Reflektim

Festën e librit e bënë fëmijët

“Në festën e sivjetshme të librit, spikatën veçanërisht librat për fëmijë. Duke folur me disa prindër, kuptova sa rëndësi kanë filluar t'u kushtojnë librave për vogëlushët e tyre. Biles, kishte prindër që u ndalën në panair për t'u blerë libra vetëm vogëlushëve”- nga Lediona Braho, Psikoterapiste.

“Panairi i Librit 2023” ishte një festë e vërtetë libri, ku si përvit, mijëra lexues hynë plot kërshëri për t'u njohur me tituj të rinj, për të kuvenduar për librin, për të takuar e marrë nënshkrime edhe nga autorët; e prej nga dolën plot me libra - ca duart e ca çantat - sipas dëshirës e mundësisë.  


Këtë vit, Panairi i Librit solli qindra tituj të rinj e lexuesit nuk dolën pa listën e tyre të leximit të fundvitit nga dhjetëra stendat e librave, që pritën lexues të zellshëm:  të rritur e fëmijë.


Në festën e sivjetshme të librit, që zgjati si ngahera, plot pesë ditë, nga rrezet e para deri në orët e vona – e të ftohta – të mbrëmjeve të nëntorit, spikatën veçanërisht librat për fëmijë.


Në letërsinë për fëmijë ka emra të mirënjohur që prej dekadash shkruajnë libra të mrekullueshëm e që lexuesit e vegjël i njohin dhe po rriten me shkrimet e tyre. Vargu i parë është ai i autorëve të dashur shqiptarë, që edhe këtë vit sollën libra e histori të mrekullueshme. Gjithaq, ka edhe plot e plot përkthime të autorëve të huaj që shkruajnë për fëmijët e që vijnë në një shqipe të pastër nga përkthyesit tanë të njohur.


Sivjet, edhe unë, kisha kënaqësinë të shkoja në panair me një titull për fëmijë, duke iu bashkuar vargut të autorëve shqiptarë për fëmijë, me pak ngurrim, po dhe guxim. Kësisoj, isha e pranishme më gjatë në Panair në stendën e shtëpisë botuese “Albas” aty ku libri im qëndronte krah titujve aq të dashur për fëmijë, te tavolina gjithë ngjyra ku gëlonin zërat e vogëlushave. Shihje parashkollorë, fëmijë të klasave fillore, por edhe më të rritur – të shoqëruar nga prindërit e tyre, nganjëherë edhe nga mësueset, që u shkëlqenin sytë kur shihnin librat e me vrap turreshin për të zgjedhur ata që do t'iu dukeshin më interesantë në shfletimet e para (sigurisht, të këshilluar edhe nga prindërit). Pak nga pak, çantat rëndoheshin nga librat shumëngjyrësh. Fëmijët largoheshin duke mbajtur në shpinë dhjetëra personazhe të dashur e histori të mrekullueshme, që mezi prisnin t'i lexonin.  


Përveçse te stenda jonë, në korridoret dhe stendat e panairit, në një vështrim të shpejtë shihje shumë fëmijë, disa prej të cilëve mund të ishin vizitorë për herë të parë në panairin e sivjetshëm. Zëra e buzëqeshje, habi e kërshëri, ngarendje nga një tryezë me libra te një tjetër, zgjatje duarsh e çelje sysh – fëmijë të vegjël, që nuk i kishin më shumë se tre a katër vjeç. Nëna e baballarë me karroca, me bebet e tyre disa muajshe, që përzgjidhnin libra për bebet e tyre apo blinin tituj që mund t'i lexojnë edhe pak më vonë teksa fëmija po rritet.


Duke folur me disa prindër, kuptova sa rëndësi kanë filluar t'u kushtojnë librave për vogëlushët e tyre. Biles, kishte prindër që u ndalën në panair për t'u blerë libra vetëm vogëlushëve, duke kaluar veten e tyre në plan të dytë (ndoshta jo edhe aq modeli ideal, që ne duam për lexuesit e vegjël, të cilët fillojnë ta dashurojnë leximin kur shohin prindërit e tyre tek lexojnë, por kjo mund të ketë vend për diskutim). Gjithsesi, e rëndësishme është që lexuesit e vegjël që erdhën në panair nuk ikën pa libra e kjo flet shumë!


Për fëmijët, libri nuk është vetëm një histori, një tregim apo një seri personazhesh të rinj, por është një dritare që hap para tyre horizonte të panjohura, që çel për sytë, mendjet dhe zemrat e tyre, botë të reja, karaktere, ngjarje, mësime, fantazi e ëndërrime. Fëmijët udhëtojnë në shtigjet e përrallave dhe të tregimeve duke brendësuar kuptime, vlera e fuqi; sidomos kur mësohen që të vegjël me librin, ta shfletojnë, ta prekin dhe ta përjetojnë, teksa qëndrojnë në prehërin e të rriturve, duke dëgjuar fjalë që bëhen fjali e fjali që bëhen rrëfime e dialogje.


Takimi me librin dhe magjinë e tij mund të jetë një shans i pazëvendësueshëm për t'u thënë fëmijëve sa shumë i duam, jo vetëm drejtpërdrejt përmes fjalëve “Të dua”, por përmes kohës, të qenit bashkë dhe pafundësisë së nuancave të fjalëve e mimikave që ju prindër do të shqiptoni e imitoni për ta, derisa ata të rriten e të lexojnë vetë.


Do na duheshin faqe të tëra për të treguar vlerat e leximit për fëmijët e vegjël, por meqë e nisëm nga panairi, le ta mbyllim me panairin. Unë besoj se ky ishte viti i librit për fëmijë. “Panairi i Librit 2023” e brohoriti me të madhe: Festa e librit ishte një festë e vërtetë libri për fëmijë, një festë për lexuesit më të vegjël të shoqërisë, që urojmë të vazhdojë sa më gjatë në vitet që do të vijnë.


Le të  shërbejë si një duartrokitje për të rriturit, sidomos për prindërit që zgjodhën panarin për t'u bërë dhuratat më kuptimplote e jetëgjata fëmijëve të tyre. Le të shërbejë edhe si një mesazh për të gjithë të rriturit, për të reflektuar për zgjedhjet e tyre këtë fundvit: nëse në këto zgjedhje(-dhuratash) nuk keni përfshirë librin, shtojeni sa më shpejt, se asnjë  “shportë dhuratash” nuk mund të jetë e plotë pa librin.

Nga Lediona Braho, Psikoterapiste

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

337 Lexime
4 muaj më parë