Tregim

“Një letër dashurie”, histori nga shkolla, shkruar nga mësuesi Luan Stafasani

Më poshtë mësuesi Luan Stafasani rrëfen një ngjarje nga jeta shkollore. Në këtë tregim dukshëm jepet mesazhi se komunikimi i mirë mësues-nxënës jep rezultat për zgjidhjen e çdo problematike apo çështjeje që ndodh brenda mureve të shkollave.

Nuk kishin kaluar më shumë se tre muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe me nxënësit e klasës sime kujdestare kishim krijuar një mirëkuptim për t'u admiruar për sa i takonte procesit mësimor-edukativ. Numri 26 i nxënësve ishte ndarë si me thikë, 13 me 13, mes djemve dhe vajzave që vinin më së shumti nga fshatrat përreth njësisë administrative ku punoja.


Bufoni binte në sy jo vetëm nga emri që mbante, por dhe nga dëshira për t'u bërë portier i famshëm, si ai të cilit i mbante emrin. Për këtë gjë ai stërvitej rregullisht në shkollë nga mësuesi i fizkulturës, një ish-futbollist i njohur i trevës sonë. Dhe kur kthehej në shtëpi, pothuaj gjithë kohën e kalonte duke u stërvitur e duke luajtur futboll. Për të gjitha këto sa thashë, Bufoni zuri vendin e titullarit në ekipin përfaqsues të shkollës. Në kampionatet e shkollave që zhvilloheshin, ai spikaste për zotësinë etij si portier e për këtë nderohej përherë me çmime e certifikata si lojtari më i mirë i akitivitetit. Për këto arritje ai evidentohej e lavdërohej para shkollës e sigurisht na kishte bërë të njohur edhe klasën e VI-D. Bufoni ynë kishte aftësi shumë të mira fizike. Vinte i gjatë nga shtati, me flokë të shkurtra të zeza, përpiqej të kishte modelin që mbante Bufoni i madh për flokët. Dhëmbët e bardhë, sytë gështenjë, balli i lartë e bënin të dukej shumë simpatik. Në mësime gati s'ia thoshte fare, po kjo gjë i tolerohej pak nga mësuesit dhe vetja e tij për shkak të performancës si futbollist dhe ëndrrës që të bëhej si Bufoni i madh. 


Shpeshherë e këshilloja dhe i thoja që s'mund të bëhej ai që ëndërronte pa mësuar e pa bërë shkollën e lartë, ndaj duhej  t'i kushtonte rëndësinë që i takonte edhe mësimeve. Bufoni gjithmonë më jepte të  drejtë dhe me zërin e hollë, që siç dukej, ende nuk i ishte pjekur, më thoshte: 

-Po mësues, ke të drejtë, do të filloj të ndryshoj. 

Një ditë, pasi kisha përfunduar orët e mësimit, kërkova leje te drejtoria e shkollës për t'u larguar pak para përfundimit të orarit përfundimtar, sepse diku duhej të shkoja. Të nesërmen, me të shkuar në shkollë, ishim rreshtuar para klasave kujdestare, në pritje për t'u futur nëpër klasa,  ku më afrohet nëndrejtoresha e më thotë si me shaka e si seriozisht:

-Urime profesor! Klasës, siç duket, i keni injektuar me teprì romantizëm, deri sa edhe Bufoni ia ka dalë të shkruajë një letër dashurie për një vajzë në klasën VI-B. Dhe kjo ka ndodhur, pasi ju morët leje për t'u larguar nga shkolla. Këtë të fundit m'u duk sikur ma tha që të mos e çoja ndërmend të kërkoja leje, të paktën hë për hë. Gjithmonë në fytyrat e drejtuesve tonë vizatohej një lloj bezdie, sa herë kërkonim leje. 

-Po letra ku është? -pyeta unë. Jam kurioz të di, a ka qëlluar?

-Thirre e tërhiqi veshin, po për këtë gjë më gjatë do të flasë edhe drejtori, -mbylli bisedën nëndrejtoresha. 

Hodha sytë nga Bufoni që rrinte në fund të rreshtit. Sapo ndeshi shikimin tim, i uli sytë përdhè. Ai më kujtoi veten time, se dhe unë në moshën e tij kisha guxuar t'i shkruaja Mirvanës një letër të ngjashme, më saktë një vjershë, ku i thurja himn bukurisë së saj. Letrën e kisha futur te libri që më kishte sjellë për ta lexuar, ngaqë shkëmbenim shpesh me njëri-tjetrin. Të nesërmen letrën ma ktheu bashkë me librin që i kisha dhënë e më tha me gjysmë zëri:

-Faleminderit, por nuk më bëjnë punë, ndryshe... 

Nga ai moment nuk pata kurajë e as dëshirë ta shikoja Mirvanën. 

Në pushim të gjatë drejtori më thirri në zyrën e tij. Ai ishte një burrë shumë korrekt,që vlerësonte pa masë edhe detajin më të vogël. Sa herë e shikoja, më kujtonte atë thënien: "Edhe virtyti kur e kalon masën, bëhet ves". 

E çuditshme edhe gjëja tjetër që në shkollë s'e kisha parë asnjëherë të qeshte. Pasi zura vend përpara tij, më tha që prindi i vajzës që ka marrë letrën, i kishte shkuar te shtëpia, ngaqë ishin bashkëfshatarë e moshatarë dhe i shqetësuar i kishte treguar për letrën. Ai e kishte quajtur punë kalamajsh e ngaqë ishte me punë në minierë, ia  linte drejtorit ta mbyllte këtë punë. 

-Mos e thuaj, -e kishte qetësuar drejtori. 

Shqetësimi në sytë e drejtorit ishte i dukshëm. E qetësova duke i thënë se besoja që do ta bisedoja me Bufonin në fund të orës së mësimit. Kisha parasysh natyrën pozitive të djalit dhe familjen prej nga vinte. Ishte familje me emër të mirë në zonë. Kështu ndodhi në fund të orës së mësimit. Me Bufonin qëndruam në klasë të dy ballë për ballë. I thashë që ai besoj e kuptonte temën për të cilin do të flisnim. Disi i turpëruar pohoi me kokë. 

-Le ta quajmë një fluturim të parakohshëm,-vazhdova me tutje. Si çdo gjë para kohe edhe kjo sjell problemet e veta. 

Gjërat ndodhin në kohën e vet. Derisa të shkosh te të tetëmbëdhjetat, si rregull këto gjëra nuk funksionojnë. Mos u shpërqëndro nga gjërat e rëndësishmë që ke përcaktuar:

"Të bëhesh si Bufoni e njëherësh të mësosh. Kur të arrish moshën e suksesit, të jesh i sigurt, që dhe të tjerat s'do të mungojnë.Pastaj kur t'i gabon edhe mua më tërheqin veshin. Qoftë edhe për këtë gjë nuk besoj se do ta mendosh përsëri një gabim të tillë”. 

-Si thua? -i thashë- ta tokim besën? 

-E tokim! -më tha, -siç e lamë, deri te të tetëmbëdhjetat.

Shkruar nga Luan Stafasani


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,417 Lexime
2 vjet më parë