Letisia Milori, fituesja e vendit të parë në Olimpiadën e Biologjisë, rrëfen rrugëtimin drejt suksesit dhe pasionin për shkencën

Letisia Milori, nxënëse e klasës së 10-të, fituese e vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare të Biologjisë, rrëfen rrugëtimin e saj mes pasionit, disiplinës dhe sfidave. Një histori suksesi që frymëzon të rinjtë drejt dijes dhe shkencës.

Në një kohë kur suksesi në shkencë kërkon jo vetëm talent, por mbi të gjitha përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje, nxënësja Letisia Milori, klasa e 10-të, shkolla "Ismail Qemali" Tiranë, ka arritur të ngjitet në majat e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë, duke u shpallur fituese e vendit të parë. Një rrugëtim i mbushur me orë të gjata studimi, sfida personale dhe mbështetje të çmuar nga familja dhe mësuesit, e ka çuar atë drejt një suksesi që frymëzon bashkëmoshatarët dhe vë në pah potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve shqiptarë në fushën e shkencës.


Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Letisia ndan me sinqeritet përjetimet e saj, momentet e vështira, motivimin e brendshëm dhe dashurinë për biologjinë, e cila, siç tregon ajo, është rritur natyrshëm dhe është ushqyer nga figura të rëndësishme në jetën e saj. Përtej medaljes dhe vendit të parë, ajo rrëfen edhe transformimin personal që ka sjellë ky rrugëtim, duke e bërë më të sigurt, më të disiplinuar dhe më të vendosur për të ardhmen.


Një bisedë që shkon përtej rezultateve dhe kthehet në një histori frymëzuese për çdo të ri që beson se suksesi ndërtohet hap pas hapi, me durim dhe pasion për dijen.


Intervistoi: Kaltra Tafani 



Së pari, urime për këtë arritje, Letisia! Si u ndjeve në momentin që mësove se kishe fituar vendin e parë në Olimpiadën e Biologjisë?


Faleminderit shumë! Ishte një moment vërtet i veçantë për mua. Në fillim e pata pak të vështirë ta besoja, sepse konkurrenca ishte e fortë dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin shumë të përgatitur. Ndjeva lumturi të madhe, krenari për veten, por edhe mirënjohje për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.



Çfarë të ka tërhequr më shumë drejt biologjisë? Ka qenë gjithmonë pasioni yt apo lindi gjatë rrugës?


Interesi im për biologjinë ka qenë i pranishëm që herët, por u kultivua gjatë viteve të shkollës dhe nga prania e nënës sime, e cila është biologe, duke e rritur pasionin tim për biologjinë.



Si dukej një ditë e zakonshme studimi gjatë përgatitjeve për olimpiadën?


Gjatë përgatitjeve, dita ime ishte mjaft e strukturuar. Pas shkollës, i dedikoja disa orë studimit të biologjisë, duke u fokusuar si në teori, ashtu edhe në ushtrime praktike dhe analiza pyetjesh nga olimpiadat e mëparshme. Mundohem gjithmonë të mos mësoj vetëm përmendësh, por të kuptoj logjikën pas çdo koncepti.



Cilat kanë qenë sfidat më të vështira që ke hasur gjatë këtij rrugëtimi dhe si ia dole t’i kapërcesh?


Një nga sfidat kryesore ka qenë menaxhimi i kohës, sidomos duke balancuar kërkesat e shkollës me përgatitjet intensive për olimpiadën. Ka pasur edhe tema që kanë qenë më të vështira për t’u përvetësuar dhe që kanë kërkuar më shumë kohë dhe durim. Për t’i kapërcyer këto vështirësi, jam përpjekur të jem e organizuar dhe të mos heq dorë.



A ka pasur momente kur je ndjerë e lodhur apo e demotivuar? Nëse, çfarë të ka shtyrë më konkretisht të mos dorëzohesh?


Po, sigurisht që ka pasur momente të tilla, sidomos në periudhat kur ngarkesa ishte më e madhe. Në ato raste, mundohem të rikujtoj arsyen pse e kam nisur këtë rrugë dhe objektivat që i kam vendosur vetes. Gjithashtu, mbështetja e familjes dhe inkurajimi nga mësuesit kanë qenë shumë të rëndësishme për të mos humbur motivimin.



Pra familja dhe mësuesit kanë qenë njerëzit që të kanë mbështetur më shumë në këtë rrugë, por si, cili ka qenë roli i tyre? Mund të na thuash se cili/cila mësues/mësuese për shembull ka ndikuar veçanërisht në suksesin tënd?


Familja ime ka qenë mbështetja ime më e madhe, duke më dhënë kurajë në çdo hap. Po ashtu, mësuesit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe duke më motivuar dhe duke besuar në aftësitë e mia. Po, mësuesja ime e biologjisë, Mirela Bega, ka ndikuar shumë në formimin tim. Ajo më ka nxitur të mendoj në mënyrë kritike dhe të thellohem më shumë në njohuri. Më ka ndihmuar të kuptoj se të mësuarit nuk është thjesht memorizim, por një proces aktiv dhe kërkues.



Si e menaxhon balancën mes shkollës, përgatitjeve intensive dhe jetës së përditshme?


Balancimi i të gjitha këtyre nuk është gjithmonë i lehtë dhe ka pasur periudha kur njëra ka marrë më shumë vëmendje se tjetra. Megjithatë, përpiqem të vendos prioritete të qarta dhe të organizoj ditën në mënyrë që të shfrytëzoj kohën sa më mirë. Mundohem të jem e përqendruar gjatë studimit, në mënyrë që të kem më pas edhe momente për veten, për të pushuar apo për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë.



Çfarë do t’u këshilloje bashkëmoshatarëve që duan të ndjekin të njëjtën rrugë në shkencë?


Do t’u këshilloja të jenë këmbëngulës dhe të mos demoralizohen nga vështirësitë. Është e rëndësishme të kenë kuriozitet dhe dëshirë për të mësuar vazhdimisht. Gjithashtu, të mos kenë frikë të bëjnë gabime, sepse ato janë pjesë e procesit të të nxënit.



Si e sheh veten në të ardhmen? A ka biologjia një vend të rëndësishëm në planet e tua?


Jam e sigurt që në të ardhmen do të ndjek studimet në degën e mjekësisë, pasi është një fushë që lidhet ngushtë me pasionin tim për biologjinë dhe dëshirën për të ndihmuar të tjerët.



Tëectë mbarë atëherë! Ndërkohë, përtej rezultateve, çfarë ka ndryshuar tek ti ky rrugëtim, Letisia?


Ky rrugëtim më ka ndihmuar të zhvilloj disiplinën, durimin dhe aftësinë për të menaxhuar më mirë kohën. Gjithashtu, më ka bërë më të sigurt në vetvete dhe më ka mësuar të përballem me sfidat me një qëndrim pozitiv.



Në fund, nëse do ta përmblidhje suksesin tënd me një fjali të shkurtër, cila do të ishte?


Të mësosh është si të ndjekësh horizontin: sa më shumë afrohesh, aq më shumë ai hapet.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

133 Lexime
4 orë më parë