimesh të gushtit, një nxënës me prindër të divorcuar, aty për aty, në bisedë e sipër u shpreh se mamin e shihte vetëm nga facebook-u i babit dhe se e donte shumë…por që ishte larguar herët me dikë tjetër kohë më parë…(!?).


Sytë e tij më rrëzuan shpirtin përtokë dhe s’munda ta kapërceja dot situatën.


Shpërtheva në lot…u ndjeva në siklet si kurrë ndonjëherë, orvatesha t’i fshihesha shikimit të shoqes me të cilën kisha shërbimin e radhës.


-Dhuratë…pse po ndjehesh kaq keq!? - reagoi shoqja ime, gati edhe ajo, thuajse po mbytej nga dhembja…


E pamundur të flisja, as vetë s’po kuptoja gjithë atë lëmsh të hidhur në fyt, vetëm se doja si me magji, t’i ktheja buzëqeshjen atij djali të përmalluar e me shpirt të përvëluar të ishte pranë nënës së tij.


-Nuk e di…- shpërtheva e ngashëryer dhe u largova me turp drejt parmakëve të shkollës për të ndryshuar situatën, -më dhemb kaq fort, ka kaq shumë të tillë në shkollën tonë, në lagje, në komunitet, me një prind, pa asnjë, vetëm me gjyshër…


Djali u afrua me druajtje drejt nesh, a thua kërkonte me ngulm nënën, por…si t’ia zgjidhnim ne këtë!?

Aty për aty i ofrova me turp diçka modeste për të blerë, si për t’ia zbutur deri diku trishtimin, por sytë e tij mbetën këtu, në zemrën time për të më vrarë ditë pas dite…


Është aty çdo ditë, të qenurit pranë shkollës janë pushimet e tij të përvitshme, ku mësuesit mbeten miqtë më të dashur të të gjitha ditëve të tij, tani për tani…


Ai po rritet pranë gjyshërve të tij të mrekullueshëm, pranë nesh, me dashurinë dhe përkujdesjen e të gjithëve ne, shumë larg nënës vet, duke na shtuar thinjat në çdo vështrim pafajësie, me shpresën se ne mësuesit kemi fuqinë edhe për t’ia sjellë sa më shpejt dashurinë që i mungon këtij engjëlli të vogël, të cilët janë shumë pranë nesh dhe që, ditë pas dite vrasin shpirtin dhe zemrën e mësuesit, që tashmë jemi jo vetëm mësuesi, por psikologu, kujdestari, mjeku, polici…Prindi! 



Shkroi Dhurata Agalliu 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

380 Lexime
5 muaj më parë