Mbi përmbledhjen me tregime "Vdekja e kukullës" të autores Liza Brozi

Ky shkrim i Anxhela Pashajt ndalet te përmbledhja “Vdekja e kukullës” e autores Liza Brozi, ku përmes rrëfimeve prekëse pasqyrohen vetmia, dhimbja dhe mungesa e lirisë së gruas. Tregimet sjellin fate femrash të plagosura nga shoqëria, por ende të etura për jetë dhe lumturi.

Nga: Anxhela Pashaj


Mbi përmbledhjen me tregime “Vdekja e kukullës” të autores Liza Brozi



“Ditën kur shkoi në lumë të lante rrobat, iu bë sikur kafka iu lut ta nxirrte nga uji dhe ta merrte me vete.” 


Kjo fjali është shkëputur nga tregimi i parë, “Gruaja dhe lumi”, i përmbledhjes me tregime “Vdekja e kukullës”, botuar nga shtëpia botuese “Albas’, ku sillet në vetëdijen e lexuesit motive, ndodhi a tekste të kohëve të shkuara. Një kafkë që arrin të përcjellë një ndjesi, që prodhon një mendim, që dikton  shëndetin mendor të gruas. Me gruan në qendër të rrëfimeve të saj, Liza Brozi sjell një përmbledhje të shkurtër me tregime, në të cilat trajtohen tema e vetmisë, rënies psikologjike dhe shpirtërore dhe mungesës, boshësisë.



Në këtë përmbledhje me tregime enden personazhe të përshkruar kaq gjallë, të cilët vuajnë gjithë çka njeriu ka vuajtur përjetësisht, dhimbje që herë – herë nuk ua di origjinën, por përsëri lëndohet, thyhet, përpëlitet në kozmosin e tij të vogël ku mbizotëron frika nga vetmia, frika nga humbja e njerëzve të dashur, frika nga e shkuara apo edhe e ardhmja. 


“Vdekja e kukullës” vjen me një shumicë personazhesh femrash, të cilat frymojnë fare pak, për të cilat rrëfimtari/ja ka një lloj dobësie. Përmes tyre, narratori/ja sjellë në vëmendjen e lexuesit bashkëkohorë disa dhimbje, të cilat në përditshmërinë e tij, ai zgjedh të mos u kushtojë rëndësi ose t'i injoroi, dhimbje që ai i mohon si të vetat. Por, arti, letërsia nuk të lë të kthesh kokën nga ana tjetër. Ai është aty për të na kujtuar se kush jemi apo në çfarë jemi shndërruar. 


Andaj, leximi i këtyre tregimeve na bën të përjetojmë një valë emocionesh, mbi të gjitha një ndjenjë keqardhje për të gjitha personazhet femra të përshkruara prej Brozit. Fakti se këto ndodhi, ngjarje janë të trilluara, pra pjesë e trillit letrar dhe artistik nuk e çliron lexuesin.  Lexuesi lidhet me botën e tyre të trilluar, e cila në shumë kohë të ndryshme, pra në të djeshmen dhe të sotmen i kujtojnë fatin dhe kronikat e zeza nëpër lajme. Fatin e ndrydhur e të përcaktuar të femrës nga shoqëria apo shoqëritë e mbetura në stanjacion.


Në tregimet "Vdekja e kukullës" femra, gruaja jepet në rininë e saj, në moshë të thyer, brenda mureve të shtëpisë, në shoqëri. Po kjo femër, grua jepet ëndërrimtare, e edukuar, e pashpresë. Mbi të gjitha këto ajo jepet edhe si qënie njerëzore, sikurse është, një qënie e gjallë. 


Në gamën e gjerë të femrave që përshkruhen dhe rrëfehen në këto tregime, lexuesi e ka të vështirë të përcaktojë se cila prej tyre është më fatkeqja. Cilës i nxin më shumë jeta dhe fati? Cila torturohet më së shumti prej faktit të të qënit femër?  


Nuk ka dyshim se lexueset shohin te femrat, gratë e tregimeve ndonjë  pjesëz të  jetës së tyre, një vuajtje që është e pamundur të mos e përjetosh, mjafton në këtë botë të jesh lindur femër dh eke mjaftushëm dhimbje për të ndier e duruar, disa lexuese të tjera kuptojnë tmerrin e të jetuarit një jetë tragjike. Ç’ka është më shumë tragjike se cënimi i lirisë? Ç’ka është më tragjike se cënimi i jetës? 


Personazheve femra të Brozit u mungon liria, u cënohet jeta. Lumturia është një koncept fare i panjohur, trishtimi është ushqimi i përditshëm. Femrat e tregimeve të saj vijnë nga hapësira gjeografike dhe kohore të largëta, megjithatë ato përshkruhen dhe rrëfehen me një shqipe të ditëve që jetojmë, duke i lënë lexuesit të kuptojë se asgjë nuk ka mbetur në të shkuarën, përkundrazi disa dhimbje kanë udhëtuar deri në të tashmen së bashku me njeriun. Rrëfimet për  ngjarje të largëta janë një klithmë për problemet dhe shqetësimet e së tashmes. Femrat mund të kenë marrë shumë të drejta, por sa u respektohen këto të drejta? E përsëri duhet thenë se jo gjithçka rrotullohet rreth të drejtave të tyre si femra apo si qënie njerëzore, por se shumëçka vërtitet te mundësia për të qenë i lumtur dhe i gjallë. 


"Vdekja e kukullës" është një metaforë për femrën, për gruan, njeriun e dytë që eci mbi tokë, për atë që jo në pak raste trajtohet si një kukull prej porcelani, që shumë mendojnë se mund ta lëvizin ku të duan, që s’ka ndjenja apo mendime, që s’ka dëshira apo ëndrra. Një krijesë që jo rrallë herë i vihet në dyshim qënësia, por a e dini ju që edhe kukullat mund të vdesin? A e dini ju që edhe kukullat ëndërrojnë të jetojnë?


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

104 Lexime
9 orë më parë