Ermal Lala: Ditari i një viti të parë, mes pasionit për shkencën dhe sfidave të sistemit arsimor
Nga emocionet e vitit të parë në klasë te sfidat e sistemit arsimor, mësuesi por njëkohësisht dhe autori i ri i letrave shqipe, Ermal Lala, sjell një rrëfim të sinqertë mbi përvojën e tij në mësimdhënie. Një reflektim për pasionin, meritokracinë dhe nevojën për më shumë stabilitet për mësuesit.
Nisja e vitit shkollor 2025-2026 në shtator kishte për mua të gjithë zellin dhe dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin në mësimdhënie. Si një mësues i ri, i sapoemëruar përkohësisht nga lista e portalit për shkollat e Tiranës, shorti dhe preferencat më caktuan në dy realitete të ndryshme, por njëlloj magjepsëse: në shkollën e mesme të përgjithshme "Luan Hajdaraga" dhe në shkollën 9-vjeçare "Murat Toptani".
Sot, pas mbylljes së këtij cikli, dëshiroj të ndaj një reflektim të sinqertë mbi atë që quhet "pagëzimi me zjarr" i vitit të parë në arsim, mes menaxhimit të klasës, bashkëpunimit me stafin dhe pikëpyetjeve të mëdha që mbart ende sistemi i portalit.
Java e parë dhe "Skanimi" nga nxënësit
Dita e parë (apo më saktë java e parë) nisi me prezantimet në çdo klasë. Nxënësit dukeshin kaq të urtë, sa fillimisht krijova përshtypjen e çastit se puna do të ishte e lehtë. Mirëpo, kolegët e sprovuar ma bënë të qartë menjëherë një të vërtetë të madhe:
"Tani për tani po të blejnë. Po të skanojnë për të parë ku i ke kufijtë. Prit se është veç fillimi, ke edhe 35 javë përpara."
Dhe doli që nuk kishin gabim. Kur nxënësit kuptuan se nuk isha një mësues i ashpër – pavarësisht përgatitjes sime të lartë shkencore në teknikat e mësimdhënies së Biologjisë dhe Kimisë – vëmendja e tyre filloi të luhatet. Jo të gjithë kishin interesin për të ndjekur shkencat me të njëjtin zell si lëndët ku kishin objektiva më të qarta për të ardhmen.
Sidoqoftë, e pranova sfidën. Në fund të tremujorit të parë, edhe pse unë zgjodha t'i toleroja disi në vlerësim për t'u dhënë kurajë, ata sërish menduan se meritonin më shumë. Ky qëndrim i prirur drejt meritokracisë sime solli ndryshime rrënjësore: një pjesë e madhe e nxënësve reflektuan dhe patën rritje të jashtëzakonshme në tremujorët në vazhdim, ndërsa një pakicë që neglizhoi, u përball me vlerësime negative. Ky ishte leksioni im i parë: nota nuk dhurohet, ajo fitohet.
Kur mjedisi të frymëzon: Oazi pozitiv i shkollave tona
Përtej sfidave menaxhuese të klasës, viti im i parë u lehtësua maksimalisht nga bashkëpunimi i shkëlqyer me drejtoritë dhe stafet e të dyja shkollave. Gjeta një mjedis jashtëzakonisht kolegjial dhe mbështetës.
Po ashtu, infrastruktura moderne ishte një bonus i madh për një mësues shkencash. Laboratorët e pajisur mirë, mjediset artistike, klasat e ngrohta gjatë dimrit dhe dhomat e mësuesve të konceptuara si hapësira çlodhëse, e bënin qëndrimin në shkollë një përvojë komode dhe dinjitoze. Nëse do të më jepej mundësia të punoja sërish në këto dy shkolla, do ta bëja pa u menduar dy herë.
Paradoksi i Portalit: Mësuesi "me valixhe në duar"
Nëse aspekti human dhe infrastrukturor në shkolla funksionon shkëlqyeshëm, ana ligjore dhe kontraktuale e mësuesve në Shqipëri mbetet një plagë e hapur. Portali "Mësues për Shqipërinë" është një hapësirë e mirë që ofron mundësi punësimi, por formula aktuale e kontratave provizore e dëmton figurën e mësuesit.
Në testin e fundit, pavarësisht se kisha mundësinë të mbartja pikët e dy viteve të fundit, zgjodha të ritestohem për të përmirësuar rezultatin tim. Besoj se çdo profesionist duhet të sfidojë veten. Por pyetja që ngrihet vetvetiu është: Pse sistemi nuk na ofron të njëjtën qëndrueshmëri që ne ofrojmë në punën tonë?
Sot, mbi 90% e mësuesve me kontrata provizore detyrohen të ndërrojnë shkollë çdo vit shkollor. Kjo sjell pasoja të rënda:
- Pasiguri ekonomike dhe sociale: Gjatë muajve të verës, mësuesit me kontrata të përkohshme mbeten të papunë, të detyruar të bëjnë punë sezonale, të ndihmojnë familjarët ose të emigrojnë përkohësisht. Kjo përkthehet në pamundësi absolute për të planifikuar jetën, për të marrë një kredi afatgjatë apo një kredi hipotekore për banesë.
- Humbje e jashtëzakonshme e energjisë pedagogjike: Gjatë këtij viti, mua më është dashur të ndërtoj raporte besimi dhe konfidencialiteti me mbi 180 nxënës. Paramendoni sa më e vështirë është kjo për mësuesit e Gjuhës apo Matematikës. Pse kjo energji e madhe duhet të shpërbëhet çdo muaj qershor dhe të rindërtohet nga e para në një shkollë tjetër në shtator?
Nevoja për një reformë: Kontratat pa afat si zgjidhje
Sistemi ynë arsimor ka nevojë urgjente për rehabilitimin e figurës së mësuesit përmes pajisjes me kontrata pa afat. Stabiliteti i mësuesit është, para së gjithash, stabilitet për vetë nxënësin. Kur nxënësit e dinë se do të kenë të njëjtin mësues vitin e ardhshëm, ata përshtaten më mirë me stilin e mësimnxënies dhe performanca e shkollës rritet.
Një mësues provizor, sapo vjen muaji maj, e ka të vështirë të ruajë të njëjtin fokus kur e ardhmja e tij është e paqartë. Po ashtu edhe nxënësit e ndiejnë këtë shkëputje. Ky është një ngërç i pastër i sistemit që mund dhe duhet të përmirësohet. Investimi te mësuesi nuk është kosto, është investimi më i zgjuar që një shoqëri mund të bëjë për të ardhmen e saj.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Edi Gogu: Ja pse duhet t'u lexohet fëmijëve, përpara se gjumi t’i përkundë ndër ëndrra
“Mos lejo, o Zot”, poezi nga mësuesja Drita Gjaci Topjana
Dhjetori i festave në Gjirokastrën time