“Flatra për të sunduar qiellin e jetës...” nga Silvana Frashëri

“Flatra për të sunduar qiellin e jetës...” është shkrimi letrar i mësueses Silvana Frashëri, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Flatra për të sunduar qiellin e jetës...” është shkrimi letrar i mësueses Silvana Frashëri, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.


‘’Nëse dëshironi që lulja të lulëzojë sa më shpejt të jetë e mundur, nuk keni nevojë të zgjeroni me forcë petalet, por të krijoni kushtet në të cilat do të lulëzojë’’.(L. Tolstoy) 


Ky proverb u gjend krejt rastësisht në duart e mia në fillimet e punës sime dhe shërbeu si udhërrëfyes gjatë gjithë kësaj rruge 20-vjeçare si mësuese e arsimit fillor. Ndërkohë që e lexoja, natyrshëm mw lindi pyetja: 


- Cilat janë kushtet që duhet t’u krijoj këtyre luleve të vogla që përpiqen të lulëzojnë? 


Natyrshëm trokitnin përgjigjet në mendjen time: dashuria pa kushte, trajtimi në mënyrë të barabartë, gatishmëria me durim për të qenë aty, për t’i ndihmuar në çdo kohë në arritjet akademike dhe edukimin e tyre. 


Shumë momente të bukura, shumë momente të vështira janë krijuar gjatë këtyre viteve. Përgjigjet e kësaj pyetjeje më shoqëruan në çdo hap të këtyre momenteve. Duke menduar, nuk di se cilat momente të veçoj në shkrimin e këtyre kujtimeve. Duke menduar zgjodha të veçoj Shqiponjën. 


Kur hodhi hapin e parë, në klasën e parë, ajo vogëlushe u mboll si një lule shumë e brishtë. Shqiponja jetonte në një familje me shumë vështirësi ekonomike. Prindërit e saj kishin probleme të rënda shëndetësore. Veshja e saj, mënyra se si ushqehej, trishtimi që buronte nga syçkat e saj, i tregonin shumë qartë vështirësitë që e mundonin. Fiziku i saj ishte shumë i imët, lëvizjet e saj ishin të ngathëta, qëndronte shumë e ndrojtur dhe e veçuar nga të tjerët.


Fillimisht, fëmijët ngurronin të shoqëroheshin me të, sepse edhe ajo ngurronte. Pamja e saj e jashtme dhe sjelljet e saj, tregonin plogështi, për arsye të faktorëve që krijonin kushtet dhe vështirësitë, të cilat e rrethonin në jetën e saj. Askush prej familjes nuk mundi të interesohej gjatë 5 viteve shkollore që ne u përpoqëm të “fluturonim” së bashku. Të gjitha këto vështirësi më nxitën të ndjeja edhe më shumë përgjegjësi, ndjeshmëri, dhe të kushtoja edhe më tepër kujdes të veçantë për të. Në çdo ditë të re që trokiste në derën e klasës sonë, krijoja klimën e barazisë të secilës qenie aty brenda.


‘’Të ndryshëm, por të barabartë’’, ishte proverbi i vendosur në murin e klasës, duke udhëhequr ditët tona, si një frymëzim për të gjithë. Çdo qenieje aty brenda i dhurohej dashuri e ngrohtësi pa kushte, duke u shoqëruar njëkohësisht me kërkesën e vazhdueshme sistematike, të pandërprerë, në mbarëvajtjen e tyre mësimore-edukative. Shpërblimi prej tyre dhurohej me të njëjtën monedhë, duke më falur aq shumë dashuri, një dashuri të vërtetë, e cila buronte magjishëm si rreze prej syve të tyre të pafajshëm, që më vështronin aq ëmbël, që më prisnin me padurim tek porta e shkollës ndërsa nxitoja duke shkuar atje; dëshironin me padurim të kapërcenin edhe rrugën e të më përqafonin atje ku ndodhesha, gati të fluturonin, por nuk e bënin këtë, sepse ishte e rrezikshme të kalonin rrugën dhe këtë ua kisha ndaluar. Ndërsa shihja të gjitha vështrimet e ëmbla të atyre zogjve të ëmbël, sytë e mi ndalonin tek sytë larosh, gjithë dritë, me qepalla të tërhequra ku lodronin qerpikët e zinj, të gjatë e të harkuar të Shqiponjës. Me atë vështrimin e pafajshëm të saj, qëndronte e strukur pas turmës. Sapo ndiente vështrimin e ngrohtë dhe mbështetës që i dërgoja, kërcente e lumturuar sikur do të fluturonte. Arritjet e saj mësimore fillimisht nuk ishin në nivelin e duhur, por duke ndjerë nxitjen dhe stimulimin e vazhdueshëm që i kushtoja, ajo filloi të krijonte ambicie dhe të përmirësohej ditë pas dite. Ngurrimi i shoqeve dhe shokëve e njëkohësisht edhe i saj për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin, po largohej çdo ditë. 


Çdo ditë, plogështia e lëvizjeve të saj po largohej dhe ato u shndërruan në lëvizje shumë të shkathëta. 

Ishte e para që aktivizohej shkëlqyeshëm në lojërat që organizonim, apo në punët që kryenim në klasë, duke kërkuar e para të ndihmonte në sistemimin dhe higjienën e mjedisit të klasës. Tashmë, ajo nuk ishte më një “zog” i vogël, i strukur, i harruar, por po fillonte të krijonte flatrat e saj për fluturim në këtë hapësirë qiellore të paparashikueshme të jetës. Rezultatet e saj mësimore përmirësoheshin shumë dhe vetëbesimi, vetëvlerësimi, e karakteri i saj forcoheshin si i një shqiponje të vërtetë.


Ndërsa fluturoja midis shumë kujtimeve, papritur e ndal fluturimin në një moment shumë të bukur dhe gazmor. Shqiponja e vogël ishte ende në klasën e dytë dhe pa ndrojtje kërkoi leje të pyeste:

- Ju lutem mësuese, jam tepër kureshtare të di përgjigjen e dy pyetjeve: Përse ne nuk rrëzohemi nga Toka mësuese, meqenëse ajo është si një sferë?! Në një sferë nuk mund të qëndrosh dot! Dhe përse nuk e ndjejmë Tokën kur ajo rrotullohet, përse nuk na merren mendtë?! Mua më merren shumë mendtë, sa herë që rrotullohem kur luaj. Më duhet kohë ta marr veten pastaj!


Buzëqesha me shumë kënaqësi. Ndjeva shumë kënaqësi për lirshmërinë e pyetjeve të saj, analizën logjike të tyre dhe vëmendjen me të cilën dëgjonte përgjigjet.


Midis pusullave që fëmijët herë pas here më surprizonin duke më falënderuar dhe shprehur dashurinë e tyre, më godiste zemrën pusulla e saj, e cila ndoshta ishte shumë e thjeshtë dhe me korrigjime, nuk dallonte aq e zbukuruar me shkrimin, ngjyrat e figurat aq të bukura sa të tjerat, por fjalët e ngrohta aty brenda buronin si një magji e veçantë. Ajo zemër e vogël e fshehur aty brenda, trokiste shumë ëmbël, shumë lehtë dhe shumë fort njëkohësisht në zemrën dhe shpirtin tim.


Vitet fluturuan shumë shpejt bashkë me ne, nëpërmjet flatrave që mundëm të krijonim. Papritur u gjendëm në përfundim të klasës së pestë. Duhet të ndaheshim e të vazhdonim të tjera fluturime.


 A e kisha realizuar detyrën time? A kisha mundur të krijoja kushtet e duhura për këto lule të vogla? 


Tek vështroja fëmijët, mundohesha të zbuloja përgjigjen e këtyre pyetjeve. Të fluturonte zemra si një shqiponjë, kur i shihje fëmijët aq të lumtur e të zhdërvjellët, aq sistematikë dhe cilësorë në arritjet e tyre arsimore, aq të ëmbël me sjelljen dhe edukatën që reflektonin dhe midis tyre shumë e fortë qëndronte Shqiponja. 


Sot, kanë fluturuar shumë vite të tjerë prej atëherë. Në heshtje lumturohem kur shoh dhe dëgjoj për arritjet e saj në universitet. Ajo është një Shqiponjë e rritur tani, gati për të sunduar qiellin e jetës së saj...




Silvana Frashëri


Silvana Frashëri ka lindur më 2 gusht të vitit 1978 në Lushnjë. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, arsimin e lartë e ndoqi në Universitetin ‘’Aleksandër Xhuvani’’, Fakulteti Cikli i Ulët, në Elbasan. Aktualisht jeton në Berat. Punon si mësuese e arsimit fillor. Dashuria për letërsinë ka lindur me të që në fëmijëri, me vjershat dhe krijimet e para, të cilat shpesh i dërgonte në programet për fëmijë që transmetoheshin në radio. Në moshën 12-vjeçare, ka shkruar një novelë për fëmijë; në moshën 16-vjeçare një roman dhe në vazhdim një vëllim me poezi, të cilat nuk është krijuar mundësia të botohen. Publikimi i parë ka qenë artikulli në revistën:  ‘’Ballkan Journal of Interdisciplinary Research’’, Vol.2, No. 3, January 2017 me temë:  ‘’Edukimi i fëmijëve: punë, mjeshtëri, dashuri...’’, me bashkautore Manjola Xhepi.  Letërsia për të është një ëndërr e mrekullueshme fshehur në sirtar, e cila pret me padurim realizimin e saj...


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,342 Lexime
9 muaj më parë