In memoriam

Mendja e një kombi është arsimi/ Prof. Osman Kraja, personaliteti me kontribute shumë të rëndësishme në arsimin e lartë shqiptar

Prof. Osmani është pa dyshim një nga figurat më të shquara të arsimit e të kulturës sonë, në mënyrë të veçantë të arsimit universitar. Do të kujtomë përherë fjalët e tij: "Mendja e një kombi është arsimi". Prof. Osman Kraja u nda nga kjo jetë më 15 qershor 2022.

E di që Osman Kraja është një figurë anonime para atyre rreperëve që ditën përleshen me thika e në mbrëmje japin koncerte të argëtojnë rininë. Edhe para atyre politikanëve që ne i kemi natë e ditë nëpër ekrane...


Por unë po jo propozoj që kush ka nge, ti hedhe një sy “CV”-së së një njeriu të madh të arsimit tonë, si profesori i madh Osman Kraja.


Sepse kombin nuk do ta bëjnë palaçot dhe hajdutët, por mendjet e ndritura.


Prof. Osman Kraja, personalitet i jashtëzakonshëm me kontribute të rëndësishme, sidomos në arsimin e lartë shqiptar, ku në vazhdimësi ka punuar dhe drejtuar me pasion, korrektësi dhe profesionalizëm, Rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës (1981 - 1988), Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Polonisë dhe Ukrainë (1997 - 2002), Nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (1992). 


Prof. Osman Kraja lindi më 1930 në Stamboll, në një familje përparimtare me prejardhje nga Kraja, Mali i Zi. Para viteve ‘40 familja e tij kthehet në Shqipëri dhe u vendosën fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë. Në 1949 përfundoi me rezultate të larta Gjimnazin e Tiranës, ku mësimdhënës dhe inspirues të tij ishin: Ahmet Gashi, Nonda Bulka, Qazim Turdiu, Abdurrahim Buza, Konstandin Trako etj. Më pas ai vazhdon studimet e larta për matematikë në Universitetin Politeknik të Varshavës, Poloni (1949-1952), ku vlerësohet me medalje të artë për rezultatet e arritura. 


Kthehet në Shqipëri, ku fillon karrierën e mësimdhënies në Institutin e Lartë Pedagogjik (4-vjecar) të Tiranës, i cili ishte institucioni i parë i arsimit të lartë në Shqipëri. Ai u emërua në Katedrën e Matematikës dhe Fizikës të këtij Instituti që drejtohej nga Prof. Petraq Pilika. 


Në shtatorin e vitit 1957 inaugurohet Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe Prof. Kraja ishte pjesë e këtij universiteti, i konceptuar si një zhvillim i natyrshëm i sistemit arsimor dhe kërkimit, i mbështetur në njohuritë, entuziazmin e përpjekjet e pedagogëve themelues të tij.


Katedra e Matematikës, që ishte e para katedër e tillë në arsimin tonë të lartë, përbëhej në ato vite nga profesorët e nderuar Petraq Pilika, QazimTurdiu, Kristaq Fundo, Osman Kraja, Shaban Baxhaku, Aleko Minga, Aristokli Çifliku, Zoja Bozgo, Kristian Bukuroshi, Spiro Makoçi e të tjerë që ju bashkuan më pas.


Në vitin 1958 Osman Kraja u dërgua në aspiranturë në Universitetin “Lomonosov”, në Moskë, me qëllim që të krijohej në Katedrën e Matematikës një bërthamë aktive me kualifikim të lartë dhe bashkëkohor. Ai dha me sukses provimet e parashikuara nga programi, ndoqi të gjitha seminaret dhe aktivitetet e tjera, por për fat të keq studimet e aspiranturës u ndërprenë brutalisht me prishjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare.

Më 1965-1966 Osman Kraja përfundoi kualifikimin e ndërprerë pasuniversitar, duke mbrojtur me sukses disertacionin pranë Institutit të Matematikës së Akademisë së Shkencave të Kinës, nën udhëheqjen e profesorit të njohur Ding Hsiao Shi (Pekin, 1966).


Zgjerimi i mësimdhënies së matematikës në Universitet bëri që në vitin 1964 të krijohet Katedra e Matematikës e Përgjithshme me përgjegjës Prof. Osman Krajën. Dhe me pas, në vitin 1966 u krijua  profili pesëvjeçar i Degës se Matematikes, me anë të së cilit synohej të përgatiteshin specialistë më të kualifikuar për të siguruar vazhdueshmërinë me nivel të lartë, dhe e cila u realizua edhe me kontributin e veçantë të profesorëve të FSHN, e veçanërisht të Kol Popës, Petraq Pilikës dhe Osman Krajës. Katedra e Matematikës së Përgjithshme u zhvillua dhe u drejtua me nga Prof. Kraja për një periudhë prej më shumë se 20 vitesh (1964-1986).


Me kualifikim të lartë shkencor, ai vazhdoi me një aftësi të rrallë dhe metodikë të përsosur të japë leksione në degët e Matematikes dhe Fizikes, të përgatisë tekste shkollore universitare dhe realizojë kërkimin shkencor dhe njëkohësisht të kontribuojë në drejtimin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, një fakultet simbol e virtytit dhe solidaritetit njerëzor, i unitetit për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat e krijuara, i mos-kompromisit ndaj mosdijes dhe të keqes, i vlerësimit maksimal, deri në fanatizëm, të inteligjencës dhe të punës krijuese, i bashkëpunimit të gjerë pedagog – pedagog dhe pedagog – student. Në vitin 1973 Osman Krajës i jepet titulli “Profesor”, të cilin e mbajti me dinjitet dhe me nder.


Në vitin 1968 Universiteti Shtetëror i Tiranës vendosi kontakte me përfaqësuesit më në zë të arsimit të lartë dhe shkencës të Kosovës. Për konkretizimin e bashkëpunimit, në tetor të vitit 1970 një delegacion nga Universiteti i Prishtinës i kryesuar nga Rektori Prof. Dervish Rozhaja, mbërriti në Tiranë ku u nënshkrua Protokolli midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, nga Osman Kraja dhe Dervish Rozhaja. Protokolli filloi të zbatohej menjëherë, që në dhjetor të atij viti dhe të dy palët filluan me nxitim përgatitjet për realizimin e tij. 


Në shtator 1992 e nxjerrin në pension.

Në gusht të vitit 1997 Prof. Osman Kraja filloi punë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas me dekret të Presidentit të Republikës emërohet ambasador në Republikën e Polonisë, Ukrainë dhe vendet Baltike (1997 - 2002). Më pas, për disa vjet ai ka punuar si këshilltar pranë Ministrit të Punëve të Jashtme dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Prof. Osmani është pa dyshim një nga figurat më të shquara të arsimit e të kulturës sonë, në mënyrë të veçantë të arsimit universitar. Do të kujtomë përherë fjalët e tij: "Mendja e një kombi është arsimi".

Prof. Osman Kraja u nda nga kjo jetë më 15 qershor 2022.



Shkrim nga Mentor Kikia

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,040 Lexime
1 vit më parë