Nxënësit e shkollës "Protagonisti" analizojnë thëniet e artistëve të mëdhenj përmes eseve dhe komenteve
Disa nga nxënësit e klasave të shtata të shkollës jopublike "Protagonisti", të udhëhequr nga mësuesja e artit pamor Iriana Papamihali, sjellin ese dhe komente të frymëzuara nga thëniet e artistëve të mëdhenj. Lexoni reflektimet e tyre mbi artin, lirinë dhe krijimtarinë.
Sebi Perihana, Kjara Pecani, Roen Raço, Hajdi Xhelili, Iris Mema, Urania Milo dhe Victoria Bashari, nxënës të klasave të shtata të shkollës jopublike “Protagonisti”, sjellin në Portalin Shkollor ese dhe komente të frymëzuara nga thëniet e artistëve të mëdhenj. Nën drejtimin e mësueses së artit pamor dhe artistes Iriana Papamihali, ata reflektuan mbi kuptimin e artit, lirinë e krijimit dhe fuqinë e shprehjes artistike.
Duke u nisur nga mendimet e figurave të njohura si Horaci dhe Vasili Kandinski, nxënësit kanë ndërtuar këndvështrimet e tyre personale, duke treguar se arti nuk është vetëm ngjyrë, formë apo teknikë, por edhe emocion, imagjinatë dhe mënyrë komunikimi me botën.
Këto shkrime dëshmojnë se të rinjtë jo vetëm e vlerësojnë artin, por dinë edhe të reflektojnë me maturi e ndjeshmëri mbi rolin e tij në jetën e njeriut. Më poshtë gjeni esetë dhe komentet e tyre, të renditura sipas autorëve, ku secili zë vjen i veçantë, por të gjithë bashkohen në një ide të përbashkët: arti është një hapësirë e lirë për të shprehur veten.
Sebi Perihana VII c
Ese
"Një pikturë është një poemë pa fjalë.” Horaci
Arti është shpesh ndjenja që shprehim me anë të ngjyrës, teksturës, teknikave. Arti nuk është vetëm një pikturë, skulpturë, poezi, kërcim, këngë. Arti është reflektimi i shpirtit në një moment të caktuar të jetës sonë.
Poema shprehet me anë të fjalëve, ndërsa piktura me anë të ngjyrave.
Por sa herë shikojmë një pikturë, ose dëgjojmë një poezi, në imagjinatën tonë krijohen vetëm iluzionet se si ka qenë artisti në ato momente. Kështu kur krijojmë një pikturë ose poemë ne frymëzohemi gjithmonë nga ngjarjet që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë. Dua të them se Horaci ka pasur mjaft të drejtë me këtë thënie, që përkufizoi gjuhën e përbashkët të gjithë talenteve në fushën e artit.
Në një pikturë nuk kanë rëndësi ngjyrat, apo në një poemë nuk ka rëndësi fjalët, por ka rëndësi ajo të cilën ne përcjellim, rolin e brendshëm të artit.
Në përfundim, poema është pikturë, piktura është poemë, sepse në Universin e Arteve, ne shprehim të njëjtën gjë në mënyra të ndryshme.
Kjara Pecani VII c
Ese
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Arti është një fushë shumë e bukur. Në art mund të përshkruash atë që ti ke në imaginatë. Arti ndihmon të gjesh paqe dhe të kesh më tepër mendime pozitive. Një pikturë flet me shumë se 1000 fjalë. Ajo përfaqëson idetë që mendja e njeriut ka.
Unë zakonisht nuk pikturoj shumë, por kur kam ndjenja të caktuara i shpreh me art. Pikturat e mia përfaqësojnë emocionet që kam në çdo rast. Arti të ndihmon të shkëputesh nga realiteti. Të bën të mendosh për një botë të veçantë. Për atë botë që e ke vetëm ti në mendjen tënde. Shpesh herë shoh njerëz që duan të vizatojnë, por ndikohen nga mendimet e të tjerëve. Nuk ka lidhje nëse di apo jo të pikturosh. Edhe nëse vizaton një vijë të pjerrët, të çrregullt nuk tregon që ti nuk di të vizatosh. Tregon gjëndjen tënde, dhe ka një arsye se çfarë do të shprehësh me anë të saj.
Unë mendoj që asnjëherë nuk duhet ta shkurajosh tjetrin me fjalët që "ti nuk di", "e ke bërë keq" etj. Pasi kjo pikturë mbase për dikë nuk vlen, por për atë që e ka bërë ka një kuptim të thellë. Prandaj asnjë pikturë nuk është pa vlerë, sepse ajo mund të ketë një bazë të madhe emocionale për atë që e pikturon.
Roen Raço VII b
Ese
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Kur shihni një pikturë, çfarë mendoni? A mendoni se piktori kishte kufinj? A mendoni se, në vetvete, artisti e ndaloi veten nga të shprehurit e ndjenjave të tij? Pse do e bënte dikush këtë, dhe si do të ishin rezultatet?
Arti në vetvete është ndjesi e gjallë. Kur ti shpreh ndjenjat, të kufizuarit e vetes është një gabim i thellë. E çfarë fitohet nga një vepër e cekët? Nuk ka fitim nga një kufizim i pakuptimtë, që mund ta përmirësosh pikturën nga rregullat e përpikta të një "profesionisti", atëherë kur e gjithë esenca jote fshihet nga tabloja!
Pse krijojnë njerëzit barriera leksike që nuk e lejojnë kreativitetin të lulëzojë? Nuk i kuptoj kurrë librat e trashë që të nxjerrin gabime në çdo vijë, njerëzit e lartë që i ndalojnë të tjerët nga të arriturit atë, dhe shkollat e artit që mbarojnë me shpjegimet dhe fillojnë me kritika.
Pse duhet të ketë art "të mirë" e "të keq"? Pse duhet të ketë "duhet" e "s'duhet", kur i gjithë qëllimi i artit është që të jetë një formë shprehje pa kufij?
Për mua, arti është emocion i pastër, gjuhë botërore pa gramatikë, histori pa fillim e pa fund, dhe mendoj se rregullat thjesht ndotin maskën perfekte të zbulimit më gjenial që na ndan ne nga gjithë gjallesat e tjera të botës sonë të bukur.
Hajdi Xhelili VII c
Koment
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Kjo thënie nga Kandinski është kuptimplotë dhe lexuesit i mbetet në mendje për një kohë të gjatë. Arti nuk është vetëm një telajo ku piktori hedh ngjyra në tablo dhe krijon një pikturë, por ai hedh emocionet, ndjenjat, gjendjen shpirtërore që buron nga zemra.
Nuk ka rregulla në art, njeriu është i lirë të bëjë atë që do dhe kjo është e bukura e artit. Piktori e përdor penelin si një armë të fuqishme dhe ngre zërin e tij, proteston dhe godet fenomenet e shoqërisë, nëpërmjet artit. Këtë e kemi parë përgjatë historisë së artit.
Imagjinata s’ka kufinj, prandaj bëhet një frymëzim. Duket sikur një tablo flet më shumë se një poezi dhe kjo tregon lirinë e artistit. Kur artisti realizon një tablo, ai shpreh botën e tij të brendshme.
Iris Mema VII c
Koment
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Në art nuk ka “duhet”, sepse arti pasqyron ndjenjat dhe mendimet tona. Në një pikturë ne pikturojmë atë që ndjejmë dhe jo atë që na thonë të bëjmë ose ajo që “duhet”. Arti nuk është perfekt dhe nuk ka asnjë kufi, pasi ne në një pikturë mund të bëjmë gjithçka imagjinojmë. Çdo gabim ose çdo gjë që ne nuk na duket perfekte mund të jetë një formë e artit.
Arti nuk mund të futet në kornizën e fjalës “duhet” pasi çdo vepër arti është mënyra e ndryshme e dikujt për t’u shprehur. Nëse në jemi të gjithë të ndryshëm pse duhet të jetë arti njësoj dhe perfekt? Pra fjala “duhet” nuk vlen për artin, sepse krijimtaria nuk ka korniza dhe mund të bësh dhe të shprehësh çdo gjë në mënyrën tënde.
Urania Milo VII c
Koment
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Arti është pasqyrë më vete e lirisë, e një gjuhe e cila tregon një histori të veçantë të artistit, nëpërmjet ngjyrave dhe elementeve të artit.
Arti na jep një ndjesi shprehëse nga imagjinata jonë, por edhe një shpresë të lartë që na ndihmon. Arti është si një formë e bukur që secili mund ta kuptojë ndryshe, nga ajo që do të shprehë artisti me anë të pikturës që ka bërë.
Victoria Bashari VII c
Koment
"Në art nuk ka 'duhet', sepse arti është i lirë." Vasili Kandinski.
Arti nuk ka "duhet" sepse arti është një reflektim i shpirtit, emocioneve dhe jetës së një artisti. Rregullat nuk duhet të ekzistojnë, kur shprehja e emocioneve është prioritet, sepse rregullat vetëm kufizojnë.
Arti në thelbin e vet, është krijimtari e lirë; pa limite. Nuk kufizohet as nga stili i artistit dhe as nga niveli i aftësisë artistike të tij. Kjo ndodh, sepse i gjithë misioni i artit, është që të frymëzojë, të shprehë dhe të tregojë një histori pa përdorur fjalë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Poezi nga nxënësja Steisi Ndoni, talenti i vogël me ëndrra të mëdha
Një nxënëse që frymëzon: Eseja e Amandës mbi librin e saj të parë
Laura Kërtalli, e para maturante që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri