Nga mësuesit e diasporës te protestat studentore në Maqedoninë e Veriut – heronjtë e ditëve të sotme për mbrojtjen e gjuhë shqipe

Shkrimi i autores dhe redaktores Sevi Lami Agolli sjell një reflektim të ndjerë mbi mbrojtjen e gjuhës shqipe, nga sakrificat e diasporës te protestat në Maqedoninë e Veriut. Një thirrje për ruajtjen e identitetit, kulturës dhe kujtesës kombëtare përmes gjuhës amtare.

Shkruar nga Sevi Lami Agolli, autore për fëmijë/ redaktore 




Pa gjuhë nuk ka komb



Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është identitet, histori dhe kujtesë kombëtare. Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, mbrojtja e gjuhës historikisht ka qenë më shumë sesa një kërkesë kulturore; ka qenë një përpjekje për dinjitet, barazi dhe afirmim kombëtar. Në këtë vend, ku shqiptarët përbëjnë përafërsisht një të tretën e popullsisë, shqipja është një nevojë thelbësore institucionale dhe sociale, e sanksionuar me Kushtetutë. Në këtë kuptim, protestat e fundit për mbrojtjen e gjuhës shqipe nuk duhen parë si reagime të zakonshme politike, por si vazhdimësi e një historie të gjatë rezistence për ruajtjen e identitetit.

Historia e shqiptarëve është e lidhur ngushtë me mbijetesën e gjuhës. Në periudha pushtimesh, luftërash të përgjakshme dhe diskriminimi kulturor, shqipja u ruajt falë sakrificave të mëdha familjare dhe kombëtare. Ajo u mbajt gjallë në oda, në libra të fshehur, në shkolla ilegale dhe në përkushtimin e rilindësve shqiptarë, të cilët trumbetuan fuqishëm, se pa gjuhën nuk mund të ekzistojë as kombi. Për këtë arsye, shqipja u kthye në simbolin më të fuqishëm të mbijetesës sonë historike dhe kulturore.



Këtë realitet bashkëkohor e kuptova edhe më qartë gjatë vizitës sime në SHBA, ndërkohë që rrugëve të Maqedonisë vërshonin të rinj, studentë e shqiptarë me kërkesën e tyre për njohjen e gjuhës shqipe. Në një shtet të madh si SHBA-ja, pata mundësinë të shoh nga afër përpjekjet e diasporës shqiptare për ruajtjen e gjuhës amtare. 


Si një shqiptare dhe qytetare e thjeshtë e kombit tim që merrem çdo ditë me gjuhën shqipe, kuptova më shumë se kurrë, se shqipja mbetet mekanizmi ynë më i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe vazhdimësisë sonë historike. Në një realitet emigracioni të vështirë, mes ritmit intensiv të jetës amerikane dhe dominimit të anglishtes në përditshmëri, shumë prindër shqiptarë sakrifikojnë kohën e lirë, fundjavat dhe orët e pushimit, vetëm e vetëm që fëmijët e tyre të mësojnë shqip.

Çdo fundjavë, fëmijë shqiptarë nga zona të ndryshme mblidhen në shkollat shqipe për të mësuar jo vetëm alfabetin dhe gramatikën, por edhe historinë, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Në këto klasa nuk zhvillohet vetëm një proces arsimor; aty ruhet identiteti shqiptar në kushtet e emigracionit dhe globalizimit kulturor. Veçanërisht emocionues për mua ishte çasti, kur disa prej fëmijëve recitonin poezi dhe interpretonin këngë shqipe me një natyrshmëri të admirueshme, edhe pse shumë prej tyre kishin lindur larg trojeve shqiptare. Mes tyre më bëri përshtypje të veçantë një djalë vetëm shtatë vjeç, i lindur në Greqi dhe më pas i shpërngulur në SHBA, ku me aq pak kohë që kishte filluar të ndiqte shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Nju-Jork, kishte arritur ta përvetësonte dhe ta fliste shqipen me një rrjedhshmëri dhe pastërti gjuhësore të habitshme për moshën e tij. Kur interpretoi këngën “Jam një djalë prej Dukagjini”, emocionet ishin tejet të veçanta. Në interpretimin e tij kuptohej qartë se identiteti kombëtar nuk përcaktohet vetëm nga territori ku lind apo jeton një individ, por nga gjuha, kultura dhe kujtesa që ai trashëgon.


Po aq mbresëlënëse ishte edhe puna e mësuesve shqiptarë në diasporë. Shumë prej tyre punonin në mënyrë vullnetare, duke sakrifikuar kohën dhe jetën personale vetëm për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe te brezat e rinj. Përtej rolit të tyre pedagogjik, ata kryenin një mision kulturor dhe kombëtar. Në një kohë kur globalizimi dhe emigracioni shpesh çojnë në zbehjen e identiteteve të vogla kulturore, puna e këtyre mësuesve përbën një akt të rëndësishëm rezistence kulturore. Dhe për mua, këta mësues në diasporë dhe këta të rinj nëpër rrugët e Maqedonisë së Veriut janë heronj të kombit në ditët e sotme. 



Pikërisht këtu qëndron edhe paralelja domethënëse e protestave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Ndërsa në diasporë prindërit dhe mësuesit përpiqen çdo ditë që shqipja të mos harrohet, në Maqedoninë e Veriut shqiptarët protestojnë që ajo të mos margjinalizohet në trojet ku flitet prej shekujsh. Në thelb, bëhet fjalë për të njëjtën përpjekje historike: ruajtjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës. Gjuha shqipe nuk përbën kërcënim për askënd. Përkundrazi, respektimi dhe garantimi i të drejtave gjuhësore është tregues i demokracisë, barazisë dhe pjekurisë institucionale të një shteti. Mohimi apo minimizimi i gjuhës së një komuniteti nuk prodhon integrim, por ndarje dhe pasiguri kulturore.


Sot, më shumë se kurrë, shqipja ka nevojë për shqiptarët, ashtu si shqiptarët kanë nevojë për gjuhën e tyre për të mos humbur kujtesën, rrënjët dhe identitetin. Në një kohë globalizimi, emigracioni masiv dhe ndikimesh të forta kulturore, ruajtja e gjuhës amtare nuk është vetëm çështje emocionale, por, mbi të gjitha, përgjegjësi historike dhe kombëtare.


Kur sheh prindër shqiptarë në diasporë që përshkojnë kilometra të tëra vetëm për t’i çuar fëmijët në shkollat shqipe të fundjavës, kupton se kjo gjuhë nuk do të humbasë. Shqipja nuk jeton vetëm në libra, dokumente apo institucione shtetërore; ajo jeton në vetëdijen, kujtesën dhe zemrën e shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen.


Për këtë arsye, mbrojtja e gjuhës shqipe nuk duhet parë si një çështje e përkohshme politike, por si një përgjegjësi kombëtare që na përket të gjithëve. Sepse një popull që ruan gjuhën e vet, ruan historinë, kulturën dhe të ardhmen e tij. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, edhe larg atdheut, edhe mes qyteteve më të mëdha të botës, ëndrrat tona vazhdojnë të flasin shqip.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

71 Lexime
1 orë më parë