
“Një copëz jete...” nga Anila Ballhysa
“Një copëz jete...” është shkrimi letrar i Anila Ballhysa, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Shtator...
Jeta vazhdon në rutinën e saj dhe tërë qenia tretet si qiri, pak e nga pak, në hapësirën reale duke shtyrë ditët dhe dëshirat e sotme me fjalën gënjeshtare ”Nesër”.
Ndërsa bota rri e heshtur, mizore në pamjen e saj, pyes veten:
“A mund t`i japë kjo botë ngjyrime jetës sonë? A ndikon ajo në karakterin e sjelljet tona?
Me bindje të plotë them se po. Dhe çdo ditë ndeshem me realitete të ndryshme, e padyshim edhe përballjet janë të ndryshme.
Ishte viti 2000….
Do të përsëritej rituali i zakonshëm i marrjes së klasës së gjashtë, pasi kisha dorëzuar të nëntat. Përballja e parë me klasën ishte sa e bukur, emocionuese, aq edhe trazuese. Prezantimi me nxënësit ishte interesant. Të gjithë kishin dëshirë të tregonin për veten, madje kishte raste që tregonin edhe për të tjerët. Çiltërsia dhe pafajësia e tyre më mbushte shpirtin, më rinonte… Lumturohesha kur dëgjoja zërat dhe mendimet e tyre të sinqerta. Ato i ngjasonin këngës së bilbilit, aq të ëmbël e të bukur ishin.
-Po ti, si quhesh? - iu drejtova vajzës në bankën e fundit.
Më tërhoqi pamja e saj: flokët e dendur gështenjë, sytë kaf të mëdhenj, buzët e vogla si qershi. Ajo qëndronte e vetme dhe e trishtë.
-Inva, - u përgjigj ngadalë ajo, sikur donte të mos ua prishte qetësinë të tjerëve.
-Është pa mama, jeton me njerkë mësuese, - u dëgjuan disa zëra në grup. Mbi mollëzat e kuqe të vajzës dy pika lot rrëshqitën.
-Ç`bëra?! - i thashë vetes, - më mirë mos e kisha pyetur.
Fëmijët janë të vërtetë, çdo gjë e thonë siç e kanë dëgjuar. Iu afrova Invës. Ia përkëdhela flokët dhe e ftova të dilnim jashtë. E përqafova dhe me shpirtin copë i thashë:
”Unë jam këtu, për çdo gjë që të kesh nevojë, dua të më japësh fjalën se me mua do të flasësh sikur të isha nëna jote.’’
Më shtrëngoi me duart e vogla dhe më falënderoi duke belbëzuar: “Po mësuese!”.
Inva kishte ardhur nga një shkollë tjetër. Duhej të interesohesha për të. Ditët vazhdonin në rutinën e tyre. Çdo ditë e javës ishte e mbushuar me ngarkesat dhe streset e nxënësve. Ajo vogëlushe qëndronte e heshtur, e brishtë dhe stoike në mendjen dhe shpirtin tim. Tashmë ishte bërë pjesë e jetës sime. Flisja për të edhe me vajzat e mia, aq sa e vogla kishte filluar të shfaqte shenja të lehta xhelozie.
Njëherë në tryezë, instiktivisht shtrova një set të enëve më tepër se sa pjesëtarët e familjes. Vështrimi i së voglës sime më zgjoi nga ëndrra. Ajo ishte kryqëzuar në tavolinë, ishte në këndin tim, në dhomat e mia, te vajzat e mia, në familjen time...
Rrëmbimthi u ngrita, tërhoqa të voglën për dore dhe duke e sqaruar me ca fjalë të përcipta dhe të shkëputura u gjendëm në supermarkete e dyqane. Lashë vajzën të zgjidhte, pashë në sytë e saj dhembje e dashuri njëherazi.
-Më në fund, - thashë me vete, - po më kupton.
Me zërin e butë, të qetë e të ëmbël Erda më pyeste herë pas here se çfarë duhet të merrte. E dija që ishte e ndjeshme, e dashur, e doja të bëhej një me mua në brengën time.
-Sa e bukur është vajza ime! - i thashë vetes. E përqafova fort në kraharor. Tik-taket e zemrës së saj më ngjanin me akordat e një pianoje. Ka shpirt të butë, - mërmërita. Në kllapinë e fantazisë humba diku larg, në lotin e ngrohtësisë, duke harruar skena plot dhembje.
-Do të vij dhe unë me të, - më zgjoi zëri melodioz i Erdës. Nata m`u duk e gjatë, e pafundme. E verbuar nga drita e yjeve, vrapoj pas një ylli bredhës, derisa pashë të shfaqej ylli i mëngjesit. Të dyja, me dhuratat në duar, e takuam vogëlushen në oborrin e shkollës. Inva na përshëndeti pa u ndalur.
-Kjo është Erda, - e prezantova - vajza ime e vogël. Erda të njeh, të njeh më shumë seç mund ta imagjinosh, ti je pjesë e jetës sonë. Erda i zgjati dhuratat dhe një zarf. Më surprizoi, pasi s’e dija ç`kishte në të. (Më vonë mësova se Erda i kishte dhuruar të gjitha kursimet e saj). Qëndruan të dyja gjithë atë ditë, për ta vazhduar më tej miqësinë.
E ftonim shpesh Invën në shtëpinë tonë. Ishte e lumtur, edhe ne bashkë me të. U bë “vajza” ime e tretë, ”motra” e vajzave të mia. Kisha hequr nga supet një pjesë të brengës sime, u mundova të zë një copëz vendi në shpirtin e saj të plagosur, derisa vajza të largohej për te vëllezërit jashtë shtetit.
Ditën që u ndamë më përqafoi me lot në sy, duke më dorëzuar një letër, të cilën do ta ruaj për gjithë jetën.
“E dashura, e mira, e dhembshura mësuese,”nëna ime”!
Dua të të falënderoj, por fjalët janë të pakta përpara asaj që ti ke bërë për mua. Isha vajza më e vuajtur, isha një emër i plagosur, njollosur me ndjenjën e fajit që kur linda, me fashat e vuajtjes jam lidhur që në djep.
Eca me vuajtjet e tmerrshme dhe ankthet e gjata, bashkë me gënjeshtrat, thumbimet, copëtimet...
Kaluan vite...
Erdhe në jetën time atëherë, kur i lutesha Zotit për një Engjëll mbrojtës. Ti zbrite tek unë atëherë, kur jeta ime ishte plot erëra e rrufe të frikshme.
S`do të të harroj kurrë ‘Nëna ime e dytë’.
Të dua pafund. Inva!”
Lotë të nxehtë më rrëshqitën pa e kuptuar. Kisha bërë diçka të mirë në jetën time, diçka fisnike si vetë misioni ynë. Për herë të parë, në gjithë rrugëtimin tim m`u duk se e meritova të quhesha “Mësuese”.
Anila Ballhysa
Anila Ballhysa ka lindur në Peqin më 15.04.1974. Ka mbaruar studimet e larta në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në Universitetin ”Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Punon aktualisht në shkollën 9-vjeçare “Demir Godelli”, Peqin. Pasioni i saj është të shkruajë dhe puna me nxënësit me plot përkushtim.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Pak nga 30 vite emocion, pasion dhe dashuri për profesionin…” nga Albana Rrushi
“Gjeje vetë!” nga Lejla Duli
“Kush do të më brofë në këmbë nesër në mëngjes?” nga Thanas Dushku