Reflektim

Mbresa nga një festë Abetareje në Kukës

“Shqipëria behet, bëhet nga mësues që punojnë plot pasion për të përcjellë dijen te brezat, bëhet nga prindër që mbështesin dhe bashkëpunojnë për arsimimin dhe edukimin e brezave, bëhet nga njerëz të çdo moshe që i sjellin ëndrrat e tyre në vendlindje dhe në trojet e të parëve”.

Mbresa nga një festë Abetreje në Kukës

                    Shqipëria bëhet


Shkruar nga:

Majlinda Dika, ish-pedagogjikase 1989-1993

Kalosh Përzhilla, ish-pedagogjikas 1989-1993

Violeta Kola, mësuesja kujdestare e klasës pedagogjike 1989-1993



Një ftesë për një festë Abetareje që organizonte bashkënxënësja Manushaqe Muça Meshi, pedagogjikase e maturës 1989-1993, Peshkopi, ishte arsyeja që ne udhëtuam për në Kukës. Mbase pak e çuditshme për çdokënd. 


Për t’u treguar të sinqertë, nuk është se prisnim ndonjë surprizë dhe nuk shkuam në Kukës për festën e Abetares, por për të respektuar ftesën e shoqes, dëshirën e saj për të na pasur pranë. 

Kishim shumë vite pa shkelur në Kukës dhe në mendjen tonë qyteti kishte mbetur si atëherë - qytet pa investime, qytet pa të shkuar (sepse u përmbyt), qytet që të trishtonte me varfërinë e tij që endej rrugëve e në çdo cep. 

Nga mediat kishim dëgjuar edhe që ishte zbrazur, ishte braktisur nga banorët e tij.


Natyrisht që përshtypjet tona ndryshuar kur mbërritëm atje. Më së shumti u befasuam kur mësuese Manushaqja na tregoi se në shkollën e tyre kishte dy klasa të para, me gjithsej 56 nxënës. 

Ne shprehëm habinë tonë për këtë fakt. 


Si ishte e mundur që kjo shkollë, në dukje jo shumë e madhe, kishte dy klasa të para, ndërkohë që Kukësi ishte zbrazur nga banorët?! Manushaqja i quante pak dy klasa në shkollën e saj, sepse, ndërkohë, siç na tha ajo, në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” kishte 4 klasa të para dhe në Kukës janë 5 shkolla 9-vjeçare, pra kishte shumë e më shumë nxënës në klasën e parë në këtë qytet. Krijuam mendimin se qyteti nuk po zbrazej, por po mbushej. Numri i rritur i nxënësve të klasës së parë këtë tregonte.


Kukësi vazhdoi të na befasonte edhe kur u futëm në brendësi të tij, me infrastrukturën rrugore të përmirësuar, me gjelbërimin dhe ndërtimet, me gjithë investimet që ishin bërë e vazhdonin të bëheshin. 


Dukej një qytet i rinuar, sidomos kur e vështroje nga kati i shtatë i një bar-restorantit të njohur. Qytet i zhytur në gjelbërimin e maleve dhe kodrave që e rrethonin nga të gjitha anët, i flladitur nga liqeni i bukur i mbushur plot në këtë pranverë, një qytet i mbushur me zëra fëmijësh, me jetë.


Befasia u shtua kur arritëm në shkollën “Riza Spahiu”, ku ishte festa e Abetares. Të gjitha dritaret e klasave dhe korridoreve ishin mbushur plot lule shumëngjyrëshe. Kaq shumë lule të zhvilluara, të mirëmbajtura, asnjë prej tyre e dëmtuar, në një shkollë me 453 nxënës. Fliste shumë ky mjedis shkollor për kujdesin dhe kulturën e fëmijëve dhe të mësuesve të shkollës. Një orë e madhe dhe një mjellmë e bukur të bërë me goma makine, piktura e materiale informuese, e bënin shumë mikpritës hollin hyrës të shkollës.

Shkolla, ndonëse ditë pushimi - sepse ishte 1 Maji - gumëzhinte nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit që kishin ardhur të ndiqnin festën e Abetares të organizuar nga mësuese Manushaqja dhe kolegia e saj, mësuese Xhemilja. 


Kur u ngjitëm në hollin e katit të dytë ku do të zhvillohej festa, u befasuam nga dekori. Ishte për ta pasur zili: i thjeshtë, i bukur dhe domethënës. Gjithçka me ngjyrën e manushaqes, lajmëtares së pranverës. Për rastësi apo e mirëmenduar, edhe mësuesja që na ftoi në festën e Abetares ka emrin e lules - Manushaqe Muça Meshi. Vazhdoi befasia kur 56 vocërrakët e klasës së parë, më së shumti vajza, dorë për dore me mësuese Manushaqen, “pushtuan” hollin. Të veshur të gjithë me uniforma shumë të bukura po në ngjyrën e manushaqes, lules së parë të pranverës, të kombinuara bukur me të bardhën, si shpirti i pastër dhe i dëlirë i vocërrakëve. Ata fëmijë ishin manushaqet e shkollës, pak nga qindra të tilla në shkollat tjera të qytetit. Këta fëmijë, dhe të tjerë e të tjerë pas tyre në vite, do të sjellin pranverën në Kukës. 


Gjithçka në këtë festë ishte kuruar në detaje. Nuk kishin punuar specialistë të dekorit, as regjisorë të spektakleve. Gjithçka ishte përgatitur nga mësuese Manushaqja dhe koleget e saj, të mbështetur fort nga stafi drejtues i shkollës dhe prindërit e nxënësve. Ishte bashkëpunimi i shkëlqyer mes të gjithë këtyre aktorëve, që kishte mundësuar një veprimtari vërtet të arrirë nga përmbajtja dhe vlerat artistike. 

Fëmijë shumë të talentuar, të gjallë e të shkathët, të gëzuar dhe të qeshur, përcollën mesazhet e vlerave të dijes, të dashurisë dhe të përkushtimit për të, sikur të ishin artistë dhe jo vocërrakë të klasës së parë. Kishte pasion në interpretimin e tyre. I ndienin fjalët që thoshin, i përjetonin, nuk i përsëritnin mekanikisht. Kjo ndjeshmëri përcillej nga gjithë qenia dhe lëvizjet e tyre, gjë që të përthithte dhe të linte pa fjalë. Ato thënie të përzgjedhura me kujdes nga mësuesja dhe koleget e saj ishin të magjishme për të gjithë auditorin. Që të gjithë ishin të perënduar, dëgjonin, ndiqnin fëmijët dhe ndienin peshën e fjalës. 


Fëmijët, në sinkron me njëri-tjetrin, vazhdimisht të buzëqeshur, lëviznin e kërcenin në sallë duke na krijuar ndjesinë e bukur sikur ndodheshim në një fushë me manushaqe dhe ndërkohë dëgjonim zërat e ëmbël të zogjve që cicërinin duke iu gëzuar pranverës. Ata fëmijë, të udhëhequr nga mësuesja e tyre, sollën pranverën në sallë dhe në zemrat e nënave, gjyshërve, baballarëve, mësuesve dhe fëmijëve të pranishëm në festë. Sollën gëzim, hare, sollën shpresë dhe besim. Nuk mund të harrojmë edhe një detaj të vogël, por mendojmë se është një mesazh për t`u përshëndetur. Një fëmijë egjiptian, i vetmi në klasë të parë, këndoi për të pranishmit. I buzëqeshur, i gëzuar e përfundoi këngën dhe u duartrokit nga të gjithë të pranishmit. Gjithçka është e mundur, kur nuk mungon respekti dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht dallimeve. 


E humbëm ndjesinë e kohës duke ndjekur lojën e fëmijëve dhe, kur mbaroi, sikur u zgjuam nga një ëndërr e bukur që do të kishim dashur të mos mbaronte. Si pa kuptuar kishim ndjekur një koncert 1 orë e 30 minuta, por që na u duk pak. Askush nuk pipëtiu, asnjë zhurmë nuk u ndie gjatë gjithë shfaqjes. Të gjithë po e jetonin festën bashkë më fëmijët interpretues. Një kulturë dëgjimi për t`u pasur zili, një respekt i madh për punën e fëmijëve dhe të mësuesve. Sot, kur festat, teatrot apo koncertet kthehen në zallamahi ku asgjë nuk kuptohet, nga Kukësi morëm një shembull të vlefshëm për t`u ndjekur. 


Shfaqja mbaroi. Mësues, prindër e nxënës kërcyen së bashku për disa minuta dhe më pas u shpërndanë të lumtur dhe duke iu gëzuar suksesit. 


Të shoqëruar nga mësuese Manushaqja dhe bashkëshorti i saj, morëm edhe një mesazh tjetër nga Kukësi. Buzë liqenit, përballë qytetit, kafenë e pimë në një lokal që ishte akoma në ndërtim. Në mes të gjelbërimit, brenda një dushkaje të re që shndriste. Po ndërtohej nga një ish-emigrant. Ishte kthyer ta ndërtojë të ardhmen në vendin e tij, në trojet e të parëve të tij. Kishte lënë Anglinë për Kukësin. Kishte lënë infrastrukturat moderne për të ngjallur traditat e të parëve. Kishte ardhur me besim. Besimi i tij ishte ngjitës dhe po, me plot gojën themi se SHQIPËRIA BËHET. Bëhet nga mësues që punojnë plot pasion për të përcjellë dijen te brezat, bëhet nga prindër që mbështesin dhe bashkëpunojnë për arsimimin dhe edukimin e brezave, bëhet nga njerëz të çdo moshe që i sjellin ëndrrat e tyre në vendlindje dhe në trojet e të parëve, nga njerëz që punojnë e jetojnë me punë të ndershme, bëhet nga njerëz optimistë dhe që e duan pa kushte Atdheun e tyre, Shqipërinë e dashur.

Faleminderit që na fale këtë ditë kaq të bukur, mësuese Manushaqe!


Shënim: 

Megjithëse zona e Kukësi është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire të zbuluara në fshatin Kënetë, një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej. Mendohet se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikuliotëve. Bep Jubani banorët e Kukësit i quante "ilirët alpinë". Në vitin 1869 rishfaqet me emrin Kukusa. Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. Përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri u vendos më 31 mars 1962. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndërtimin e Kukësit të ri dhe filloi jeta paralele e dy qyteteve. Në 1978 Kukësi i Vjetër ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës. 


Në vitin 1999, Kukësi priti afro 450 000 shqiptarë nga Kosova të dëbuar nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Përjetoi periudhën më të vështirë në historinë e tij duke u përballur dhe me bombardimet serbe në kodrat përreth qytetit. Në vitin 2000 u kandidua për çmimin ‘Nobel’ për paqe duke u bërë i pari qytet në botë i kandiduar për një çmim të tillë. Në vitin 2004 përfundoi ndërtimi i aeroportit të Kukësit. Në vitin 2010 përfundoi ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës që lidh më shpejt Kukësin me Tiranën.




© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,349 Lexime
1 javë më parë