“Mos lejo, o Zot”, poezi nga mësuesja Drita Gjaci Topjana
“Mos lejo, o Zot” është një poezi-lutje prekëse e mësueses Drita Gjaci Topjana, që sjell reflektime të thella mbi besimin, emigrimin, dashurinë për Atdheun dhe përgjegjësinë njerëzore. Një thirrje për shpresë, pendim dhe kthim te vlerat që na bashkojnë si popull.
Autore; Drita Gjaci Topjana
Mësuese e Arsimit Fillor
Mos lejo, o Zot
Mos lejo, o Zot, që të bëhemi më të mjerë se ç'jemi.
Zoti po na paguan të gjithëve sipas sjelljeve tona.
Besimi ka humbur, padrejtësitë janë shtuar.
Vetë Zotit i vjen keq se njerëzia po humbet.
Habitet pse nuk ndërmjetësojnë,
që Ai të jetë ndihma,
fjala dhe vetë veprimi,
që të shihet mrekullia,
përsosmëria dhe lavdia e Tij.
S'do t'i harrojmë të mirat e Tua, o Zot.
Prej Teje, fëmijët tanë po ndriçojnë në çdo anë të botës.
Do të ta japin Ty lavdinë për çdo vepër në tokë.
Dhe sa kohë do t'i mbash zemrat tona të ngrira?
Dhe sa kohë do të na duhet të vuajmë për sjelljet tona?
Po të lutemi, o Zot, shkrij zemrat tona!
Kujtoje popullin tonë, o Zot,
që u shpërnda anë e mbanë botës dhe nuk e harron folenë e vet.
Ngrohna zemrat, zbutna inatet, çelna sytë, hapna veshët,
që të kuptojmë dhe të shijojmë bukuritë e vendit tonë.
Ku dita është bërë më natë se nata,
ku dielli ka filluar të perëndojë pa lindur ende,
dhe hëna nuk ia pa kurrë sytë natës,
për shkak të largësisë dhe emigrimit,
për shkak të rrënimit dhe shkatërrimit.
E ç'na duhen ato trungje,
kur nuk gëzojnë e nuk shijojnë as degët me gjethet e tyre,
as trëndafilat e zambakët e tyre,
as cicërimat dhe këngët e dallëndysheve të tyre.
Dallëndyshet e gjejnë rrugën e kthimit
te foleja ku rrjedh ujë i pastër e i kulluar si ari.
Ato nuk i lënë visaret dhe pasuritë e tyre të çmuara,
që t'ua grabisin grabitqarët e popujve të tjerë,
pa farë frike e ndrojtjeje, për shkak të fajeve tona.
Na fal, o Zot, dhe na e kurse këtë dhimbje për popullin tonë.
Mos lejo që të qëndrojë skllav i dikujt tjetër me vetëdije,
në një vend që nuk është i dashur për të.
Mos lejo që t'ia japë mundin dhe djersën e tij
një vendi të huaj që nuk është Atdheu i vet.
Mos lejo, o Zot, që të mbarojmë përfundimisht
për shkak të sjelljes sonë ndaj Teje.
Mos i këput me ne as fijet e fundit që kanë mbetur mbi tokë.
Na ndihmo t'i lidhim ato me fijet e tjera,
që të na japësh edhe një herë forcë dhe shpresë.
Ne do ta mbajmë fjalën,
zemrat do t'i shërojmë dhe nuk do të duam më të shkatërrojmë.
Tani po e kuptojmë se po i paguajmë të gjitha fajet tona, o Zot.
Po e kuptojmë përherë e më shumë
se rrëfimi dhe agjërimi nuk mjaftojnë për faljen e mëkateve tona.
Jo, mos mendoni se vetëm pse agjëruat apo u rrëfyet,
mëkatet ju janë falur.
Nuk mund t'ia hidhni kaq lehtë,
e pastaj të bini sërish në një faj edhe më të madh se i pari.
Pendimi duhet të jetë me shpirt e me zemër,
me sjellje e me vepra,
e jo vetëm me fjalë goje apo me këshilla për të tjerët.
Mjaft po mundohen popujt e botës,
si shkurtat që rrisin zogjtë e huaj.
Por ata zogj një ditë do të largohen
dhe do të kthehen në vendlindjen e tyre.
Kuptojeni, o shkurta, se i keni ditët të numëruara,
kur zogjtë t'ju largohen.
Mbajini mirë e kujdesuni për ta për aq kohë sa i keni pranë,
sepse zëri i Atdheut ka filluar t'i thërrasë.
Atëherë do t'u hapen sytë dhe veshët.
Prandaj falënderoni Zotin nëse ndonjë dallëndyshe
dëshiron të qëndrojë ende atje,
qoftë edhe për të çelur jetë të re.
Por, pavarësisht gjithçkaje,
origjina juaj mbetet e huaj dhe krenaria do t'ju bjerë,
sepse nuk do të keni më me çfarë të mburreni.
Ai që paralajmëron fatkeqësinë për mëkatarët është ai që flet drejt.
Megjithëse përndiqet pse thotë të vërtetën,
njerëzit janë bërë aq kokëfortë,
sa nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën dhe as të reagojnë ndaj saj.
Ata parapëlqejnë të mashtrojnë vetveten me fjalë të bukura,
por të zbrazëta.
Qyteti është sa për shkollimin e fëmijëve,
por shëndeti dhe jeta janë në fshat.
Fshatrat tona u kthyen në rrënoja,
na përqeshin e na tallin turistët e shumtë.
Të fortët, matrapazët dhe trafikantët e drogës
do të hanë kokat e njëri-tjetrit,
derisa të pastrohet vendi.
I fortë quhet ai të cilit i ka hije dhe peshë fjala;
peshë ka vetëm fjala e drejtë dhe drejtësia.
I fortë është i urti, i drejti dhe i dituri,
jo egoisti e zhurmagjiu, as ai që mbahet për trim
duke u fshehur pas krahëve të të tjerëve.
Deri kur kështu, o Zot, do të na lësh në sprovë?
Deri kur do të zgjasin ditët e ndëshkimit tonë?
Për ata që s’e dinë dhe s’e kuptojnë,
të gjitha ngjarjet ndodhin për shkak të mëkateve
dhe të historive qesharake që po na përsëriten.
Mos t’ju duket habi, çudi apo injorancë;
kuptoni shenjat e kohës dhe ndiqini me vëmendje.
(Lufta, uria, egërsirat dhe murtaja,
janë katër ndëshkimet që dërgon Zoti kur zemërohet.
“Atëherë do t’ju bjerë ndër mend zemërimi im”, – thotë Zoti.)
Sepse çfarë do të marrësh në këmbim të një pune?
Asgjë më shumë se sjelljen tënde.
Përherë do të korrësh atë që ke mbjellë.
Shpëtoje, o Zot, popullin tonë!
Ruaje popullin tonë!
Mos lejo që populli ynë të shkretohet përsëri!
Le të të vijë keq, o Zot,
për shtëpitë tona të rrënuara,
për fshatrat e mbetur djerrë e të shkretë,
për pleqtë e vetmuar,
për të varfrit gjithandej,
për njerëzit e sëmurë e pa njeri pranë.
Tani edhe toka i ka plotësuar shtatë vitet
që duhej të lihej djerrë,
edhe të shtunat e saj të pushimit të detyrueshëm.
Le të na bjerë ndër mend për nipa e mbesa
që s’i njohim e as na njohin,
për motra e vëllezër që i harruam dhe na harruan.
Dëgjoje lutjen tonë, o Zot,
dhe ne do t’i mbajmë urdhërimet e tua.
“Enduni këtej e andej, pyesni,
kërkoni dhe diskutoni: a mund të më gjeni një njeri besnik,
që zbaton drejtësinë?
Për hir të tij, vetë vendin do ta shpëtoj.
Sikurse më harruat mua dhe punuat për të huajt,
ashtu po u shërbeni në një vend që s’është juaji,
që as nuk e doni;
por nga halli e nga zori jeni shpërndarë të gjithë.”
Më e mirë është vdekja se kjo jetë vetmie për brezin e vjetër,
ku u kalb krenaria dhe u fundos fisnikëria e të parëve tuaj.
Prandaj kthimi ka vlerë të dyfishtë:
edhe nga Zoti, edhe nga Atdheu.
A mund të të bjerë ndër mend Atdheu pa të të rënë ndër mend Zoti?
Asnjëherë!
Njerëzit duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë të vërtetën;
pastaj është në dorën e tyre: humnera apo yjet.
Zgjidhni e merrni, o brishtësi tokësore,
që hani e pini sa për të mbushur barkun.
Po të lutemi, o Zot, lëshoje grigjën tënde
gjithmonë në duart e një bariu të denjë,
që të jetë i dhimbsur për mbarë tufën,
i gatshëm për drejtësi dhe për besnikëri ndaj teje.
Mjerë ata barinj që e humbasin tufën e tyre
dhe e hallakasin sa në një qoshe në tjetrën.
Vetë Zoti do të kujdeset për mbetjen e asaj tufe;
do t’i mbledhë nga të katër anët
dhe do t’i sjellë në kullotat e tyre.
Atje nuk do të tremben dhe nuk do t’u mungojë asgjë,
sepse vetë Ai do t’u prijë,
duke ngritur nga populli një prijës të drejtë.
Zotit do t’i bjerë ndër mend për popullin e tij;
do t’u japë një zemër të re për ta njohur Atë.
O Zot, zbute hidhërimin tënd ndaj nesh,
sepse po e paguajmë sjelljen tonë.
Po e kuptojmë çdo ditë e më shumë,
por s’na lë krenaria jonë të tërhiqemi;
madje nuk dimë as kujt t’ia lëmë vendin,
edhe kur gjendet dikush i denjë.
Dhe ja, shuplakat e Hyjit janë pikërisht mbi udhëheqësit,
të cilët shpesh do të dëshironin që askush të mos ishte në vendin e tyre,
për shkak të barrës që mbartin.
Megjithatë, i drejti e mund të shtrembrin,
i varfri është më i madh se i pasuri.
Kështu e mira e mbulon dëmin e bërë,
ndërsa e keqja mbetet vetëm,
sepse njerëzit e krijojnë me vetëdije e pa vetëdije,
por nuk mund t’i shmangen lehtë pasojave të saj.
E keqja mbetet vetëm,
sepse Hyji nuk e do atë që nuk kthehet tek Ai,
nuk e kërkon Atë,
që nuk di të kërkojë falje dhe nuk di të pendohet si duhet.
Druajeni Zotin para se të jetë vonë;
mos e ngarkoni veten me një të keqe edhe më të madhe.
Mërgimi është shlyerja e mëkateve,
pastrimi i popullit nga e keqja.
Dashuria hyjnore ka dhembshuri për popujt.
Ajo do t’i mbledhë nga viset e huaja dhe
do t’i sjellë përsëri, që të gëzojnë vendin e tyre.
Zoti na ndëshkoi për sjelljen tonë,
dhe tani na duhet vetëm të reagojmë drejt,
të mbledhim e të afrojmë ato pak gjëra që na kanë mbetur.
Kur të plotësohen ditët e vuajtjeve tona,
ndëshkimi dhe mërgimi do të marrin fund,
dhe vetë Hyji do të na vizitojë.
Puna është të mos i shtojmë mëkatet,
sepse do të na duhen ditë të tjera për të larë padrejtësitë tona.
Besëlidhjen e vjetër na e shkroi në rrasa guri,
kurse besëlidhjen e re do ta gdhendë
me shkronja të arta në zemrën dhe shpirtin e secilit.
Sepse nuk i dëgjuam dhe nuk i zbatuam urdhërimet e Zotit,
erdhi kjo farsë profetësh të rremë,
që përmenden çdo ditë në media dhe mashtrojnë popullin.
Po të jenë të vërtetë, do ta dinë se po i shikon Zoti,
sepse Atij nuk mund t’ia hedhin.
Hyji do ta ndëshkojë secilin sipas fajit të vet;
kurrë nuk e lë pa drejtësi.
Më e keqja është kur njeriu ndëshkohet dhe prapë nuk e kupton pse,
nuk e kupton si, dhe përsërit të njëjtat gabime.
Reflektoni në heshtje.
Pyeteni veten: çfarë menduat për tjetrin, a nuk ju gjeti ju?
Për fatkeqësitë e situatat e vështira
do ta kuptoni një ditë shkakun e tyre.
Për veten tuaj, që të mos vuani më shumë,
sepse njerëzit e drejtë i ruan vetë Zoti.
Po kur u zhytët në vjedhje dhe sa herë flisni,
a nuk ju kujtohen të gjitha?
Dhe ja, vendi ynë pushoi së qeni popull i fortë,
sepse i kthyem shpinën Zotit për afro gjysmë shekulli.
Vini re pasojat: të rinjtë na kanë ikur,
të mirët nuk ngrihen sepse sjellja jonë nuk i lejon,
ndërsa të moshuarit numërojnë ditët dhe nuk e duan më as jetën e tyre.
A u janë këputur brirët,
a u janë thyer shpatullat?
Për këmbët e krahët mund të gjenden paterica,
por për zemrën dhe shpirtin, a mund të gjenden?
"Një ditë do të më bjerë ndër mend për ju,
dhe përsëri do ta bëj popullin tuaj të rilindë."
A ka mbetur njeri që t’i bashkojë të larguarit?
Vetëm njerëzit e Zotit mund t’i afrojnë të shpërndarët;
ata do t’ua ndriçojnë rrugën
nëpërmjet ëndrrave të bukura për vendlindjen.
Dhe papritur do të kërkojnë të kthehen në sofrën e tyre.
Edhe Shqipëria, si Babilonia,
është një vegël në duart e Zotit,
me të cilën Ai vepron sipas vullnetit të vet,
e jo sipas pretendimeve tona.
Zoti po ua ngatërron gjuhët ashu siç bëri me kullën e Babelit.
Enduni sa andej-këndej,
por në fund,
kur t’i jeni afruar skajit të shkatërrimit,
do ta kuptoni arsyen.
Do ta kuptoni pse-në.
Krenaria juaj është ndër më të mëdhatë mëkate;
tallen e përqeshen me ne edhe popujt më të vegjël.
Dritën po na e marrin, arin po na e zhdukin,
ndërsa ne, pa vetëdije, nuk e dimë se ku po shkojmë.
Vraponi drejt greminës sikur po ngjiteni lart.
"Jam vetëm unë, e tjetër këtu nuk ka."
Prandaj ju të urtë, mos u mburrni me urtësinë tuaj;
ju të ditur, mos u mburrni me dijen tuaj;
ju burra, mos e humbni burrërinë tuaj,
sepse mendjen jua kanë marrë idhujt dhe mashtrimet e kësaj bote.
Hapjani rrugën burimit që të rrjedhë lirshëm;
ta lidhim atë burim me vena e kapilarë të shumtë.
Mos e shteroni atë pikë uji,
sepse ajo do të na shërbejë për të ushqyer burime të tjera,
që të rrjedhin pandërprerë brez pas brezi.
Mos lejo, o Zot, që të bëhemi më të mjerë se ç'jemi,
që kundërshtarët të bëhen prijësit tanë
dhe armiqtë të gjejnë qetësi duke qeshur me rrënimin tonë.
Ruajuni barrës së rëndë që ia ngarkoni vetes
me fjalët dhe mendimet e zemrës suaj.
Mos thoni: "Zoti na ka ngarkuar me një barrë të rëndë"
ose: "Zoti na ka degdisur larg."
Zoti nuk jua shkurton ditët,
përkundrazi, përpiqet t'jua zgjasë sa më shumë.
Janë sjellja dhe veprat tuaja ato që i shkurtojnë ditët,
dhe kjo bëhet shkak rrëzimi për shumë njerëz.
Kur të vijë koha që të mendoni
se jeni shkatërruar plotësisht,
nuk do të jeni më vetvetja.
Do të jeni të dërmuar, të rraskapitur,
të dalë nga korniza juaj,
dhe hija juaj do të duket sikur vepron në vendin tuaj.
Atëherë njeriu bëhet si një objekt pa jetë,
si një dru i hedhur diku: as i drejtë,
as i shtrembër, as i thatë, as i njomë.
Dhe shpesh do të dëshironte të mos ndodhej në atë gjendje,
as në atë vend, as në atë kohë.
Mundohu sa të duash,
sepse jo gjithçka është në dorën tënde;
nuk mund të heqësh dorë, edhe po të duash.
Prandaj fillo ngadalë dhe lufto me armën tënde më të mprehtë.
Mos shiko më prapa;
as kokën mos e kthe.
Duaje të tashmen dhe puno për të ardhmen.
Për të tashmen na është shteruar fjala;
nuk kemi shumë për të treguar,
prandaj shpresën e kemi te e ardhmja.
Është një forcë tjetër që të shtyn të veprosh,
sepse gjërat do të shkojnë në vendin e tyre,
në një mënyrë apo në një tjetër.
Është ajo forcë misterioze dhe e padukshme
që po na shkund për sjelljet tona,
sepse shpesh as vetë nuk e dimë çfarë bëjmë.
Prandaj besoj, o Zot,
se lutja jonë do t'i çajë retë,
do të ngjitet lart deri aty ku duhet,
dhe do të arrijë para Teje.
Mos u largo prej nesh,
mos u mbulo me re e mos na kthe shpinën.
O Zot, po të lutemi,
ndihmoje popullin tonë.
Zbute zemërimin tënd,
gjeje një të denjë,
zgjidhe një të drejtë,
atë që Ti e njeh.
Le ta ketë fjalën fjalë dhe besën besë;
le ta lidhë Besën me Flamurin, siç bënë të parët tanë.
Që kushdo që merr një detyrë,
ta mbajë si amanet e jo si përfitim.
Që kushdo që betohet përpara popullit dhe Zotit,
ta ketë betimin të shenjtë, dorën mbi Librin e Shenjtë,
mbi Kuran ose Bibël,
dhe zemrën të lidhur me të vërtetën,
drejtësinë dhe dashurinë për Atdheun.
Atëherë fjala do të ketë peshë,
besa do të ketë nder,
dhe populli do të gjejë përsëri udhën e tij.
Amen.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Manushaqe Hoxha Laçi: Një vit shkollor ndryshe!
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
“Një verë magjike me librat”