Një nxënëse që frymëzon: Eseja e Amandës mbi librin e saj të parë
Amanda Lutaj, nxënëse në klasën e 11-të në Kolegjin “Turgut Ozal” dhe autore e librit “Libri im i parë - Ku do të mësoj nga çfarë rrethohem”, na ka sjellë këtë ese frymëzuese ku rrëfen udhëtimin e saj drejt krijimit të librit, një përpjekje unike për ta bërë biologjinë të dashur e të kuptueshme për fëmijët.
Frymëzimi për të krijuar librin tim “Libri im i parë - Ku do të mësoj nga çfarë rrethohem” lindi nga një ndjenjë e thellë dashurie për dijen dhe biologjinë. Që në fëmijëri, isha fëmija që bënte pyetje pa fund e këto pyetje më çuan drejt një pasioni që më vonë do të formësonte rrugëtimin tim, biologjinë.
Megjithatë, për mua si fëmijë, biologjia shpesh dukej e ndërlikuar. Termat shkencorë ishin të vështirë për t’u kuptuar, shpjegimet në librat shkollorë ishin tepër teknike, dhe mungonte ajo ndjesi ngrohtësie që një fëmijë ka nevojë ta ndiejë kur mëson për herë të parë. Pikërisht atëherë lindi ideja për të krijuar një libër që ta bënte biologjinë të dashur, të kuptueshme dhe të bukur.
Një libër që nuk i tremb fëmijët me teori, por i fton të kuptojnë botën me kureshtje dhe me zemër. Kështu u formua “Libri im i parë - Ku do të mësoj nga çfarë rrethohem”, një përmbledhje e koncepteve bazë të biologjisë në një mënyrë krejt të re: me gjuhë të thjeshtë, përkthim paralel në anglisht dhe me shumë ngjyra, shembuj e aktivitete që e kthejnë mësimin në lojë. Libri përfshin temat më interesante të jetës, që nga trupi i njeriut, bimët, kafshët, e deri te mikroorganizmat, imuniteti dhe gjenetika, duke i paraqitur ato në mënyrë që çdo fëmijë të mund të thotë me krenari: “Unë po mësoj për botën që më rrethon.”Një pjesë e veçantë e librit është ndarja dygjuhëshe: çdo faqe në shqip shoqërohet nga përkthimi në anglisht. Kjo e ndihmon lexuesin e vogël të mësojë jo vetëm shkencën, por edhe një gjuhë të huaj, duke ndërtuar themelet për studime më të thella në të ardhmen. Për mua, kjo është mënyra më e bukur për të bashkuar dijen shkencore me aftësitë ndërkulturore, dy shtylla thelbësore për brezin e ri.
Përvoja ime në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare të biologjisë më dha bindjen se kisha jo vetëm pasionin, por edhe dijen e duhur për të krijuar një libër që flet me saktësi shkencore dhe me shpirt pedagogjik. Ato përvoja më mësuan se sa e rëndësishme është ta shpjegosh shkencën në mënyrë të thjeshtë, pa e humbur thelbin e saj. Pikërisht aty ku unë si nxënëse kam ndier vështirësi, kam dashur t’i ndihmoj fëmijët e tjerë të ndjehen të afërt me biologjinë dhe ta kuptojnë atë me gëzim.
Në këtë rrugëtim nuk munguan vështirësitë. Gjatë procesit të krijimit u përballa me sfida që varionin nga përkthimi i termave të ndërlikuara shkencore në një gjuhë të kuptueshme për fëmijët, deri te balancimi mes saktësisë shkencore dhe gjuhës poetike që ngjall emocion. Doja që çdo faqe të ruante vërtetësinë e biologjisë, por edhe magjinë e fëmijërisë, sepse në fund të fundit, libri nuk është vetëm për të mësuar, por për të dashur dijen.
Në faqet e tij, fëmijët do të gjejnë jo vetëm shpjegime, por edhe pyetje reflektuese, fakte interesante, aktivitete praktike dhe vlerësime të vogla që i ndihmojnë të zhvillojnë mendimin kritik. Kam dashur që çdo kapitull të jetë një dritare e hapur drejt botës, që nxit fëmijët të vrojtojnë, të eksplorojnë dhe të kuptojnë se biologjia nuk është vetëm në libra, ajo është kudo rreth nesh. Ky libër është një ftesë për të parë jetën me sy të rinj. Ai synon të mbjellë tek fëmijët dashurinë për mësimin, respektin për natyrën, dhe kujdesin për trupin dhe shëndetin. Biologjia, në thelb të saj, është shkenca e jetës, dhe jeta, për mua, është gjithmonë një mrekulli që ia vlen të njihet, të studiohet dhe të mbrohet.
Sot, libri sapo ka filluar udhëtimin e tij drejt lexuesve të vegjël. Edhe pse ende nuk është shpërndarë plotësisht, unë e imagjinoj momentin kur fëmijët do ta mbajnë në duar, do të buzëqeshin përballë ilustrimeve, dhe do të ndalen te pyetjet që i nxisin të mendojnë. Shpresoj që ai të bëhet një mik i ri në rrugën e tyre drejt dijes, një dritë e vogël që ndez kureshtjen për jetën.
Ky libër është për mua një ëndërr që sapo ka nisur të marrë frymë. Një projekt që shpresoj të frymëzojë jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit, mësuesit dhe të gjithë ata që besojnë se dashuria për dijen fillon që në moshën më të vogël. Në çdo pyetje që lind, fillon një ëndërr e re, dhe ky libër është dëshmia ime e parë për këtë besim.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
Ese “Jeta njerëzore është një dhuratë shumë e çmuar”
Poezi nga nxënësja Steisi Ndoni, talenti i vogël me ëndrra të mëdha