Mbi përmbledhjen me tregime “Pesë vdekje” të Antonio Çikollarit
Review nga Anxhela Pashaj për përmbledhjen me tregime “Pesë vdekje” të Antonio Çikollarit. Përmes personazheve si Bufi dhe Maria, autorja ndalet te ankthi, vetmia dhe kriza shpirtërore e njeriut bashkëkohor, duke zbuluar përplasjen mes realitetit, imagjinatës dhe frikës së përhershme nga vdekja.
Nga: Anxhela Pashaj
"Pesë vdekje" është një përmbledhje me tregime nga autori i ri, Antonio Çikollari ku në qendër të tyre qëndron zvetënimi shpirtëror dhe intelektual i njeriut të ri të bashkëkohësisë, si dhe frika e kahershme prej vdekjes.
Në këto tregime rrëfehet mbi njeriun e ditëve të sotme, mbi paranojat dhe shqetësimet e tij, të cilat i kushtëzojnë të jetuarit i lirë dhe pa vramendje. Përmbledhja hapet me tregimin "Bufi", ku rrëfehet për një burrë të mbyllur diku, në një hapësirë që na nënkuptohet të jetë një spital psikiatrik.
“Muret janë ngjyrë gri, por të gjithë më thonë se janë të kuq dhe jeshil. Nuk e kuptoj pse tallen me mua. Dyshemeja është bezhë, jo me pllaka qeramike.”
Në një hapësirë të tillë, të paqëndrueshme gjendet Bufi, të cilin lexuesi e sheh të vështirë t’i besojë rrëfimit dhe gjykimit të tij, hapet një botë të re, ku jeta e tij duket më e gjallë, më e bukur. Shpresa nis e gjallon në kokën e tij të infektuar.
“Më i bukur është korridori. I gjithi i bardhë. Por unë e ngjyrosa. E mbusha me ngjyra dhe me të vetmen të bardhë që më ngeli, bëra retë.”
Në këtë botë të re, të ngjyrosur sipas dëshirës së tij me tinguj dhe njerëz të lumtur, mendja e tij krijon një partnere, një grua me të cilën Bufi i gjorë mahnitet. Aty, së bashku me të tjerët e paqenë ai gëzon e dashuron derisa për fatin e tij të zi ajo nis të zbehet, të fshihet. Sanitari i kërkon që të fshijë muret. Aty nis të përmbyset gjithë bota e tij. Po në këtë moment Bufi i konfirmon lexuesit se ai është në një spital psikiatrik ku e mbajnë në mbikqyrje.
“Më pas më sollën për të ngrënë, e më pas më dhanë të pija disa kokrra të bardha të madhësive të ndryshme. Sigurisht që nuk i piva. Kur pyeta dikë nga të shumtët se përse ishin këto, m’u përgjigj se ishin për të më shëruar.”
Mosbindja e tij për të mos marrë trajtimin mjekësor i lejon Bufit të jetojë në një botë të vetën, po e njëjta mosbindje e rrënon mendjen e tij duke e bërë të paaftë të ndajë realitetet. Kur e kuptojnë se kryengritja e tij ka shkuar shumë larg, nisin trajtime më të rrepta.
Është një tregim, i cili të sjell në mend një pasazh nga romani “Mjeshtri dhe Margarita” i Bullgakovit, ku Ivani, poeti i cili pasi ka parë mikun e tij të vdes në shinat e trenit e mbyllin në psikiatri se dëshmon që djalli është i vërtetë dhe po i mbyllur në atë hapësirë ai vazhdon të mbajë të njëjtën bindje duke i kushtuar kjo shumë shtrenjtë.
E njëjta gjë edhe me Bufin, i cili i bindur se nuk është i sëmurë, se të tjerët janë ca të pagdhendur që flasin kot, pasi e ka ‘torturuar veten’ dhe pasi kanë ushtruar presion mbi të humbet kontrollin ndaj qenies së tij dhe bie në gjumë, në terr të plotë. Një çmim ky, tepër i lartë për t’u paguar.
Rrëfimtari e nis rrëfimtarinë e tij duke vënë në qendër një personazh që nuk është i aftë të dallojë realitetin ku gjendet, ose më saktë ta pranojë atë dhe po me një personazh të këtillë mbyllet gjithë cikli i rrëfimeve. Në fillim një burrë, Bufi e në fund një grua, Maria.
Në tregimin e fundit, ku shfaqet gruaja, Maria, e cila ka vdekur dhe vetëm pas një jave vetëdijesohet mbi gjendjen e saj fizike e biologjike njeriu kalon nga bota e gjallë, e prekshme në kahun tjetër, atë të shpirtërores, të panjohurës, të hijeve.
Rrëfimi për Marinë duket se gërsheton dy besime të njerëzimit, atë të vjetrin fare, paganizmin dhe të riun dymijë e ca vjeçarë, i cili mëshirohet në emrin e Marisë. Maria me të bardha sillet midis të vdekurve dhe të gjallëve, pa patur mundësinë t’i bashkohet qoftë njërës apo tjetrës palë, pa folur me askënd, pa gjuhë. Sipas besimeve pagane disa shpirtra, të vdekur, në tokën e hijeve nuk zotërojnë as gjuhë, as sy e as vesh, po ashtu disa të vdekur, ndaj trupave të të cilëve nuk janë kryer nderimet dhe ritet e duhura të varrimit (ose të mbetur pa varrosur) enden pafundësisht mes dy botëve pa patur mundësinë të gjejnë paqe. Duke ndjekur rrëfimin e rrëfimtarit tonë, Maria është padyshim viktimë e një lufte. Në kohë lufte, kur humbjet njerëzore janë vetëm “collateral damage” shumica e tyre, e të vdekurve të gjetur kanë një varr të përbashkët, ku nuk respektohet asnjë rit varrimi pagan a të ndonjë feje monoteiste.
Përtej çështjes së varrimit, në tregimin e Marisë lexuesi ndjen tronditjen, traumën e gruas së vetmuar, pa njeri që është bërë viktimë e një lufte. Aq e shokuar, e tronditur ka qenë e gjora Maria sa nuk ka patur mundësinë të kuptojë se vdekja e ka përqafuar me velin e saj të mosekzistencës më në këtë dhe. Endja e saj nëpër lagje është një shenjë hutimi dhe rrekje për të kuptuar ndodhitë që kanë prekur botën dhe qenien e saj. Ç’ka intrigon lexuesin është se si arriti Maria të kuptonte se kishte vdekur. A mos vallë, pas gjashtë ditësh Maria u përpoq t’i fliste dikujt? Apo, mos vallë gjeti trupin e saj të gjymtuar diku në ndonjë rrugicë?
Bufi dhe Maria janë dy nga shumë personazhet e përmbledhjes me tregime “Pesë vdekje”. Personazhe si këta të dy janë të shumtë, të cilët gjenden në midis, konfuz, të humbur, të çuditshëm herë dostojevskian, herë kafkian e herë të tjera si të Kamysë, megjithatë ruajnë shpirtin e njeriut të ri të bashkëkohësisë. Njeriu që nuk di çfarë do, nuk di të dashurojë, të jetojë, të përshtatet me qenësinë e tij. Njeriu që rrallë i provon limitet e tij në botën reale, por që i shtyn pafundësisht në atë imagjinare. Njeriu që gjykon të ketë lindur në kohën e gabuar, por që në fakt ky njeri në një kohë tjetër as që do t'i dilte të frymonte tre ditë.
Rrëfimet bëhen me një gjuhë të thjeshtë, pa figuracione të shumta me fjali të shkurtra ku herë pas herë shfaqen nota ironie. Ka një lëvizje të rrëfimeve nga e tanishmja në të shkuarën, fëmijërinë, te kujtimet e mbetura në një kënd të errët të trurit. Madje, ka një tregim mbresëlënës se si kujtimet e mbyllura në terr ngacmohen nga një insekt që futet në kafkën e njeriut dhe i shkaktojnë vdekjen njeriut që i mbart.
"Neuronet shndritnin si më shumë. Truri ishte vënë në kërkim të atyre kujtimeve. Më pas pamja u turbullua. Dukej sikur tjetrit po i pikonin lot."
Njeriu i sjellë në tregimet e Çikollarit është një qënie që në dukje hedh hapa galopant drejt jetës dhe mundësive, por që në brendësi, në mendje dhe në shpirt ka ngecur në një fragment të jetës së tij. Një qenie që e vret çdo ditë mendimi i vet. Një qënie e ngecur në labirintin e kotësisë së përditshmërisë. Një qenie që ngacmon lexuesin, që e afron, e josh e në fund e tremb me mizorinë dhe përçudninë që gjendet te të dy.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
"Adem Jashari" dhe "Kosova Republikë" – poezi atdhedashurie nga mësuesja Manushaqe Hoxha Laçi
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
21 marsi, Dita Botërore e Poezisë