INTERVISTË

Mësuesja që nxit dhe edukon nxënësit përmes lëndës së teatrit

Intervistë me mësuesen Amarda Muskaj, rreth mënyrës si realizon praktikisht lëndën e teatrit. Mbi rëndësinë, pasionin, dëshirën dhe përkushtimin për këtë lëndë na flet mësuesja.

Si ju ka lindur ideja për të realizuar orë të tilla?

Teatri siç dihet është lëndë e detyrueshme dhe unë si mësuese përpiqem që njohuritë teorike, nxënësit t’i venë në zbatim. Kjo mënyrë më duket mjaft efikase. Lënda e teatrit i ndihmon fëmijët të zbatojnë praktikisht lëndët teorike.


Sa impenjim kërkon realizimi i orëve të tilla?

Nuk kërkon shumë kohë, mjafton dëshira e mirë e nxënësve. Nxënësit shfaqin shumë interes dhe i mësojnë pasazhet e tyre me shumë dëshirë. Le të themi se orën praktike të teatrit nxënësit e presin me padurim. Duket si një festë e vërtetë!


Cili ishte fokusi i orës së sotme?

Fokusi është ndërtimi i karaktereve të thjeshta, njerëz të cilët i takojmë në jetën e përditshme, ata me të cilët e ndajmë jetën. 

Cili është qëllimi i ndërtimit dhe realizimit të këtyre karaktereve?

Në momentin që ne vendosim ‘në skenë’ një fragment, nxënësit ndërgjegjësohen. Unë përpiqem të jem sa me edukuese dhe ndikuese. Kësaj radhe vetë nxënësit më propozuan këtë ide: “Të ndërtojmë karaktere të jetës së përditshme”. Menjëherë e aprovova, në mënyrë që nxënësit të kuptojnë rëndësinë e bashkëveprimit, mirësjelljes, raporteve familjare, shoqërore, etj.


Cilët ishin këto personazhe?

Këto personazhe ishin nëna, babi, gjyshja, shoku, pra në një farë mënyrë morën role dhe pozicione të ndryshme. Qëllimi final është të përfitojmë diçka përtej një të mësuari standard. 


Keni një mesazh për mësuesit e lëndës së teatrit?

Jini kreativë! Dashurojeni punën tuaj! Nëse realizoni orë të bukura, ato do të mbesin gjatë në kujtesën e nxënësve, si dhe edukoni përmes mësimdhënies.


(Intervistoi P. Shtini; Portali Shkollor)

4,136 Lexime
4 vjet më parë