tirana në syrin e studentes

Mirëmbrëma Tiran'!

“...Cili është romani i fundit që ke lexuar? Po hera e fundit që shkove në teatër? Robert Ndrenikën e ke ndjekur ndonjëherë? Ke dëgjuar ndonjëherë ndonjë recitim të Mirush Kabashit a ndonjë poezi të Ali Asllanit recituar shpirt e zemër...”

Aty përtej dëgjohet zhurma e protestës së atyre pak qytetarëve që duan të mbrojnë Tiranën nga betonizimi i mëtejshëm, këtu poshtë ballkonit të shtëpisë në semafor makinat nxitojnë njëra-tjetrën me atë borien shurdhuese thua se te gjithë janë daltonikë e nuk e dallojnë të kuqen që të vret sytë.


Ndërkohë më të madhen zhurmë, atë të vërtetën, e bëjnë ata që duket se ecin qetë në trotuare.  Të kap syri ndonjë shqiptar tipik, të cilit i prishet reputacioni po të presë në semafor si gjithë të tjerët, ndaj e sheh të vrapojë mes për mes rrugës e sapo mbërrin në anën tjetër, ngadalëson hapat e kthen sytë me krenari nga të dyja anët për të treguar se është “i fortë” ai.


Eh, mor mik... s’ke faj, janë të fortë shqiptarët, e meqë ti s’ke gjë tjetër në dorë për ta treguar këtë, e tregon me të vetmen gjë që mundesh.


Pastaj, e lë të qetë atë “të fortin”,  i hedh sytë sërish në trotuare…Muzgu ka rënë tanimë e lëvizjet e qytetarëve janë shtuar.


Sheh vajzat që me të qeshurën e lehtë e mollëzat pak të skuqura nën sy, nxitojnë për atë dreq takim të lënë, po që u bënë sërish vonë si gjithmonë. Shaka kjo…Nuk ka më sot vajza që dalin veç me mollëzat e skuqura, ose ka po rrallë e për mallë t’i sheh syri në rrugët e kryeqytetit.


Më e zakonshmja që sheh janë çupkat “e emancipuara” që kanë vendosur me aq kujdes make-up-in dhe penelin, kanë realizuar mjeshtërisht dritëhijet, që kanë vendosur buzëkuqin e asaj markës së famshme që të na falni se emrin s’ia dimë, e që “kundërmojnë” deri këtu në katin e pestë aromën e Victoria Secret që e mbajnë fshehurazi në çantën e vogël, që të mos ua shikojë vëllai se e kanë dhuratë nga i dashuri..


Atje pak më tej sheh atë 18-vjeçaren që sapo i ka dhënë fund maturës ( e një Zot e di ç’ka bërë më ato provime) që ecën lirshëm me fustanin se sa pëllëmbë mbi gju se di, po më mirë të them një pëllëmbë poshtë vitheve, që e veshi sapo babi doli nga shtëpia… I duket se tani ka botën në duar e demek i jep jetë me atë të qeshurën që s’di ku e gjeti gjithë atë zë që u dëgjua deri këtu lart…Ah, po kjo është forma për të patur vëmendjen e që ata çunat “trendy” atje tej  të kthejnë kokën...


Po vogëlushe, po... Se di në është e drejtë të them se s’ke faj as ti…


Cili është romani i fundit që ke lexuar? Po hera e fundit që shkove në teatër? Robert Ndrenikën e ke ndjekur ndonjëherë? Ke dëgjuar ndonjëherë ndonjë recitim të Mirush Kabashit a ndonjë poezi të Ali Asllanit recituar shpirt e zemër nga Reshat Arbana?


Kush janë këta apo jo? Po, s’ke faj as ti jo... S’ke patur kohë për këto, angazhimet janë të shumta, oraret e pasdites janë të zëna: 15:00-17:00 orari te estetistja, 17:00-19:00 seriali që se lë dot pa parë se “vdes” për atë aktorin që është “yll”, pastaj pak pushim se je lodhur…


Ç’trishtim e diela mbrëma në kryeqytetin e madh e të vogël njëkohësisht..!

Të vetmen të bukur që ka është ky perëndim shpresë-dhënës se ndoshta nesër do të agojë një ditë më e mirë…


(Joana Osmenaj, Portali Shkollor)

2,542 Lexime
6 vjet më parë