ESE ARGUMENTUESE

Njeriu dhe COVID-19

Maturantja, Ejona Boçi e gjimnazit "Dhaskal Todri" Elbasan ndan sërish me ne një krijim të saj. Në esenë e radhës argumentuese ajo bënë një parantezë mes situatës ku gjendemi prej COVID-19 dhe veprave të para shumë kohëve të cilat japin mesazhe të forta shprese për jetën.

Herë pas here bota i nënshtrohet sfidave të fuqishme për të treguar se edhe ajo është në luftë. Është në luftë deri në grimcën e rërës. Askush nuk e mendon se mund të jetë në luftë me diçka të padukshme. Ngjan si një motiv surreal interesant për filmat fiction. Ndoshta nuk duhet shkuar kaq larg. Gabriel Garcia Marquez ka strukturuar vepra të tëra me motivet e epidemisë. “Dashuri në kohën e kolerës” ku ai thotë se ia vlen të presësh për jetën, njëlloj siç priti FIorentino Arazi dashurinë e penguar me aromën e bajamave për 57 vjet. Paralelisht, edhe në këtë situatë askush nuk duhet t’i trembet vdekjes nga ky COVID. Pse? Sepse njerëzit kanë obsesione ende më të forta se vdekja, që i kthejnë në luftëtarë që e duan fort njëri-tjetrin.


Dikur një thënie shprehte“Çdo gjë që më vret më bën të ndihem gjallë", ndoshta tani kjo nuk mund të merret si gjë tjetër, përveçse një motivi komik dhe motivi spiritual. Është e vërtetë që ndoshta kjo botë po bëhet skëterrë siç thoshte Kadareja. Jeta është aq e murrme sa nuk ia vlen më të mendosh për të. Ndoshta duket patetike për disa të terë që thonë optimizëm. Në fakt optimizmi është ilaçi i vetëm ndaj këtij tuberkulozi kozmik. Epidemia e madhe që kemi ne njerëzit është ajo që kemi në shpirt. Kemi ego, ankth, inate, të qeshura e të qara. E tashmë në kohën e COVID, unë jam ulur në heshtje e po mendoj me britma. Ndaj kohën e jetës së vrullshme që po na e merr ky virus,mendojeni si kohë reflektimi. Gjithçka tani ka ngecur keqazi në shiritin e një magnetofoni që prodhonte harmoninë divine të botës. Ashtu siç thoshte Gabo, epidemia e pagjumësisë pushtoi një popull të tërë. Edhe kjo dukuri është kaq abstrakte. Ruani distancën, edhe pse keni vendosur distance shpirtërore me njerëzit që kohë me parë. Ato janë njëmijë herë më të gjata se një metër. Po shpresoj që kjo botë të ndryshojë. Mendoni të qeshura. Të qeshurat, ato kanë krijuar tunele më të thella në këto botë se sa të qarat. Ndoshta, duhet t’i kushtojmë rëndësi gjërave që më parë i kishim lënë në hije. Edhe sendet kanë natyrën e tyre personale, duhet ta zgjosh atë. Dielli do të ringrihet, ne do të përpiqemi sërish. Në këtë kohë, gjeni atë që doni dhe lëreni t’ju vrasë. Ajo që ne duhet të ndiejmë tani është mirënjohja, një margaritar i botës. Mirënjohje për mjekët dhe çdo njeri që merr guximin dhe i thotë vetes se duhet të dalë për ta ndryshuar këtë botë. E siç thotë në proverb: “Kush guxon, fiton!”. Ndoshta kjo nuk është aspak romantike. Është e tmerrshme. Por për gjërat që ne s’i njohim kemi përfytyrime të shfrenuara. Ndoshta duhet t’i drejtohemi këtij virusi me ndjesi të tipit “I dashur armik!”. Të paktën ai nuk ka ka marrë rrezet e ngrohta të diellit, agimet e trëndafilta, botët me gji të zjarrtë. Ai nuk na ka marrë mendimin dhe ndjenjën humane. Tashmë, më kujtohen disa nga vargjet më të bukura që kam lexuar dhe që thonë: “...bota kishte ndërruar lisa, uji i detit kaltëron në ditë të re”. Jeta është një cikël i pandërprerë dhe këtë nuk e mohon dot askush. Ne do të rindezim magnetofonin tonë dhe do të vazhdojmë aty ku lamë valset tona të çmendura.


Mos mendoni sesa kohë po humbni. Koha është një koncept që ne e krijuam. Një kohë e mirë dhe e drejtë për ne. Ndërsa shkencëtaret gjejnë një vaksinë për kurimin e këtij virusi, letërsia ka gjetur ilaçin e vërtetë e universal të kohërave: Bashkë dashurinë e paanë. Duajini gjërat me një dashuri që më tepër se një dashuri. Ky virus nuk do të na mposhtë sepse edhe në rrugët që tani janë disi të zbrazura, ne kemi lënë copëza të jetës sonë të cilat vdekja nuk i fashit dot. Ndoshta të duhet pak muzikë rock, pak dashuri e pak letërsi. Prandaj mos u dorëzo!


Nga Ejona Boçi


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

7,123 Lexime
3 vjet më parë