Mbi romanin “Imun” të autorit Tobias Xhaxhiu

“Imun”, romani më i fundit i Tobias Xhaxhiut, botuar nga Albas-i, sjell një rrëfim të fuqishëm mbi vdekjen, fajin, vetminë dhe maskat që mbajmë në jetë. Anxhela Pashaj analizon udhëtimin e Gretës dhe Davidit, dy personazhe të përballur me të shkuarën, virusin dhe të vërtetat e fshehura.

Nga: Anxhela Pashaj 


“Imun” është romani më i fundit nga autori Tobias Xhaxhiu, botuar me shtëpinë botuese “Albas”. Një roman, i cili ndërtohen mbi rrëfimet e dy personazheve kryesorë, Greta dhe Davidi dhe një rrëfimtari tjetër, të gjithëdijshëm. Ky rrëfimtar i gjithëdijshëm nis rrëfimin për një personazh “të huaj” në një hapësirë gjeografike të largët, ku ai tregohet se bie në kontakt me një maskë të artë. Një maskë e artë, e cila udhëton prej njërit cep të botës për të mbërritur në qendër të saj. Maska e artë duket se nuk i sjell fat të mirë “të huajit”. Jo shumë kohë pasi e ka bërë të vetën maskën e artë, ai vdes. Çudia vazhdon kur edhe të tjerë zotërues dhe përdorues të saj i ndjek i njëjti fat, vdekja. Nuk është më maska e artë, por maska e vdekjes. 


Në këtë pikë të rrëfimit, lexonjësi bëhet kureshtar; pse një maskë bëhet mbartëse e vdekjes? Pse një maskë e artë, e cila ngjason me ato që përdornin aktorët e teatrit në antikitetin e largët grek mund të sjellë vdekjen edhe të një aktori? E ndërsa disa lexonjës torturohen me pyetje të tilla, disa të tjerëve u vjen në mend tregimi i Poes, “Maska e murtajës së kuqe”, e cila po ashtu mbart vdekjen.  


Xhaxhiu huazon një hollësi të tillë për të sjellë në roman misterin e vdekjes si të pashpjegueshme, të papritur, fatale (sikurse edhe është). Më tej ai e jetëson vdekjen duke i dhënë një fytyrë të re, disi moderne; vdekja merr trajtën e një virusi, duke hequr kështu një paralele me jetën në shekullin e XXI, ku jo shumë vite më parë gjithë bota vuajti prej një virusi që solli vdekjen te shumë të prekur, i cili sikurse maska e artë erdhi prej botës së largët.  


Sapo virusi, vdekja shtrihet në “vendin tonë”, narratori i gjithëdijshëm shkrihet, për t’ia lënë vendin dy narratorëve të tjerë, Davidit, mjekut-shkencëtar dhe Gretës. Të dy personazhet rrëfejnë ndodhitë e së tashmes së tyre, prej hapësirës ku ndodhen dhe herë pas here kthehen në të shkuarën e tyre, e cila i lë lexuesit të kuptojë mbi marrëdhënien e Davidit dhe Gretës. 


Davidi dhe Greta janë të martuar, por mes tyre nuk ka një lidhje emocionale. Qëndron vetëm një lidhje mendore, sa herë kanë nevojë të flasin, për të gënjyer veten i qasen njëri-tjetrit. Asnjëri prej tyre nuk i tregon veten tjetrit. Dy maska për dy bashkëshortë. Greta dhe Davidi. Greta e vendosur në Shqipëri dhe Davidi në Itali.  


Greta, e kërcënuar prej virusit largohet nga Tirana drejt jugut, ku e vetme nis të përjetojë ngjarje dhe emocione të forta. Dyshimi i saj se dikush e vëzhgon, se nuk është e vetme bëhet i vërtetë për lexuesin kur ajo infektohet prej mikes së saj me virusin vdekjeprurës. Prej momentit të infektimit, Greta nuk është vetëm. Vdekja është ajo që e ndjek nga dhoma në dhomë. Duket se virusi është arsyeja e torturës psikologjike, e cila e thërrmon ngadalë Gretën. Në fakt, virusi, vdekja janë fundi i një tjetër torture që e ka shoqëruar gjithë jetën Gretën. Vdekja e motrës së saj, ndjenja e fajit është ç’ka e ka goditur më së shumti në jetë. Brerja e ndërgjegjes për vdekjen e së motrës në të shkuarën e shoqëron edhe në ditët e infektimit, duke e bërë të pranojë ç’ka ka dëshmuar në të vërtetë. Vdekja i jep fund torturës. Vdekja i tregon të vërtetën që i ka mohuar vetes gjithë jetën. E me këtë të vërtetë vdes. E vetme. E shoqëron vetëm kujtimi i së motrës dhe deti. Deti me hijen e tij të errët që e përpinë trupin e saj sikurse trupin e së motrës vite më parë.


Nga njëra anë e monedhës është Greta nga ana tjetër është Davidi. Çfarë vallë i ka bashkuar? Çfarë vallë i ka mbajtur bashkë? Duket sikur nuk takohen kurrë, sikur janë dy të panjohur, që vuajnë veçmas. 


Në rrëfimin e tij, vetë Davidi zbulon se është në një marrëdhënie me Laurën, gruan e mikut të tij, Mateos. Marrëdhënia me Laurën është vetëm fizike, të paktën nga ana e Davidit. Laura gjen te Davidi ç’ka nuk gjen te Mateo. Mateo e adhuron Laurën, por krahas saj adhuron edhe njerëzimin. Ai përkushtohet ndaj gjetjes së kurës për virusin sepse beson te uniforma e tij, te misioni i tij, jo për lavdi dhe sukses. Mateo është një mik i mirë, një njeri i shkëlqyer, por nuk është një dashnor për Laurën.  


Këtë “kusht” duket se e përmbush Davidi. Davidi që gjithë jetën ka qenë në garë me Mateon. Davidi që mezi arriti Gretën. Davidi që dëshiron suksesin. Davidi që në fund braktisë Laurën dhe Gretën. Davidi që bëhet arsyeja e vdekjes së Laurës dhe Mateos. Davidi që tërthorazi bëhet arsyeja e vdekjes së Gretës. Davidi që përherë ka qenë arsye për vdekjen e dikujt. E pikërisht ky David, bëhet imun. Imun ndaj vdekjes. Imun ndaj asaj që ka shkaktuar gjithë jetën. 


Tobias Xhaxhiu nuk sjell vetëm maskat në familje, tradhëtinë, vetminë, fajin dhe vdekjen. Ai sjell edhe kotësinë e jetës, vdekjes dhe vetë njeriut. Po të vështrosh gjithçkanë që të kalon përpara syve kupton se sa e vogël dhe pa kuptim është ajo. Jemi ne që i japim vlerë për të justifikuar qenësinë tonë. Njeriu! Njeriu i jep kuptim çdo gjëje dhe gjithçkaje duke sforcuar natyrën e tij dhe të botës. I përsërit vetes se është bërë për diçka të madhe, kur në të vërtetë është asgjë, sikurse ato që e rrethojnë. E nëse ndonjëri prej nesh bëhet diçka, sa vlerë ka? Sa vlerë ka kur je vetëm, kur brenda teje edhe ti si çdokush tjetër ndihesh asgjë.  

 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

113 Lexime
9 orë më parë