“Më duket sikur jam pa atdhe...” nga Blerina Behari

“Më duket sikur jam pa atdhe...” është shkrimi letrar i Blerina Behari, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ditë e premte...

Ishte mëngjes...


Ditë e ftohtë janari. Ra zilja dhe filloi mësimi. Hyra në klasë dhe i përshëndeta nxënësit.


-Mirëmëngjes!

-Mirëmëngjes! – m’u përgjigjën njëzëri.


Më bëri përshtypje kjo përshëndetje e tyre shumë e trishtuar.


-Çfarë keni? - i pyeta.

U ngrit nga banka Ana, si më e guximshmja e klasës dhe me atë zërin që i dridhej duke pëshpëritur foli:

-Sot Sabi nuk ka ardhur, por ai na premtoi që do të na takonte.

-Si iku kështu? - reaguan njëzëri duke shprehur habinë e tyre.


Heshtja pllakosi klasën, kur befas trokiti dera. Sytë e tyre fëmijëror u drejtuan me kureshtje për të parë se kush do të hynte në klasë. Ishin në ankth, sepse prisnin shokun e tyre Sabin.


Një “Urrrraaa!” e fuqishme buçiti në atë çast. Ishte ai që prisnin. 


U hutova për pak çaste dhe i lashë të shprehnin ngazëllimin e tyre fëmijëror. Sabi ishte tepër serioz dhe dukej vërtetë si një burrë i rritur, me atë pamjen e tij hijerëndë.


Ai kishte disa ditë që rrinte i mërzitur, nuk e shprehte brengën që kishte. Nuk donte ta pranonte me atë mendjen e tij prej fëmije që do të largohej. Kjo u ra në sy të gjithëve, sepse ai ishte një djalë energjik dhe shkëlqente në mësime.


-Kur do të ikësh?- e pyeti Sena.

-Nuk e di, - u përgjigj ai kokulur.

E dija që ai do të ikte të nesërmen, por nuk po reagoja, sepse e pashë që ishte shumë i mërzitur.

Iu afrova dhe i thashë:

-Mos u mërzit, do gjesh mësuese dhe shokë të rinj.

-Po unë nuk dua të iki mësuese. Dua të rri me shokët e mi edhe me ty.


E përqafova.

Sytë mu mbushën me lot.

Si mund t’ia shpjegoja një fëmije 7-vjeçar, në klasën e parë, largimin e tij në një vend të huaj!?...


-Sabi, sa herë të vish me pushime do ti takosh shokët dhe shoqet e tua.

-Po unë s’dua të iki mësuese, - foli me këmbëngulje.

-Po në Greqi do të jesh së bashku me babin dhe mamin, me familjen tende, sepse ishit shumë kohë të ndarë.

-Mirë mësuese, - tha me gjysmë zëri.

Kliti, shoku i tij më i ngushtë u hodh dhe tha:

-Unë do të marr makinën e babit tim dhe do të ndjek nga pas, kur ti të nisesh, sepse po ike ti nuk kam shokë të luaj.


Të gjithë shpërthyen në të qeshura.


-Po ti je i vogël, - i foli Ani. -Si do ta ngasësh makinën?

-E ndez vetë edhe iki, - ia ktheu Kliti.

-O mësuese! - reagoi Eda - Unë do iki nga shkolla.

-Ku do të shkosh? – e pyeta. Pse do të ikësh?

-Po unë nuk e kam më Sabin mbrapa, kur kthehesha ndonjëherë dhe më ndihmonte për detyrat. Dua shokun tim.

-Do ta ndërroj vendin - i thashë - rri ku të duash ti.


Nxënësit më kërkuan t’u bëja foto dhe të gjithë atë ditë donin të ishin sa më pranë Sabit.

Ra zilja për mbarimin e mësimit dhe pashë trishtimin në sytë e tij. U përshëndet me shokët dhe shoqet e klasës dhe erdhi më përshëndeti edhe mua.

Me atë dashurinë e çiltër fëmijërore hapi krahët dhe më përqafoi fort.

Mezi e përmbajta veten.


-Rrugë të mbarë dhe suksese në mësime Sabi!

-Faleminderit mësuese!


Sa ditë e trishtë! - mendova me vete.

Të ikësh nga atdheu yt për një të ardhme më të mirë dhe ta kërkosh “të ardhmen e lumtur” në dhe të huaj është absurde.

Sa fëmijë si Sabi ikin çdo ditë nga Shqipëria?!...

E ardhmja e vendit tonë mori rrugët pa kthim duke lënë pas atdheun, iku mori arratinë, u largua nëpër botë për një jetë më të mirë.

Si po boshatiset vendi ynë çdo ditë?!


Mu kujtua një shprehje:

”Më duket sikur jam pa atdhe!”….




Blerina Çifliku Behari

Blerina Çifliku Behari ka lindur në qytetin e Beratit. Studimet e larta i kreu për mësuesi në Universitetin e Elbasanit. E spikatur në punën e saj si mësuese me përvojë 25-vjeçare, krahas kësaj veprimtarie pedagogjike mësimore, si zjarr i fjetur brenda saj ka mbetur frymëzimi poetik qysh në fëmijëri. Ka botuar dy libra “Stinët e shpirtit” dhe Infinit”. Gjuha dhe fjala e përzgjedhur janë përtej të përkorës. Poezitë e saj kanë stil të theksuar filozofik. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,049 Lexime
6 muaj më parë