Shfaqje në TKOB

Hektor Budlla vjen në Tiranë me “Don Quixote de la Mancha”

“Don Quixote de la Mancha” do të shfaqet me pjesëmarrjen e balerinit shqiptar të talentuar Hektor Budlla me koreografi të Eugenio Scigliano. Kostumet janë përgatitur nga Kristopher Millar dhe Lois Swandale

“Një Don Kishot, një trupë italiane, një skenë kombëtare, dhe një protagonist shqiptar, balerini Hektor Budla...”, kështu nis lajmërimi i Institutit Italian të Kulturës për shfaqjen “Don Quixote de la Mancha” që do të ngjitet më 5 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Dhe jo pa arsye. 

Ardhja e Hektor Budllës nga Roma në Tiranë është “një aventurë” humaniste. Të ardhurat nga shitja e biletave do t’i dhurohen Shkollës së Baletit në Tiranë, si bursë studimi për nxënësit që vijnë nga zonat periferike të Shqipërisë.

Premiera e baletit vjen për herë të parë në Shqipëri dhe vetëm për një ditë me kontributin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

“Don Quixote de la Mancha” do të shfaqet me pjesëmarrjen e balerinit shqiptar të talentuar Hektor Budlla me koreografi të Eugenio Scigliano. Kostumet janë përgatitur ngaKristopher Millar dhe Lois Sëandale.

Kush është Hektor Budlla?

Hektor Buddla u lind në Tiranë (Shqipëri) në vitin 1982. Ka ndjekur kursin e studimeve të vallëzimit klasik dhe është diplomuar në Shkollën e Baletit të Tiranës në vitin 2001.

Kritikët e artit prej kohësh i kanë  vënë në dukje aftësitë interpretative të Budllës në "Arrëthyesi" të Çajkovskit, Budlla me rolin e Princit veçohet nga kritika si ai që "rri mbi të tjerët për aftësinë teknike dhe shprehëse." Ndërsa për rolin e Sanços në "Don Kishoti", kritika e ka cilësuar interpretimin e tij "të paharrueshëm".

Budlla nuk është ivetmi shqiptar në Baletin e Romës. Për disa vite rresht krah tij ka qenë balerin solist edhe Leart Duraku ndërsa tani, përveç Budllës, pjesë e kompanisë është edhe Bernard Shehu.  Hektori e zbuloi baletin ndërsa kërcente me të ëmën në një dasmë shqiptare, ku dikush i mahnitur nga hirësia e valles së këtij vogëlushi i tha të regjistrohej në shkollën e Baletit. Kështu Hektor Budlla u regjistrua në shkollën e Baletit të Tiranës dhe prej andej nisi rrugëtimi i tij i shkëlqyer në botën e artit.

Pasi mbaroishkollën, 18-vjeçari Budlla la Tiranën për të studiuar balet në DAMS-in e Bolonjës. Shkoi me një bursë për të mësuar baletin bashkëkohor dhe që 18 vjeç ai menjëherë u ngjit në skenat më prestigjioze italiane. Që atëherë vazhdon të punojë në një nga kompanitë më në zë të Italisë "Balletto di Roma",  ku gjithmonë ka pasur role kryesore në kryeveprat e baletit botëror.

Hektor Budlla ka fituar Çmimin e Parë në Konkursin Dance Meeting me passo a due me“Arrëthyesin”. Ka ndjekur kursin e perfeksionimit në Qendrën e Dancit –Aterballetto të drejtuar, në atë kohë nga M. Bigonzetti, duke vallëzuar me koreografi të Loris Petrillo, L’incantatore, prezantuar në Teatrin Komunal të Modena-s në prill 2002. Nga maji 2002 deri 2008 ka interpretuar në Baletin e Romës. Ka hyrë në Aterballetto në gusht të vitit 2008. Në vitin 2014 ka krijuar për Aterballetto "Revolution", në vitin 2015 "Nordest 4119” .

(Nga Dhurata Hamzai, Shqiptarja.com)

1,956 Lexime
8 vjet më parë