Ditari i një mësueseje

“Ditar i shkurtër i jetës sime...”- rrëfen mësuesja pensioniste, Vjollca Hoxha

“E nisa këtë mision kur unë isha pa i mbushur të 20-at dhe më dridhej zëri nga emocionet dhe përgjegjësitë që mora!”, kështu e nis këtë rrëfim mësuesja tashmë në pension, Vjollca Hoxha, e cila ka preferuar të ndajë me ne disa rreshta kujtimesh e këshillash përgjatë jetës së saj profesionale.

Të dashur familjarë, fëmijë, nëna ime e shtrenjtë, vëllezër dhe motra, nipër dhe mbesa, Ju të ndjerë, vatra ku unë linda dhe u rrita, u edukova dhe sot jam një pensioniste.


Të dashur ish-nxënësit e mi që nga 12. 08. 1978 deri më 20. 11. 2017; Ju vogëlushët që u ulët për herë të parë dhe të fundit në klasat ku unë iu mësova dhe iu dhashë dije, e lumtur që iu kisha pranë e iu desha si fëmijët e mi, që iu mësova me durim e këmbëngulje dhe dashuri, duke u rritur në profesion nga viti në vit, si nënë, edukatore e mësimdhënëse, ju uroj dhe iu përshëndes thellë nga zemra ime me mendje e shpirt të pastër e dashuri të madhe. 


Dua t’iu uroj tani si pensioniste suksese në shkollë dhe në jetë.

Mendoj se të mësuarit është art më vete dhe jam munduar t’ua mësoj këtë gjithë fëmijëve në bankat e shkollës.


E dashura ish-shkolla ime “17 Nëntori” Tiranë!

Ju ish-pedagogë e ish-pedagoge të nderuar të kësaj shkolle! Ju që na edukuat dhe na mësuat me përkushtim  dhe këmbëngulje! Të ndjerët baballarë e xhaxhallarë, Ju që u kujdeset shumë për formimin tim si mësuese, prehuni të qetë se unë mendoj se e mbylla punën si mësimdhënëse me faqe të bardhë.

Të nderuar ish-kolegë e ish-kolege në punë e pensionistë! Ne të gjithë që frymëzuam shpresën e ndezëm imagjinatën, që zgjuam mendjet e shumë fëmijëve, ne së bashku rrezatuam rreze diturie,  i dhamë kuptim jetës dhe nuk u lodhëm asnjëherë dhe së bashku ndërtuam shkallët e jetës!

Jemi ne që u mësuam shkronjat e para dhe punuam në dobi të jetës! Ne së bashku i dhamë përgjigje çdo pyetjeje, iu dhuruam shokun e jetës “librin”!


Të dashur fëmijë dhe ish-nxënës! Luajtëm shumë role: një mama, një baba, një këshillues, një shok e shoqe e ngushtë, këto janë rolet që kemi luajtur për të bërë pyetjen e duhur e për t’i dhënë përgjigjen e saktë çdo pyetje, sepse ne jemi “Heronjtë e heshtur” të njerëzimit!


Jemi dhe duam të mbetemi krenarë për punën e vazhdueshme dhe sistematike, profesionale, me taktin e duhur në përshtatje me moshën dhe me kushtet. Por punë e bukur kjo e jona dhe e palodhur duke “iu mërzitur” ndonjëherë, duke iu marrë për dore në rrugën e suksesit me pasion dhe dashuri iu dedikova Ju, jo për të marrë një çmim, por vlera njerëzore, “të mësuarit” nuk mund ta bëjnë të gjithë sepse roli ynë është i vështirë, por falë Jush këto njohuri kthehen në vlera!


40 vite përkushtim punë sistematike, përgatitje, ngjitje shkallë-shkallë, buzëqeshje, arritje etj etj. Kemi parë një det me nxënës, me detyrën e të bërit një të nesërme më të mirë. Kemi punuar me shumë se “Nënat”, duke prekur gishtërinjtë e nxënësve nëse i kanë të ftohtë, u kemi ndërruar çorapët e lagura, u kemi ndezur sobën, për t’u futur sa më shumë në botën dhe psikologjinë e tyre fëminore.


E kam bërë me dëshirë këtë punë jo për t’u përmendur, por për të bërë të lumtur shumë nxënës që u ka munguar kujdesi dhe mirësia e familjes, dhe për të ndërtuar me ta marrëdhënie të ngrohta e të ndërsjella në mënyrë që ata të ndiheshin të lumtur duke e ruajtur raportin mësues-nxënës!


***


E nisa këtë mision kur unë isha pa i mbushur të 20-at dhe më dridhej zëri nga emocionet dhe përgjegjësitë që mora! Blija libra, fletore, lapsa dhe stilolapsa për fëmijët dhe ish-nxënësit e mi, ua bleva këto gjëra të vogla, por me një dashuri të madhe.


Sa vjersha, tregime, përralla, lojëra, këngë, minuta fizkulturale, ditëlindje e festa abetareje kam zhvilluar dhe manifestuar me to, shpesh here me veshje popullore tradicionale me mundësitë e mia!

Jam bërë njësh me to. Bashkë kemi shqiptuar tingujt zanorë dhe bashkëtingëllorë, urime etj. E ku ka më bukur se sa të investosh për arsimin e fëmijëve e së ardhmes për të cilën vendi ka shumë nevojë. Por me punë, përgjegjësi, durim, dashuri, profesionalizëm dhe këmbëngulje mund të hysh në botën e bukur të fëmijëve! 


Puna ime si misionare e arsimit nisi më 12 gusht 1978 në fshatin Fullqet në shkollën “Rexhep Shira” me përgjegjës shkolle Beshir Shira, të cilin e përshëndes. Pas disa javësh u transferova në fshatin e lindjes si mësuese në CU në klasën e tretë të shkollës “Gani Cira” me drejtues Mahmud Llupën, një njeri korrekt në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Përmend këtu ish-nxënësit e klasës së tretë në vitet 78-79, Shpëtim Doksanin, sot mjek kardiolog në Tiranë, Dhuratën, Ylberin, Lilianën, etj etj. 


Pas një viti martohem me Dhurim Hoxhën.


Familja “Hoxha” ishte e persekutuar ndër vite, ndërkohë që edhe vjehrri im i ndjerë ishte mësues në CU, kështu që atëherë nuk lejohej të punonin dy veta të një familjeje në të njëjtën shkollë dhe për këtë fakt unë u punësova në arsimin parashkollor të këtij fshati dhe mendoj se u persekutova serish si anëtare e re e familjes “Hoxha”.


Dihen ambientet e kopshteve të atyre viteve; ishte një dhomë me tavan të prishur, ku shpeshherë binte shiu bindte brenda. Mjete didaktike nuk kishte, karriget ishin shumë shumë të pakta. Fëmijë të moshave 3-7 vjeç duhej të vinin vullnetarisht nga lagjet e fshatit. Këtyre vështirësive i shtohej edhe niveli arsimor i prindërve etj, etj. Me të gjitha këto po përballesha pikërisht kur isha nuse e re, por me përkushtimin tim ia dola të kem një fluks të madh fëmijësh. 


E kam dashur këtë profesion, kam qenë korrekte me fëmijët e komunitetin dhe me veten time dhe motivi im ka qenë përkushtimi e puna e palodhur e plot pasion.


Kurrë dhe asnjëherë nuk kam shkuar dhe nuk jam gjetur e papërgatitur për mësimin. Nga kontrollet  “e rrepta” të asaj kohe partiake dhe arsimore për disiplinën shkencore e formale në punë dhe deri në daljen në pension nuk jam ndëshkuar ndonjëherë, përkundrazi, jam motivuar si mësuese dhe edukatore e zonja për edukimin e brezave ndër vite!


Kurrë dhe asnjëherë deri në daljen në pension nuk e kam zhvilluar mësimin ulur në karrige. Pika ime e dobët kanë qenë të gjithë nxënësit, ata jo socialë, e sociale, të gjithë pa përjashtim i kam dashur e motivuar. 


Me lindjen e demokracisë gjatë viteve 90-të e në vazhdim “mu hoq” persekutimi dhe vjehrri im, Fetai i ndjerë prej disa vitesh tashmë, doli në pension dhe unë kërkova të kaloj në profilin tim si mësuese e CU për të cilin isha diplomuar në Tiranë gjatë viteve 74-78 me mesatare 9-të.


Vazhdonte persekutimi duke u ndeshur me kuadro të ndryshëm për vendin e punës, sepse kështu ishe sistemi i atëhershëm d.m.th nuk funksiononte meritokracia në nivelin e duhur. Në vitin ‘96 del një dritë jeshile në fund të tunelit. Xhaxhai im i ndjerë Murati shkon në zyrën arsimore “Mat” dhe si rezultat më dërgojnë mësuese të CU në shkollën “7 Marsi” që emërtohej asokohe, sot shkolla “Ramiz Kadiu” në fshatin Bejne. Deri atëherë në vitet 96-97 mungonin klasat e duhura për mësim si  dhe mjetet bazë te cilat arrita t’i siguroj me ndihmën e prindërve. Numri i nxënësve në Bejne ishte i konsiderueshëm dhe varionte mbi 30. Mësuesinë në CU Bejne e nisa me drejtues Sali Nuren, pastaj u vendosën Nexhmi Collaku, Fehmi Havalja, Xhemal Isufi, e në fund me Arben Collakun, njerëz shumë korrektë e këshilltarë të dijes në ndihmë të procesit mësimor – edukativ. Mbaj mend kolegë dhe kolege të përkushtuar në këtë shkollë si: Naim Pellumbi, Bakushe Voshi, Hasan Shahini, çifti Hasan e Fiqirie Martani, Fiqirete Peci e Halil Peci, Qemal Kaca, Xhemal Isufi, Fatime Gjinin, Bedrie Kaci, Nazime Velsula, Violeta Shira, Dhurata Elezi, Drita Bala, Kapllan Barci e disa të tjerë që për momentin ndoshta nuk më kujtohen. 


Punën si mësuese e CU e fillova me ish kolegun Astrit Lalen të cilin e përshëndes me shumë mirënjohje, ku ne kishim dy klasat e para me 18 nxënës në çdo klasë ku Astriti në pushimet e dimrit emigroi në Greqi dhe nxënësit më kaluan mua dhe klasa u bë me 36 nxënës. Ishte periudha e viteve 97-2001 ku në këtë klasë bënte pjesë edhe vajza ime Mandela. Do ta veçoja këtë klasë me 36 nxënës ku më shumë se gjysma e klasës kane mbaruar më pas universitetin si psh. Mandela, Eglantina, Valbona, Oligerta, Manjola, Aferdita, Emiljana, Bledjana, Silvana, Indriti, Fitija, Rudina, Suzana, Vullneti, Matilda Kaci dhe Shahini, Dritani, Emiljano, Flutura, Arjana, Erjola Emiljani etj., që i përshëndes fort nga zemra.


Ka qenë me të vërtetë një klasë me arritje shumë të mira dhe që premtuan shumë për të ardhmen. Mësimin e kam ndërtuar sipas niveleve duke iu dhënë e vlerësuar më shumë se ç’duhet, kam falur nota pozitive aq sa duhet dhe kurrë nuk kam mbetur nxënës në klasë. Të gjithë ish-nxënësit e mi kanë ditur të lexojnë dhe shkruajnë, tabelën e shumëzimit d.m.th nuk pati asnjë analfabet. Dhe kjo mendoj se ishte një arritje e madhe. Për këtë sot unë ndihem shumë krenare.


Pas katër vitesh të lodhshme me 36 nxënës mora klasën e parë me 23 nxënës. Përmend Luvjola Shiren, një nxënëse ekselente dhe shumë e kompletuar ku ia doli shumë mirë edhe falë punës që bënte me mamin e saj Violeta Shiren, si një mësuese e merituar në shkollën e Bejnit. Kujtoj këtu edhe nxënës të tjerë shumë të mirë si Eridoni, Erisi, Qamili, Kismeti, Altini, Olta, Rajmonda, Mbarimja, Fatjoni, Arbeni, Florina, Mehmeti, Eglantina si dhe Klevisi, Islami, Sanija, Erblini, Akili, Drilanti dhe të tjerë. Dua të përshëndes dhe shumë të tjerë që nuk po më kujtohen, sepse vitet kanë bërë të tyren. Më pas ngjarjet rrodhën me mua duke u persekutuar serish!


Më 1 tetor 2014 partia në “pushtet” më mbylli vendin e punës në Bejne për arsye “gjoja” të numrit të nxënësve dhe më lanë pa punë për dy-tre javë. Më besoni “betohem në Zot” për mua ishte një ndëshkim i madh sepse shkolla ku unë punoja ishte pesë minuta larg shtëpisë time dhe sa herë binte zilja për mësim mua më rrëqethej trupi dhe për një moment mendoja qe e humba serish profesionin. 


Mu konfirmua nga Zyra Arsimore Mat që duhej të konkurroja me ish-kolegët e mi të shkollës Bejne (të CU) dhe pikërisht me Qemalin dhe me Bedrijen. Me thënë të drejtën kisha mbështetur në një mbledhje parazgjedhore në Klos “të djathtën” dhe e “hëngra” sapunin për djathë. U bë mbledhja në shkollë dhe meqë mua mu kishte vënë gishti duhej të largohesha pa e zgjatur. Zyra Arsimore Mat vendosi që ne të konkurronim me notë. Kriterin kryesor të “notës mesatare” të shkollës së mesme e kisha më të lartë. Konkurrimi u bë në shkollën 9-vjeçare të Klosit. Aty e humba toruan:Pranova “shortin” ose lekun ose shqiponjën dhe kështu humba vendin e punës. Ca zëra me thoshin që nuk do mbetesha pa pune se nuk ishte faji im, ca të tjerë kënaqeshin në vetvete me demek që ia morën hakun Vjollcës duke e lënë pa punë dhe rrugëve. Shkoj si e papunë në zyrën Arsimore Mat dhe më thonë që “ty të ka hedhur shteti” në rrugë një herë dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë. Kur të hapet ndonjë vend pune do të të njoftojmë. Dhe pas 2-3 javësh zyra Arsimore Mat më njofton për të filluar në Klos-Katund, aneks i varur nga shkolla 9-vjeçare e Klosit. Atëherë isha rreth 56 vjeçe dhe nuk mund të rrija pas pune, duhej të punoja dhe ta mbyllja me sukses misionin tim të mësuesisë. Si bashkëshorte, nënë, grua, mësuese duhej të shkoja dhe të punoja aty ku kishte punë dhe ashtu bëra. Çohesha, bëhesha gati dhe nisesha për punë në këmbë nga Bejni për në Klos rreth 5 km dhe qëndroja në krye të Klosit për të gjetur një automjet për në Klos-Katund ku aty u punësova me një klasë kolektive me 7 nxënës të klasave I, II, dhe IV. Madje largohet nga ajo shkollë Halil Peci dhe më punësojnë mua. Kur shkova në fillim, në javën e parë, nxënësit largoheshin sepse nuk më njihnin ose ishin porositur. U nisa serish për në zyrën Arsimore Mat që të denoncoja aktin, por kot!! “Nëse do punë shko atje”-, më jepte këtë përgjigje përgjegjësja e ZA Mat. Qaja me dënesë por askush nuk mi fshinte lotët. Një ish kolegu im, që kisha punuar në Bejne dhe që ishte nëndrejtor në shkollën 9-vjecare Klos z.Xhemal Isufi më këshillonte “Vjollca mëso makinën që të shkosh në Klos-Katund ose bëje rrugën në këmbë”. 


Vazhdonte “persekutimi” ndaj meje. Gjithsesi u miqësova me nxënësit si Angjela, Emanuela, Megiana, Gjergji, Andi dhe Linda. Bashkë me mua u punësua si e transferuar edhe një ish kolegia ime të cilën e përshëndes me shumë mirënjohje, Hyqmete Mjeshtri në arsimin Parashkollor. Ambienti i shkollës ishte jo i përshtatshëm për mësim. Nuk kisha ku të ankohesha, tek cila drejtori. Mua që më kishin internuar se mësoja nxënësit, fillova të rregulloja klasën. E leva e sistemova dhe e ktheva pak a shumë në një ambient normal për mësim. Fillova më 1 nëntor të atij viti mësimin pas një muaji shkëputje që nuk u pagova asnjëherë. Me thënë të drejtën nuk më shqetësonte shumë ky fakt. Përgatitja ditarin për tre klasat kolektive dhe i zgjerova të gjitha lëndët për çdo klasë, jo në shkollë por në shtëpi se nuk mund t’i shkelja rregullat e disiplinat shkollore. Kërkoja nga vetja shumë e më shumë. Nxënësit më njohën shpejt se kush jam dhe u miqësuan me mua. Edhe prindërit të cilët i përshëndes u njohën shpejt me punën që zhvilloja me fëmijët e tyre. Dihen vështirësitë me klasa kolektive, por ky fshat i vogël meritonte shumë. Më kishin lexuar fëmijët dhe unë u mundova me mish e me shpirt për ta. 


Pas 15 muajsh del ne pension një kolege në Klos, Vera Rexhepi, dhe zyra Arsimore Mat më punësoi në Klos Qendër tek klasa e saj e katërt me 27 nxënës të cilët i mësova më shumë se 6 muaj. Vitin tjetër mora 29 nxënës në klasën e parë që ishin të përzgjedhur nga kopshtet e fshatrave ku ishin 13 vajza dhe 16 djem. U miqësova shumë me Ta dhe kujdesesha në mënyrë sistematike për të gjithë pa dallim. Tani isha bërë mësuese “klas”. Kisha edhe 4 vite dhe do dilja në pension. Punoja si e re, pa u ulur në karrige, madje edhe apelin e bëja në këmbë. Përkushtohesha shumë, përdorja shumë mjete, metoda, biseda, argëtime, teste, lojëra, ditëlindje, festa, intervista etj etj. Krijuam marrëdhënie reciproke të shëndetshme, të ngrohta si nënë dhe fëmijë. Besoj që nuk kam qenë e përkryer, por e përkushtuar. Sa e bukur dhe e sinqertë është bota e fëmijëve. Të hysh ne psikologjinë e pastër e të drejtpërdrejtë të tyre ishte diçka fantastike. 

Ju sugjeroj që ta bëni këtë punë me dashuri! 

Sa e sa shumë modele ka prania e tyre, shprehja, mendimi, sjellja, motivimi. Vlerësojeni punën Tuaj në mënyrë sistematike. Vlerësojini arritjet e nxënësve, falni se do të arrini akoma më shumë!

I tillë është profesioni ynë, sa human po aq edhe fisnik. 

Klasa ime e dashur e fundit që mësova do ju kujtoj gjithmonë jo si nxënësit e mi, por si nipërit dhe mbesat e mia, sa të jem gjallë dhe do të mbeteni gjithnjë në kujtesën time. Nuk kam si të harroj asnjë nga ju: Ledjan, Orinda, Livjo, Alketa, Arsilda, Eljo, Egli, Enela, Ejona, Endri, Kejsi, Fabio, Alesia, Selma, Riku, Klea, Ledjo, Mikaela, Gloria, Mexhiti, Orgesi, Orgito, Aldo dhe Ana, Aleksandri Arlindi, Emanuela, Ergysi, Gledi etj etj. Keni qenë dhe do të mbeteni “Yjet e mi të pashuar” dhe “Engjëjt e mi mbrojtës”. Ju jeni suksesi im dhe motivi im i fundit në përmbylljen e misionit tim në arsim.


Një këshillë dua t’ju jap: Nëse iu kam mësuar me dashuri, u kam dhënë dije të vlefshme për jetën, mos me thirrni në emër “Vjollca”, por mësuese Vjollca. Nxënësit e mi: Kurrë dhe asnjëherë nuk kam kërkuar dhurata nga Ju dhe këtë Ju e dini shumë mirë, përkundrazi, iu kam thënë që një sjellje shembullore, një mësim i mirë janë dhurata më e çmuar për mua, sepse unë ashtu jam rritur dhe edukuar nga prindërit e mi, e thjeshtë, e varfër, pa dhurata, por kam marrë dhuratën më të mirë dhe më të çmuar, atë të dashurisë pa kushte! Shkolla, familja, fëmijët, të gjithë janë dhurata më e bukur!


Jeta është dhurata që duhet të përgatitemi për të jetuar ashtu siç ajo vjen, natyrshëm por të vetëdijshëm, e të bëhemi të denjë e të ditur për ta jetuar atë në mënyrën më të mirë! 


Dua të kthehem dhe një herë pas në kohë, te ish vogëlushët e mi të klasës B të vitit 2017. Ishte data 20 nëntor kur unë për arsye emigrimi në SHBA mbylla mësimdhënien time duke lënë në pritje klasën time në këtë shkollë, që sot është klasa e VII B e shkollës 9-vjeçare e Klosit.


Nuk do ta harroj kurrë ditën e premte të datës 17 nëntor 2017, kur do ndahesha nga nxënësit e mi. Kisha orë edukative në orar. Nuk e bëra, por bëra një orë mësimi në gjuhën shqipe. Më erdhën 75 % e prindërve në klasë dhe u ulën me fëmijët e tyre. Ishte muaji i dytë i mësimit të kësaj klase, i vitit shkollor 2017-2018. Edhe nxënësit sa kishin lënë abetaret dhe kishin njohur lëndën e Gjuhës shqipe. Bëmë një orë të lirë mësimi në gjuhë. Secili nxënës lexonte e thoshte pjesë përmendësh në mënyrën e vet më të shkëlqyer. Aktivizova të gjithë klasën. U befasova bashkë me prindërit dhe u kënaqëm aq shumë. Kishim arritur bashkë rezultate shumë të mira! 


Mendoj që nuk ka nxënës “të këqij”, vetëm duhet punë dhe profesionalizëm, durim, dashuri, këmbëngulje dhe mirësjellje të hysh në psikologjinë e tyre të bukur dhe të pastër. T’i ndihmosh ata dhe tua bësh mësimin sa më të thjeshtë. 

Ditën e ndarjes nga ish-nxënësit e mi me lot në sy i përqafova, iu dhashë nga një dhuratë të vogël e ata më uruan “Të shkoftë rruga mbarë!  Zoti qoftë me Ty! Te duam shume! Mirardhsh!” etj etj.

Thellë në zemrën time do të mbeteni gjithmonë Ju vogëlushët e mi, me ëndrrat dhe dëshirat Tuaja për të cilat keni shumë nevojë! Ah sikur të isha edhe një herë në klasën e rrethuar nga Ju, duke biseduar shtruar-shtruar, ngrohtësisht, hapur si nëna me fëmijët e saj. Por s’është e mundur. Jam e dalë në pension dhe rezidente në SHBA, duke pritur që të më bashkohet pjesa tjetër e familjes, tre fëmijët e mi me familjet e tyre, duke dashur të realizojnë ëndrrën, Amerikën!


Si mësuese ndër vite, duke zhvilluar një punë sistematike në dobi të dijes, iu këshilloj t’i përkushtoheni vullnetit dhe dijes, nëse doni që të bëheni dikush në jete. Dua të citoj fjalinë jo të thënë nga unë: “Mësuesit e përkushtuar janë skulptorët e së ardhmes”. 


Me durim dhe angazhim “Mësuesia” është mision dhe jo profesion! Shkolla është vendi ku fillon rrugëtimi i jetës dhe i dijes. I mbetet armatës së mësuesve të gjenerojnë me vullnet duke mbajtur shkollën gati për fëmijët dhe fëmijët gati për shkollën. Mësuesia si një mision gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm nuk shteron kurrë, nuk plaket kur jep e merr dashuri, dije, imazh, humanizëm, fisnikëri, ku ka art, muzikë, teatër, praktikë, detyrë, kusht, arsyetim, vlerësim dhe vetëvlerësim, arritje, cilësi por që mbetet shumë për të bërë në drejtim të arsimimit.


Jemi një familje e madhe ku duhet më shumë punë e arritje si dhe eksperiencë. Kemi bërë shumë, por na duhet akoma më shumë.


Duke iu falënderuar për kohën që më kushtuat, dua të përshëndes të gjithë personazhet që i përmenda më lart si: ish-nxënësit e mi që pata fatin t’i mësoja. Ata sot janë mjekë, juristë, inxhinierë, ekonomistë, policë, infermierë, menaxherë, bashkëveprues në shumë sfera të zgjedhura për To, por për fat të keq pak nga ta janë bërë arsimtarë, që për mua është profesioni më i bukur nga ku dalin profesionet e tjera. Dua të përshëndes ish-drejtuesit dhe ish-kolegët e shkollave ku unë dhashë  mësim ndër vite, duke filluar me shkollën “Rexhep Shira” në Fullqet, shkollën “Gani Cira” në Dars, stafin e asaj shkolle dhe motrën time Shqipe Imerin, si një mësuese shumë e zonja, ish-drejtuesit dhe ish-kolegët e shkollës 9-vjeçare “Ramiz Kadiu” Bejne dhe stafin e tanishëm të kësaj shkolle. Gjithashtu dhe nusen time të djalit, që ka nisur këtë mision, Jornilda Hoxhën e t’i uroj suksese në rrugën e gjatë të dijes. Gjithashtu kam moralin dhe përgjegjësinë që të përshëndes ish-kolegë të shkollave ku unë dhashë mësim.

Të dashur mësues, nxënës, familjar, prindër kolegë që jeni në punë ose në pension, e dashur dhe e paharruara, mësuesja ime kujdestare, Liliana Harito, e nderuar zyra Arsimore Mat dhe Klos dhe të gjithë Ju bashkëkombës: Na mbetet të gjenerojmë, nëse duam që brezat të bëhen dikush në jetë!


Jeta është shkolla më e madhe e ajo i do njerëzit e saj të përgatitur. Të diturit kanë thënë: “Edukimi është përmbajtja dhe arsimimi është procesi”.

“Dashuria e prindërve për fëmijët nuk ndryshon, ajo sa vjen dhe rritet”. 

Komunikoni me prindërit duke krijuar emocione te fëmijët.

Po ju listoj 10 rregulla që unë i mendoj si të arta për edukimin e një nxënësi:


1. Pyeteni, “Pse je kaq i/e mërzitur?”. 

2. Pyeteni “Si janë me shëndet familjarët taj?”.

3. Inkurajojeni “Sot punove shumë mirë...nesër akoma më mirë”.

4. Thojini “Duaje shokun/ shoqen”.

5. Thojini “Ndihmoje shokun/ shoqen”.

6. Thojini “Mësuesi është prindi yt i dytë”.

7. Thojini “Mëso që të bëhesh dikush”.

8. Thojini “Shprehi dëshirat e Tua”.

9. Thojini “Ndihmoje familjen në momente të caktuara”.

10. Thojini “Duaje atdheun tënd”.


 Profesionistë të arsimit! Bëjeni punën Tuaj të bukur dhe misionare!

Mos heshtni ndaj dhunës dhe formave të saj në shkollë!

Shkolla është dhe do të mbetet vendi ku mësohet dhe edukohet dhe kurrë të mos mungojë dëshira për t’u shkolluar dhe arsimuar!


Me shumë respekt për Ju që më lexuat Vjollca Hoxha 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

940 Lexime
5 muaj më parë