"Adem Jashari" dhe "Kosova Republikë" – poezi atdhedashurie nga mësuesja Manushaqe Hoxha Laçi

Dy poezi me frymëzim të thellë atdhedashurie nga Manushaqe Hoxha Laçi, mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has, që përmes figurës së Adem Jashari dhe simbolikës së Kosovës Republikë, ngre një himn poetik për sakrificën, lirinë dhe qëndresën e një kombi.


Adem Jashari - zëri i lirisë


Në zemër të Prekazit, ku gjaku i shqipes flet,

Një trim u ngrit për të mbrojtur vendin e vet.


Adem Jashari, ky emër që u skalit në gur,

U gdhend në zemrat e brezave e në flamur.


Një zjarr që me rrufe goditi padrejtësinë,

Flakë që s'u shua se zemra i rrahu për lirinë.


Nuk luftoi për famë, as për kurorë me ar,

Derdhi gjakun për atdhe, për flamurin kosovar.


Mbetet frymëzim i përjetshëm, simbol lavdie,

U ngrit legjendë mbi vdekjen, shkroi kapitull historie.


Kudo ku ka zemra shpiponje që rrahin për liri,

Rri i pathyeshëm, i përjetshëm, kujtimi i tij.


Sot me zërin e Ademit flasin malet përqark,

Fushat këndojnë himnin që mbolli me gjak.


Heronjtë nderohen në gjithë botën mbarë,

Ne krenohemi me ta se janë bij shqipëtarë.



Kosova Republikë


Në shkëmbinj të lashtë 

u gdhend emri yt,

me gjak, 

me lot, 

me vuajtje.


Tokë që s’u përkul, 

kur dhimbja u bë ligj

dhe hije mbi pragje shtëpish.


Kosovë, 

ti s’je vetëm një kufi në hartë.

Je

betim në buzë, 

zë në heshtje,

frymë që ringjallet pas çdo rënieje.


Në agun e thyer të historisë

u zgjove si plagë që flet.


Të lanë lumenjtë e gjakut dhe lotit,

të rriti forca me rrënjë në shekuj

që s’u këputën nga asnjë stuhi. 


Kosovë, 

emri yt është psalm 

në gojë të përjetësisë,

është diell 

që nuk kërkon leje

për të rilindur.


Republikë, s’të shpalli askush:

u shpalle 

se qëndrove e pagjunjëzuar,

ndonëse e copëzuar.


Dhe sot rreh në ty

një zemër e lashtë,

që e di

se liria nuk kërkohet,

por fitohet.


Ti nuk erdhe

me protokoll

as me fjalime të bukura.


Erdhe

me këmbë e duar të dërrmuara,

me gjunjë të gjakosura

dhe shpinë të kërrusur.


Nga hiri u ringrite

moj Kosova ime!


Trupi yt është hartë dhimbjeje,

shpirtin e ke flamur me lavdi.


Kosovë,

emri që u skalit në çdo zemër,

që s’u shkruajt kurrë në thonjëza,

fjala që s’u mbyll kurrë në kllapa,

pika në fund të një fjalie

që u shkrua me shkronja dhimbjeje,

me kuptim të madh lirie.


O vendlindja e shqiponjave!

Ti ecën kryelartë

jo se është e lehtë,

por të dorëzohesh

nuk e ke në deje.


Kosova Republikë, 

emër dhe tokë e shenjtë,

liri që do të rrojë përjetë, 

se me gjak u pagua shtrenjtë.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

419 Lexime
12 orë më parë