"Poezia si kujtesë", aktiviteti i Poetes Laureate Rita Petro dhe IDMC-së që solli bukurinë e fjalës poetike të heronjve të fjalës së lirë
Poetja Laureate Rita Petro dhe IDMC (JonilaGodole) zhvilluan në Elbasan një aktivitet përkujtimor për bukurinë e fjalës poetike të heronjve të fjalës së lirë, poetëve dhe shkrimtarëve të vrarë, të burgosur e të internuar gjatë diktaturës komuniste, në kuadër të 21 Majit, "Revoltës së Spaçit".
Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku
Në kuadër të 21 majit, Revoltës së Spaçit dhe “Ditës së Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar”, në Teatrin “Skampa” të Elbasanit u zhvillua një aktivitet përkujtimor për bukurinë e fjalës poetike të heronjve të fjalës së lirë, poetëve dhe shkrimtarëve të vrarë, të burgosur dhe të internuar gjatë diktaturës komuniste.
Takimi poetik, i organizuar nga Poetja Laureate Rita Petro dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë nga Jonila Godole, në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Elbasan, solli në një skenë të vetme studentë, gjimnazistë, aktorë dhe dashamirës të artit, ku poezia u shndërrua në zë kujtese, reflektimi dhe lirie.
Programi i këtij aktiviteti ishte i pasur me interpretime nga ata, të shoqëruara nga tingujt e kitarës së Sheri Hoxhës, i cili krijoi një sfond muzikor të ndjeshëm dhe meditativ përgjatë gjithë aktivitetit.
Në sallën e teatrit, atmosfera u mbush me emocion dhe solemnitet, ndërsa aktiviteti u hap me fjalën e moderatores Bruna Kërçyku, e cila solli në vëmendje peshën historike të revoltës së Spaçit të vitit 1973 dhe simbolikën e saj si akt qëndrese ndaj shtypjes.
Ndërsa më pas, moderatorja ftoi në skenë Poeten Laureate Rita Petro, e cila solli një reflektim mbi dhunën e sistemit totalitar ndaj mendimit të lirë dhe krijimtarisë artistike, duke theksuar:
“Në burgjet famëkeqe të diktaturës kanë vuajtur dënimin shumë të burgosur politikë që nuk ishin dakord me sistemin, mes tyre intelektualë, shkrimtarë, studiues që kishin studiuar në shkolla të Europës, por ky takim mbledh bashkë sot poetët e dënuar. Të pushkatosh e dënosh poetët, është njëlloj si të vrasësh fëmijët me ëndrrën e qiellit në shpirt. Se është shpirti i tyre poetik dhe i lirë plot imagjinatë që u jep dhe pafajësinë fëminore. Mendoni sa i egër dhe i pamëshirshëm ka qenë sistemi që pretendonte të krijonte njeriun e ri apo poezinë që i thurte lavde vetëm partisë dhe mohonte lirinë e individit. Sot ne nuk jemi mbledhur të kujtojmë vuajtjet e tyre, por të përjetojmë bukurinë e vargjeve të tyre, të cilat kanë një vlerë aq të madhe në letërsinë e sotme shqipe”, tha poetja Laureate Rita Petro.
Në vazhdën e fjalës së saj, Rita Petro solli edhe një moment të veçantë reflektimi, duke lexuar një letër të shkrimtarit Visar Zhiti, ku përmes vargjeve dhe kujtesës së gjallë, ai risjell përjetimet e tij nga Spaçi dhe domethënien e fjalës së lirë si akt mbijetese dhe dinjiteti njerëzor.
“Përshëndetjet e mia nga larg, nga Çikago i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe nga afër, nga zemra! Kjo që po bëni ju tani nuk është vetëm empati, por dhe kujtesë e nderim, është kulturë dhe vizion, nëpërmjet poezisë. Kujtoni që s’ka qenë poezia gjithmonë e lirë, jemi dënuar për atë. Donin ta mbytnin...Ju po i jepni zë. E lanë në terr...Ju po i jepni dritë. Është kuptimplotë dhe emblematike veprimtaria juaj me poeten e dashur, Ritën, tashmë laureatja e poezisë shqipe”, thoshte ndër të tjera në letrën e tij përshëndetëse në aktivitet, shkrimtari Visar Zhiti.
Në skenë më pas u ftua Jonila Godole, themeluese dhe drejtuese ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Në fjalën e saj, Godole solli një perspektivë të rëndësishme mbi angazhimin e të rinjve në politikat publike dhe nxitjen e reflektimit tek ta përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese për regjimin komunist dhe pasojat e tij.
“Pse poezia dhe pse poezia si kujtesë? Sepse poezia është ajo që, mbase, është një formë e re që bashkë me Ritën donim t’ju sillnim ju të rinjve, jo historinë e muzeut, historinë e tekstit, me faktet që mësuesit tuaj të historisë jua mësojnë në shkollë, por përmes ndjenjës, përmes fjalëve. Dhe pse ‘kujtesa’? Pse është ajo e rëndësishme sot? Kujtesa nuk është më për të moshuarit; ata e jetuan atë kohë, e kanë nën lëkurë, por për të rinjtë, për ju të gjithë, është një zgjedhje që ju bëni, sepse, duke i lënë në heshtje të persekutuarit e asaj kohe, e sidomos ata për të cilët ne jemi mbledhur sot, poetët dhe shkrimtarët, ne i vrasim ata për së dyti. Sepse kujtesa do të thotë që këta njerëz kanë ekzistuar vërtet. Pra, kanë bërë diçka, për të cilën vuajtën një dënim të pamerituar atëherë. Kështu që, përmes kujtesës, ne i respektojmë dhe, në një farë mënyre, ua vendosim dinjitetin në vend”, tha Jonila Godole.
Në fjalët përshëndetëse të rastit, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Vesa Liço, u ndal te forca e fjalës dhe integriteti i atyre që, edhe në kohë të vështira, zgjodhën të mos heshtnin, duke i ftuar të rinjtë të reflektojnë mbi vlerat dhe përgjegjësinë që mbart liria e shprehjes.
“Faleminderit Ritës dhe Jonilës që vendosën që ky aktivitet të realizohej në Elbasan. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët që janë dënuar për fjalën e tyre, ishin pak më të mëdhenj se ju, nxënës të dashur. Ishin pak më të mëdhenj dhe vendosën, jo pa ndërgjegje, të shkruanin, të shkruanin të vërtetat e tyre, të denonconin atë fatalitet, kur fare mirë mund edhe të heshtnin. ‘Pse shkruanin?’, pyeti dikush nga ju këtu në sallë. Përgjigjja që unë jap, dhe që secili e ka brenda vetes, është se ata kishin integritet. Ata kishin një tërësi vlerash, parimesh morale, etike, kombëtare e vetjake, të cilat i kishin të mëshiruara fort. Ndaj ata nuk hoqën dorë nga misioni i tyre në jetë. Këtë gjë e bëni edhe ju përditë, ndonëse në një mënyrë tjetër, për kohën!”
Studiuesja, pedagogia dhe koordinatorja e këtij aktiviteti, Edlira Gugu, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në ruajtjen e kujtesës historike dhe edukimin e brezave të rinj përmes artit dhe reflektimit kritik. Gugu solli në vëmendje figurën e Etëhem Haxhiademit, shkrimtarit elbasanas që përfundoi jetën në burg, duke lexuar vargjet e tij si një testament i lirisë së mendimit:
"Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë,
Dhe krenarin qi t’fali ty gjithsija,
Të mos e lëshojsh tyke kërkuë mëshirë…"
Më pas, vëmendja u zhvendos te fjala poetike e brezit të ri. Nxënësit Eglis Toska, Ema Toçi, Melisa Quku dhe Marisa Quku interpretuan vargje të poetëve të dënuar, duke e kthyer skenën në një urë mes brezave.
Nxënësi i talentuar në art, Eglis Toska, drithëroi sallën me interpretimin e tij plot ndjenjë, duke sjellë me emocion recitimin e disa vargjeve nga “Poem Kosovar” i Mitrush Kutelit. Me forcën e fjalës dhe interpretimin e ndjerë, ai përcolli te të pranishmit dhimbjen, qëndresën dhe shpirtin e poezisë, duke krijuar një nga momentet më prekëse të aktivitetit.
Një moment i veçantë artistik solli në sallë tingujt e “Prelud Valtz dhe Polka” të Dimitri Shostakovich, të interpretuara nga Ana Stojko në piano, Mustafa Shaqiri në violonçel dhe Erion Llapushi në violinë, duke i dhënë aktivitetit një frymëmarrje të thellë emocionale dhe estetike.
Programi më pas vijoi me një reflektim letrar të shkrimtarit Ervin Nezha, i cili u ndal te figura e dy poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, duke risjellë në vëmendje fatin tragjik të intelektualëve të dënuar për fjalën dhe mendimin e lirë.
Në vijim, aktori i Teatrit “Skampa”, Erli Fortuzi, interpretoi poezi të këtyre dy autorëve, duke i dhënë zë një dhimbjeje që ende flet nëpërmjet vargut.
Skena më pas iu besua të rinjve dhe studentëve të talentuar Rigelda Pisha, Joana Sinani, Elinda Dervishi dhe Joana Bërdufi, të cilët sollën interpretime nga poetë të dënuar dhe të arratisur, si dhe fragmente të çmuara nga përkthyesit e mëdhenj të letërsisë shqipe, mes tyre Pashko Gjeçi dhe Gjon Shllaku, figura që e ruajtën kulturën e leximit edhe në kushte ekstreme, duke përkthyer në burgje dhe në fshehtësi.
Më pas, vargjet e Vehbi Skënderit dhe Uran Kostrecit vijuan të sjellin dimensionin e brendshëm të njeriut të thyer nga burgu, por të pathyer në shpirt, ndërsa interpretimi i Erli Fortuzit dhe moderatorës krijoi një dialog të gjallë mes zërit artistik dhe kujtesës historike. Në skenë u sollën edhe fjalët e fundit nga Jamarbër Marko, si një reflektim mbi kufijtë e lirisë dhe mbijetesës njerëzore përmes artit.
Aktiviteti u mbyll me një gjest simbolik mirënjohjeje: Rita Petro dhuroi librin “Një dashuri” të Petro Markos, duke e kthyer fundin e këtij takimi në një akt të vogël, por domethënës, të dashurisë për letërsinë dhe kujtesën.
Në Teatrin “Skampa”, nga ky aktivitet, poezia nuk u lexua thjesht, por ajo u jetua!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Manushaqe Hoxha Laçi: Mësuesi mes mungesës së familjes dhe plagëve të një brezi
Nga mësuesit e diasporës te protestat studentore në Maqedoninë e Veriut – heronjtë e ditëve të sotme për mbrojtjen e gjuhë shqipe
Varfërimi i gjuhës shqipe