Një letër mirënjohjeje për mësuesen, rrëfimi i ish-nxënëses Olta Troka për Evlonda Përlalën

Ky shkrim prekës i është kushtuar mësueses Evlonda Përlala nga ish-nxënësja e saj, Olta Troka. Autorja, e cila sot studion për Mjekësi të Përgjithshme në vitin e dytë, rrëfen ndikimin e madh që mësuesja ka pasur në formimin e saj dhe dashurinë për gjuhën, letërsinë dhe vlerat e ndershmërisë.

Për çudi, e kam kujtuar shumë këtë periudhë frazën e një mësueseje:

“Kush e lexon, kupton se sa ndikim ka tek ti presore Eva!”

Dhe s’ka si të jetë ndryshe…

Kanë kaluar plot 9 vite që prej ditës së parë kur vetvetja ime njëmbëdhjetëvjeçare u magjeps pas një dashurie letrare si ajo e jotja.

Për mua ti ishe vetë Gjuha & Leximi!

Ti ishe vetë Poezia!

Jo më kot do të rrezatoje mbi qasjen time ndaj letërsisë,

sepse tek unë letërsia mbart gjithmonë kujtimin tënd!

Më vonë, kur u rrita mjaftueshëm, kuptova se ti vërtet kishe ndikuar aq shumë tek unë.

Në momente kur askush s’më kuptonte se si nuk do të mundja kurrë të kopjoja për notë, pasi, ashtu siç më ke mësuar ti, asgjë nuk ka vlerë për sa kohë nuk është e merituar — edhe pse shoqëria jonë priret nga vesi i të fituarit të gjërave në mënyra aspak të drejta…

Presore Eva, ti për mua gjithmonë mbete Drejtësi!

Kujtoj gjithmonë se sa me dashuri shpjegoje, se sa ëmbël më vështroje pasi kisha mbaruar së lexuari esetë e mia, se sa besim më falje dhe se sa shumë dritë ishe — dhe ende mbetesh!

Të kujtoj gjithmonë, ashtu sikurse nuk rreshta asnjëherë së kujtuari.

Sepse si mund të harrojë njeriu prej nga i burojnë rrënjët?

Uroj me shpirt më të mirat për ty dhe njerëzit e tu të zemrës!

Qofsh përherë mësuesja që frymëzon, ndriçon dhe zbukuron kudo ku shkon.

Qofsh përherë mësuesja ime Evlonda, mësuesja ime vërtet e parë dhe unike!

Gëzuar 7 Marsin dhe ditën e lindjes, e bukura, fisnikja, e mençura — zysha ime vërtet e parë!

Nuk do të mund të bëheshin kurrë dy si ty!

Edhe pse gjithmonë të kanë dhënë më pak nga sa ke merituar, të gjithë e dimë — ti, unë, edhe ata e dinë…

Ti je një diell i pamohueshëm që kurrë nuk zbehet!

Ti je vetë Gjuhë&Letërsia!


Olta, që nuk rreshti kurrë së dashuri




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

270 Lexime
1 orë më parë