Poezi

“Marshi i pseudodijetarëve”

Poezia e mëposhtme është një poezi kritike kundër keqpërdorimit të gjuhës shqipe. Autorja Albana Toçka e ka shkruar në kuadër të 50-vjetorit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Ndërkaq ju kujtojmë se në Portalin Shkollor kemi hapësirë edhe për krijimet tuaja të dashur mësues dhe prindër. Mund të na i dërgoni.

Marshi i pseudodijetarëve 


Jemi bërë politikanë,

Dijetarë e sharlatanë.

Pa u bëmë dhe komitë,

Kombin ta nxjerrim në dritë. 


Jemi profesorë me shkollë,

Me doktoraturë doktorë.

Gjuhën shqipe ta nderojmë,

Me fjalor të huaj ta pasurojmë. 


Se ikën kohërat e lashta,

Kur shkruhej gjuha nëpër kashtra.

Tani kemi dhe gazetarë,

Shumë të zotë gjuhëtarë.


Kemi mësues e inxhinierë,

Që nuk na lënë në skëterrë.

Të gjitha do t'i përmbysim,

Nga e para po ia nisim. 


Dhe u mblodhëm anembanë,

Dijetarë e sharlatanë. 

Me fjalime e  konferenca,

Me fjalorë pa kompetenca. 


Shkruam fjalë pa studiuar,

Trashëgiminë pa lexuar.

Secili mbi shokë m'i ditur

Me gjuhë moderne e të ndritur. 


Vjen një brez e tjetri shkon,

Pa studiuar shkencë boton.

E shndërruam gjuhën fare

Shkruam secili abetare. 


Tekste, vargje e folklor

Te gjitha i bëmë therror. 

Veç një gjë s'e llogaritëm;

Fikëm dijen,

Ndezëm frikën...! 



Fjalor

(Kashtra=këtu papiruse)



Nga Albana Toçka 

 © Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,240 Lexime
1 vit më parë