Letër vetes time 35 vjeç
Rogers Veizi, nxënës i klasës XII-të, i ka shkruar një letër vetes së tij. Është një bashkëbisedim mes Rogersit 17-vjeçar dhe Rogersit 35-vjeçar! Lexojeni, do të befasoheni!
10.11.2016
I dashur Rogers,
Kanë kaluar plot 18 vite dhe kjo letër tani ka mbërritur tek ty. Në fund të fundit, dihej që një ditë do ta merrje sepse koha evolon, çdo gjë e ka një fillim dhe një fund. Kështu, kjo letër mbërriti në destinacionin e saj përfundimtar:17.02.2034! Koha ka ndryshuar, të përbashkëtat midis nesh po ndalojnë së ekzistuari e hendeku i ndryshimeve po rritet gjithnjë e më tepër.
Ne jemi ndryshe: Unë jam një 17-vjeçar i cili thur çdo ditë ëndrra e është i mbushur plot ambicie e synime. Ty ambicia nuk të mungon, por ajo nuk është në të njëjtat nivele me timen sepse ti tani ke një punë, një familje të re, një grua, fëmijët e tu, një makinë, një shtëpi të re, një llogari bankare etj. Ti je duke jetuar në planet dhe ambiciet që unë jam duke i krijuar!
Ndoshta ti mendon se je duke kaluar një jetë të qetë, pa stres dhe shqetësime, por e ke gabim! Jam unë ai që po e jeton ketë jetë të qetë. I vetmi preokupim i mirëfilltë i imi është shkolla. Mua nuk më shqetëson buxheti familjar, të paktën jo aq sa ti. Unë nuk kam përse të punoj për të tjerët, madje as për veten time. Unë dal me shoqërinë pa pasur nevojë për t’i studiuar mirë ato persona që mbaj afër vetes, bëj qejf, bëj gabime pa u përballur me pasojat, unë bëj gjithçka që dua të bëj. Megjithatë jeta jote është e bukur, ndoshta edhe më e bukur se e imja.
Ti je i suksesshëm në punën tënde, në familjen tënde e në shoqërinë tënde.Ti ke një temperament më të përmbajtur sesa unë. Ti je i rrethuar nga lëvdatat. Të gjitha këto mund të të lumturojnë pafundësisht sepse ti po e kthen çdo synim tëndin në realitet. Ti je perfekt në realitetin tënd, por kurrë mos e harro, ti je krijimi i një ëndërrimtari!
Rogers Veizi, klasa: XII, nxënës i shkollës “Nikola Koperniku” në Elbasan
Poezi atdhetare për fëmijë nga mësuesja Vera Ujka
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor