Pasioni apo profesioni?

Mësuesi që braktisi profesionin për t'u bërë guider turistik

Profesioni i guiderit është një nga profesionet më atraktive, por dhe më të përgatitura që kërkon sot tregu i punës. Ky profesion lidhet me shoqërimin, dhënien e informacionit dhe përshkrimin e destinacionit turistik për turistët

Të jetosh në Shqipëri, ashtu si në të shumtën e vendeve të botës, është, sa bukur, aq edhe një sfidë. Vendi ynë, që natyra i ka falur pasuri mbi dhe nëntokësore, atraksione të ndryshme turistike, mund të ishte një vend shumë më i zhvilluarnë aspektin ekonomik, social-kulturor dhe historik, por kjo ende nuk është kthyer në një mundësi që mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe të rejat, tëcilët sot enden nëpër rrugët e qyteteve tona si të papunë.

Por, ndryshe nga sa bëjnë shumë të rinj, që preferojnë të mbarojnë një degë të caktuar të arsimittë lartë dhe t’i qëndrojnë asaj besnike me çdo kusht, Shqiptarja.com iu njeh me Olgerin, djalin që u diplomua si mësues gjeografie, por që mungesa e vendit të punës dhe pasioni për atraksionet turistike dhe historike të vendit tonë e ka shtyrë drejt një tjetër shtegu, atë të Guiderit, ose, siç në shqip quhet, shoqërues i grupeve turistike.

Në një intervistë të dhënë për gazetën tonë, Olgeri tregon se si ai e braktisi profesionin fillestar, për t’iu përkushtuar tërësisht një tjetër profesioni, që sigurisht i jep edhe të ardhura ekonomike më të favorshme.

Është i vetëdijshëm se ka ende shumë rrugë drejt perfeksionit, se ende nuk ka shkuar aty ku aspiron dhe që ka lënë prapa krahëve profesionin, për të cilin u investua për shumë vite, por ai thotë se në një të ardhme shumë të shpejtë do të krijojë turin e tij turistik.

Ndërsa ndalet tek turistët dhe atë çka ata kërkojnë, Olgeri thotë se vendi ynë ka atraksione të pafundme dhe se turistët e huaj janë ata që e vlerësojnë më shumë këtë fakt. Por edhe shqiptarët që jetojnë në diasporë.

Sakaq, ai thekson se vitet e fundit edhe shqiptarët që jetojnë në Shqipëri kanë filluar të krijojnë një tjetër traditë, atë të kalimit të fundjavave në pika të ndryshme turistike, ku përfshihet turizmi malor dhe ai detar, të drejtuar nga agjencitë e ndryshme turistike përmes paketave të tyre.

Sa u takon vështirësive, Olgeri tregon se, të jesh një guider profesionist, do të thotë të dish të menaxhosh çdo problem, pasi, siç pranon ai, ka edhe nga ata turistë, që janë të vështirë për t’u menaxhuar.

Ndërkohë, për të ardhmen e guiderit, ai shton se ky profesion nuk ka nevojë vetëm për pasionin e të rinjve dhe të rejave, por edhe mbështetjen e dikastereve përkatëse, të cilat duhet t’i japin më shumë përkrahjen e tyre këtij profesioni.

Lidhur me të ardhmen e guiderëve, Olgeri thotë se agjencitë turistike janë shumë të interesuara për profesionistë të vërtetë dhe me ekseriencë.

Olger, ju sot jeni një Guider, ose siç në shqip thuhet shoqërues i grupeve turistike. Por, për të gjithë lexuesit, a mund të na thoni si keni ardhur deri këtu ku jeni sot?

Unë studiova për disa vite arsimin e lartë, në degën e Gjeografisë, në Universitetin e Tiranës. Siç të gjithë e dimë, të zësh një vend pune në shtet është shumë e vështirë, e sidomos për të rinjtë. Mbarova shkollën dhe, megjithë përpjekjet, nuk arrita që të vë në praktikë njohuritë e mia. Prej rreth 7 vitesh jam duke ushtruar profesionin e Guiderit dhe kam punuar 6 vite në një shkollë profesionale, duke zhvilluar si instruktor kursin e Guidës Turistike. Të arrija këtu, sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Pasioni im për të udhëtuar, mbi të gjitha për të eksploruar natyrën dhe për të njohur vende të reja, ishte një shtysë e madhe, që të zgjidhja këtë profesion. Kam kryer shumë trajnime dhe specializime në këtë fushë, të cilat më kanë shërbyer për të arritur synimin.

Çfarë është profesioni i guiderit?

Profesioni i guiderit është një nga profesionet më atraktive, por dhe më të përgatitura që kërkon sot tregu i punës. Ky profesion lidhet me shoqërimin, dhënien e informacionit dhe përshkrimin e destinacionit turistik për turistët. Sigurisht, që ky profesion mbi të gjitha kërkon aftësi të shkëlqyera komunikuese dhe menaxhuese, si dhe njohuri shumë të mira dhe të sakta të destinacionit që vizitohet, të historisë, gjeografisë, kulturës, aktualitetit etj.

Si kaluat ju, nga një mësues gjeografie, në guider turistik?

Unë jam diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjeografi profili mësuesi, por mund të them që shkolla që kam përfunduar, ka deri-diku lidhje me profesionin e guiderit. Ka qenë pasioni im për udhëtimet dhe fillova të praktikohesha dhe të perfeksionohesha në profesionin e guiderit, duke e kaluar në plan të dytë shkollën që kisha përfunduar. 

Sa e vështirë është të jesh një guider?

Kur e bën diçka me pasion, asgjë nuk të duket e vështirë, sepse pasioni të ndihmon të realizosh me shumë sukses objektivat. Ky profesion kërkon një përgatitje shumë të lartë në shumë aspekte dhe, mbi të gjitha, duhet të pasurohesh dhe përditësohesh me informacione të reja, jo vetëm të qëndrosh tek të njëjtat njohuri, sepse turisti kërkon saktësi, korrektësi, besueshmëri dhe përgatitje.

Si është një ditë e zakonshme pune për një guider?

Një ditë pune e zakonshme e guiderit është një udhëtim një ditor ose më gjatë. Para se të nisë udhëtimi, guideri përgatit informacionin për destinacionin që do të realizojë. Përgatitet çanta me gjërat dhe gjithçka të nevojshme. Sigurisht që edhe veshja do t’i përshtatet dhe llojit të guidës dhe, pasi gjithçka është gati, fillon dhe guida.

Si mund të bëhet dikush guider?

Për t’u bërë guider duhet pasion, mbi të gjitha. Që të bëhesh një guider profesionist kërkohen disa kritere, duke filluar që nga komunikimi, ku guideri duhet të jetë padiskutim një komunikues shumë i mirë, i saktë, i qartë dhe me etikë. Gjithashtu, duhet të ketë njohuri të mira në drejtime të ndryshme si: historia, gjeografia, kultura, aktualiteti, turizmi në tërësi etj. Tjetër kriter është menaxhimi i grupit dhe situatave të ndryshme që mund të paraqiten. Guideri duhet të dijë të japë dhe ndihmën e parë, në ato raste kur ndodh diçka e papritur. Sigurisht që dhe njohja e një ose më shumë gjuhëve të huaja përbën një avantazh shumë të madh.

Çfarë kriteresh duhen? Zotësi, miqësi apo njohuri?

Në këtë profesion nuk ka të bëjë miku aspak. Ky profesion kërkon zotësi, njohuri, shkathtësi dhe pasion.

E kishe imagjinuar veten ndonjëherë në këtë profesion?

Në fakt, sa mbarova arsimin e mesëm, vijova studimet e larta me dëshirën që të bëhesha mësues gjeografie, por që në fëmijëri udhëtimet i kam pasur shumë pasion. Duke parë se dega, të cilën studiova ofronte afërsi me profesionin e guiderit, mund të them se sot jam në rrugën e duhur. Asnjëherë nuk ndihem i plotësuar me veten, por dua të arrij më lart dhe të perfeksionohem akoma më shumë.

Është një profesion i ri apo ka ekzistuar më parë?

Ky është një profesion relativisht i ri dhe, me zhvillimin që ka marrë turizmi vitet e fundit në vendin tonë, kërkesa për guiderë është rritur ndjeshëm. Si instruktor pranë një shkolle profesionale për kursin Guidë Turistike, kam trajnuar shumë të rinj e të reja, ku një pjesë e mirë e tyre gradualisht kanë filluar t’a gjejnë veten në tregun e punës.

Sa janë të interesuar të rinjtë?

Të rinjtë kanë filluar të interesohen shumë rreth këtij profesioni, sepse mbi të gjitha është një profesion që lidhet dhe me moshën e re. Siç e thashë, në kursin që kam zhvilluar, pjesa më e madhe kanë qenë të rinj. Shpesh në kontaktet që kam me ta, më kërkojnë informacion dhe eksperiencë se si mund t’i hyjnë këtij profesioni kaq interesant.

Angjencitë turistike sa e vlerësojnë rolin e një guideri?

Duke qenë se guideri është i lidhur ngushtësisht me realizimin e udhëtimit dhe udhëtarët, agjencitë e vlerësojnë shumë rolin e guiderit, sepse është ai që e realizon turin dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë gjatë gjithë udhëtimit me turistët. Rrjedhimisht, agjencitë janë shumë të interesuara për të bashkëpunuar me guiderë cilësorë.

Po turistët, ata që janë në qendër të vëmendjes, si e vlerësojnë guiderin?

Edhe për turistët mund të them të njëjtën gjë, sepse guida është e nevojshme për t’i udhëhequr ata gjatë turit që do të realizojnë.

Kush janë më të interesuar për pasjen e guiderit, turistët e huaj apo ata vendas?

Interesi është i përbashkët, si për turistët e huaj, ashtu dhe për ata vendas, për të pasur guidë gjatë udhëtimit. Por ka dhe turistë të huaj dhe shqiptarë që, në raste të veçanta, nuk marrin guide, sepse duan t’a eksplorojnë vetë vendin, duke bërë, në një farë mënyre, vetë guidë. Por, sigurisht, pasja e një guide me vete është shumë herë më efikase dhe e pasuron udhëtimin me shumë elementë.

Me zhvillimin e turizmit, a vijnë duke u shtuar kërkesat për guider?

Turizmi është e ardhmja e vendit tonë dhe vitet e fundit, më saktë 10 vitet e fundit, ka marrë një zhvillim të madh. Rrjedhimisht, edhe kërkesat për guida cilësore janë shtuar shumë. Por ende duhet thënë që tregu nuk ka mjaftueshëm guida që i përmbushin kriteret, kështu që është e nevojshme që ky profesion të promovohet dhe krijohet një mundësi për të përgatitur guida cilësore dhe të çertifikuara.

Je penduar që nuk e ndoqe profesionin tënd të mësuesit të Gjeografisë?

Nuk jam penduar që nuk ndoqa profesionin e gjeografit, sepse, në fund të fundit, pak a shumë këtë profesion e gjej tek guida dhe, sigurisht, më jep edhe të ardhura ekonomike më të mëdha.

Cilat janë vështirësitë, me të cilat përballesh në një ditë pune të zakonshme?

Vështirësitë, me të cilat një guider përballet, mund të jenë të ndryshme, por një guider i mirë është një menaxhues i mirë i situatave të ndryshme që mund të paraqiten, kështu që ai i merr parasysh të gjitha gjërat dhe i paraprin gjithçkaje, për të eliminuar ose zgjidhur çdo vështirësi që mund të shfaqet.

Ka pasur raste kur kanë ndodhur incidente në një tur guide? Si i menaxhoni?

Ka patur dhe raste kur kanë ndodhur incidente gjatë udhëtimit, aksidente të vogla, por, duke pasur parasysh që guideri është i aftë të menaxhojë çdo situatë dhe konkretisht të japë ndihmën e parë, çdo gjë është në kontrollin e tij. Menaxhimi i situatave të tilla është një nga kompetencat kryresore që duhet të zotërojë një guider cilësor.

Sa vite keni në këtë profesion dhe ku e shihni të ardhmen tuaj?

Të ardhmen e shikoj të ingranuar plotësisht në këtë profesion, madje me plane edhe më të mëdha, duke krijuar një tour guidë timen. Jam në rrugën e duhur për këtë gjë.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet shtetërore për t’a zhvilluar akoma më tej këtë profesion?

Institucionet shtetërore përkatëse duhet të krijojnë më shumë mundësi për të mbështetur këtë profesion, duke organizuar kurse profesionale me instruktorë cilësorë dhe me eksperiencë, trajnime, çertifikime dhe specializimin e guidave në profile të ndryshme, si guidat në vende kulturore, arkeologjike, natyrore, në zonat urbane, në shpella etj.

A e kemi ne infrastrukturën e duhur për turizëm malor, ujor, historik, kulturor, etj?

Vendi ynë është një vend i pasur me resurse të mëdha natyrore, historike, kulturore, arkeologjike, religjioze etj. Infrastruktura ende nuk është në nivelin që kërkohet, por duhet thënë që po punohet me ritme të kënaqshme që turistëve t’u ofrohet infrastruktura e nevojshme, sepse kështu gjenerojmë dhe të ardhura për ekonominë e vendit.

Për cilin turizëm interesohen më shumë turistët vendas dhe të huaj?

Kjo është relative. Turistët e huaj, kryesisht nga Lindja, interesohen për turizmin natyror, veçanërisht atë malor. Turistët perëndimorë për turizmin veror dhe atë urban. Turistët vendas interesohen më shumë për turizmin veror dhe eksplorimin e natyrës.

Çfarë ju sugjeron personave që mund të jenë të interesuarpër këtë profesion?

Të gjithë atyre që janë të interesuar për t’u bërë guiderë do t’iu sugjeroja të fillojnë të marrin pjesë në udhëtime të ndryshme që realizohen nga tour guidat, nga grupe të ndryshme, individualisht, etj. dhe të ndjekin trajnime e kurse të ndryshme në këtë fushë.

(Nga Flutura Tota, Shqiptarja.com)

4,954 Lexime
8 vjet më parë