Portret

Megi Xheko, një vajzë dhe nxënëse fisnike

Megi është një vajzë që ka mbushur 14 vjeç dhe po hyn në prag të klasës së nëntë, në shkollën 9-vjeçare “Nevruz Gjoza” Poloskë, Devoll. Fshati i saj pasqyron cilësitë e asaj zone, ajrin e pastër, drurët frutorë dhe gjithçka BIO që natyra prodhon.

Megi është një vajzë që ka mbushur 14 vjeç dhe po hyn në prag të klasës së nëntë, në shkollën 9-vjeçare “Nevruz Gjoza” Poloskë, Devoll. Fshati i saj pasqyron cilësitë e asaj zone, ajrin e pastër, drurët frutorë dhe gjithçka BIO që natyra prodhon. Një natyrë që ofron bujarisht bukuritë që ka, për këdo. 


Familja

Megi jeton e lumtur bashkë me familjen e saj. Me gjithë vështirësitë që ajo ka në familje, ata kanë një harmoni për t’u admiruar, sepse mbështesin dhe respektojnë njëri-tjetrin pa kushte. Dashuria që ata kanë për jetën i zbeh vështirësitë dhe i zvogëlon ato. Megi kujdeset edhe për vëllanë e saj, i cili ka vështirësitë e veta. Për Megin ka shumë rëndësi kjo harmoni familjare, sepse është motivi i saj për të ecur përpara. 


Artistja në shpirt

Megi është si një rreze dielli për ata që e njohin. Ajo përpiqet në çdo punë që bën të jetë krijuese. Madje edhe kur bën detyrat ajo dëgjon me kufje muzikë dhe kërcen. Edhe kur është e mërzitur ajo gjen prehje te arti dhe te muzika, ose dëgjon muzikë me kufje dhe qetësohet.

Megit i pëlqen shumë të pikturojë dhe të kërcejë. Ajo edhe leximin e librave e shoqëron me tingujt e muzikës. Piktura është pasioni i saj më i madh. Ka marrë pjesë edhe në konkurset e pikturës që janë zhvilluar në shkollën e saj, ku Megi ka fituar çmimin e parë, dhe ajo është shumë krenare për këtë. 

Dëshira e Megit

Megit i pëlqen shumë kultura aziatike dhe ëndërron që një ditë të jetojë mes Shqipërisë, Amerikës dhe Koresë së Jugut. Profesioni që i pëlqen është ai i arkitektes. 

Por Megi ëndërron akoma edhe më shumë. Kur të rritem na thotë, dëshiron të krijojë një linjë kozmetike për fytyrën, që të jetë pa kimikate dhe e shëndetshme.

Ajo që Megi e ka si pikësynimin kryesor, është të hapë një qendër bamirësie për njerëzit e sëmurë dhe në nevojë, ku ajo të jetë aty duke i ndihmuar dhe duke i lehtësuar dhimbjet. Këtë gjë ajo e dëshiron me gjithë forcën e shpirtit të saj. Ajo dëshiron të ndihmojë këdo që ka nevojë, sepse duke i lumturuar ata thotë Megi, unë ndjehem shumë e lumtur. Ajo lumturinë e vërtetë e ndjen kur u vjen njerëzve në ndihmë pikërisht kur ata janë në vështirësi. Lehtësimi i dhimbjes së tjetrit është lumturia e Megit, sepse në radhë të parë ajo do të ndihmojë prindërit dhe vëllanë e saj të vogël. Vajzë fisnike. 

Megi urojmë që ëndrrat e tua të bëhen realitet!



Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,282 Lexime
1 vit më parë