INTERVISTË

Englantina Çuni, mësuesja e edukimit fizik në garë për Presidente të FSHP-së

Englantina Çuni, mësuesja e edukimit fizik dhe trajnerja e parë femër në Shqipëri për sportin e peshëngritjes, tashmë kandidon për të marrë titullin si Presidente e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ajo dëshiron t’i kthejë shkëlqimin këtij sporti. Ja se cilat janë idetë e saj.

Nga intervista me të, kuptuam se pasioni për të qenë mësuese e edukimit fizik e ka çuar shumë më tepër lart në kontributet sportive...

Kontributet e mësueses Eglantina Çuni në sport janë te shumta. Kontributi i saj nis 28 vite më parë si sportiste aktive, më pas si mësuese e edukimit fizik në shkolla të ndryshme, aktualisht ne gjimnazin “Vasil Kamami” dhe së fundmi është një nga kandidatet për presidente të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Duhen përmendur edhe titujt e çmimet e shumta të fituara, duke theksuar triumfin me 4 tituj “Kampion Shqipërie” në vitin 2019, ku ekipi i peshëngritjes së femrave me në krye Eglantina Çunin kanë rrëmbyer plot katër kupa për qytetin e Elbasanit.



Më datë 14 mbahen zgjedhjet për Presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Emri juaj mësuese Englantina do të jetë në kandidaturë, dhe ç’është më interesantja, ju jeni e vetmja femër që konkurron për këtë post. Si ndiheni për këtë, ndoshta surprizë le të themi që i bëni komunitetit sportiv? 


Po e drejtë, në 14 nëntor zhvillohet Asambleja e zakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ku do të theksoja që është një nga Federatat që në 71 vite i ka sjell tituj kampion Evrope dhe Bote dhe ka bërë të mundur të këndohet himni shqiptar në majat më të larta botërore. Po është hera e parë që një kandidate femër konkurron në një nga postet më të rëndësishme siç është ai i Presidentit të Federatës së Peshëngritjes në Shqipëri dhe më gjerë. Unë do të thosha që kandidimi im nuk është një surprizë për komunitetin e sportit pasi janë ata që më kanë motivuar dhe mbështetur mua që të bëhem pjesë e kësaj gare. Normal që ndihem krenare  dhe do konkurroj me dinjitet për këtë post kaq të rëndësishëm dhe do theksoja me shumë përgjegjësi .



Çfarë mund të na thoni për procedurën e përzgjedhjes së Presidentit të Federatës së Peshëngritjes Shqiptare, a ka kritere? Si zgjidhet? Ku do të konsistojë vlerësimi? 


Po patjetër FShP ka një statut që e ka miratuar në Asamble dhe Gjykatën e Rrethit Tiranë ku në përbërje të tij është Neni 12 pika 5 ku përmban dhe kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Federatës. Ku ndër tyre janë:

-të jetë shtetas shqiptar që banon në Shqipëri;

-të jetë me shkollë të lartë;

-të ketë figurë të pastër morale;

- të ketë njohuri në gjuhë të huaj;

-të mos ketë vendime të formës së prerë në gjykatat e vendit e jashtë saj;

-të ketë dhënë kontribut si sportist, trajner, gazetar sportiv, donator për sportin.

Kandidati sugjerohet nga anëtarët e asamblesë duke ju përmbajtur pikës 5 dhe kandidaturat i ushtrohen një vetingu të brendshëm ku shikojnë plotësimet e kritereve të përmendura pak më lartë. Anëtar të asamblesë janë të gjithë përfaqësuesit e Klubet Sportive të Bashkive dhe Klubeve  private që aderojnë në Federatë. Vlerësimi mendoj se do të konsistojë në programin më të mirë, idetë dhe projektet më konkrete që çojnë  sportin e peshëngritjes në zhvillim.



Cilat janë idetë tuaja atëherë? Mund të na i rendisni ato? 


Nëse në  këtë 4 vjeçar unë do të drejtoj Federatën e Peshëngritjes Shqiptare idetë e mija janë këto: 

• Gjëja e parë imediate që do të bëja është ngritja e një stafi specialistësh bashkë me mua ku të shkojmë në çdo qytet, palestër dhe të mbajmë shënim gjendjen se ku ndodhet sporti duke pasur parasysh dhe dëmit të madh që sportit i është bërë nga pandemia si p.sh duke parë në terren sa sportist kemi, bazën materiale, gjendjen e palestrave dhe pasi të jetë bërë kjo do të vazhdojmë menjëherë me pikën dy.  

• që është trajnimi i brezave të rinj, trajnerëve të rinj të peshëngritjes në meshkuj e femra ku do bashkëpunojmë me Universitetin e Sporteve, KOKSH, Federatën Evropiane e Botërore.

• Pasi kemi parë gjendjen e përgjithshme do të hartojmë  projekte për përfitimin e fondeve për plotësim me bazë materiale aty ku ka nevojë nga shteti, biznesi, KOKSH, federata homologe ne Europë, botë e donator të ndryshëm.

• Projekti tjetër konsiston në ngritjen e një ekipi trajnerësh profesionist në çdo qytet ku do të shkojnë shkollë më shkollë për të përzgjedhur talentet e së ardhmes.

• Mundësimi i një sponsori gjeneral të FSHP.

• Hartimi i një kalendari aktivitetesh në vend i pandryshueshëm vetëm në rast ndryshimi të atij Evropian dhe Botëror, mundësisht në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe për mosha dhe gjini nga fëmijë e deri te të rriturit. Po ashtu dhe një kalendar aktivitetesh që ky varet dhe nga federata Evropiane dhe Botërore ku do të theksoja do te përfshihen dhe aktivitete në Ballkan.

• Zhvillimi i aktiviteteve dhe vlerësimi me shumë korrektësi nga federata i sportisteve sipas arritjeve sipas niveleve te arritjeve dhe moshave ashtu siç dhe e përmban ligji, po ashtu dhe heronjve të heshtur, trajnerëve.

• Të lobohet dhe bashkëpunojmë me bashkitë, klubet private për mbarëvajtjen e punëve sa më mirë, që sportistët të ndihen krenar dhe me përgjegjësi për fanellën e qyteteve që përfaqësojnë dhe më pas të Shqipërisë.

• Hapja e një faqe uebi ku të hidhet historia 71- vjeçare e FSHP, kalendarë, aktivitete, transparencë financiare etj etj.

• Trajnime, workshope për trajner e sportist për mos të renë pre e përdorimit të substancave të ndaluara dhe penalizimin e tyre.

 


Po nëse do të marrin parasysh rastin tjetër, nëse idetë tuaja nuk do të vlerësohen, cilat do të jenë premisat e radhës në fushën tuaj? 


Nëse programi im nuk do përzgjidhet dhe unë nuk do drejtoj FSHP-në unë do të vazhdoj ashtu siç dhe jam duke vazhduar punën time si mësuese e edukimit fizik, trajnere e ekipit të peshëngritjes së vajzave në Elbasan, si këshilltare në Këshillin Bashkiak Elbasan si një kryetare e komisionit të sportit në Këshill Bashkiak duke venë në veprim me aq sa të mundem, projektet që përmenda pak më lartë për ekipin e Elbasanit për sportin në Elbasan pse jo dhe për qytete të tjera që do të kërkojnë ndihmën time. Po ashtu jam e hapur dhe kontribuoj pa asnjë hezitim duke përhapur projektet e mia në terren për federatën dhe për të mirën e sportit të peshëngritjen në Shqipëri.

 


Sa kandidat marrin pjesë në këtë garë dhe çfarë prisni nga ajo, shpresoni të bëheni ju presidentja e kësaj federate?


Ne garë ishin 3 kandidatura  dhe nga komisioni i seleksionimit dhe vlerësimit të kandidaturave, 2 prej tyre ishin të vlefshme dhe i plotësonin kriteret e kandidimit. Një është kandidatura ime, Eglantina Çuni dhe tjetra e Presidentit aktual Z.Maskllavica. Unë jam shpresë plot dhe mendoj se asambleja do bëjë zgjedhjen e duhur në qoftë se do të zgjedhin kandidaturën time pasi mendoj se programi dhe platforma ime janë më afër me projektet konkrete për zhvillimin e peshëngritjes shqiptare.



Si arritët deri këtu? Çfarë mund të veçoni nga aftësitë dhe përpjekjet tuaja? 


Faleminderit për këtë pyetje. Gjej rastin të përmend e përshëndes  qytetin e vogël ku unë kam  lindur, qytetin e qymyrgurit Memaliaj ku aty kanë filluar hapat e para te mit me sportin, ku në atë kohë ishin klasat sportive dhe me pas kam ndjekur shkollën e mesme sportive apo siç quhet Mjeshtëria Sportive Durrës dhe në vazhdim Akademinë e Edukimit Fizik e Sporteve "Voja Kushi" në Tiranë. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marrë me sport si sportiste ku kam marrë dhe vende nderi e vlerësim me titullin kampione Shqipërie po në sportin e peshëngritjes dhe me përfundimin e studimeve, marrjen e titullit mësuese e edukimit fizik, teksa e ushtroj këtë profesion për rreth 14 vite në disa nga shkollat 9- vjeçare dhe se fundmi aty ku po punoj dhe aktualisht në Gjimnazi "Vasil Kamami" në Elbasan. Prej 4 vitesh ushtroj dhe profesionin e trajneres së peshëngritjes-femra në qytetin e Elbasanit ku do tq theksoja që kanë qenë katër vite të mira me vlerësime dhe vende nderi si ekip duke filluar nga vendet e treta, të dyta dhe katër herë kampion Shqipërie. Që prej janarit 2019 jam kryetarja e Shoqatës së Peshëngritjes Dritan Kalemi Elbasan dhe vajzave të ekipit të peshëngritjes i kam mundësuar një palestër vetëm për vajza dhe me kushte optimale për zhvillimin e seancave stërvitore, kjo falë dhe dashamirësve të sportit dhe Bashkisë Elbasan. Mundohem që sa herë që më jepet mundësia për të zhvilluar trajnime për sportin, administrimin e sportit, për substancat e ndaluara t’i ndjek për vet faktin që gjatë gjithë kohës të jem e abdetuar me metodat dhe risitë e kohës. Për mua sporti është pjesë e imja 28 vite më parë dhe vazhdon të jetë pjesë e jetës time ashtu siç dhe ajo vjen me re, shi, ere apo dhe diell.


Faleminderit për kohën dhe ju urojmë suksese mësuese Englantina! 


Faleminderit për intervistën dhe gjej rastin t’ju falënderoj për gjithë kontributin që ju jepni për arsimin dhe kryesisht për mësuesit, drejtuesit dhe nxënësit, si një nga portalet më prestigjioze. Faleminderit! 

Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,960 Lexime
3 vjet më parë