Nxënësja Dea Bilali: Ja pse duhet të lexoni librat "Ana flokëkuqja", "Poliana" dhe "Kampi Magjik i Përrallave"
Dea Bilali, nxënëse e klasës së 6-të në shkollën "1 Maji",Tiranë, ka lexuar dhe ka sjellë përshtypje për librat "Ana flokëkuqja", "Poliana" dhe "Kampi Magjik i Përrallave" vëllimi 1. Pasioni dhe vëmendja e saj ndaj leximit e bëjnë shembull frymëzues për bashkëmoshatarët.
Leximi është një udhëtim magjik që hap dyer të reja dhe na mëson për jetën, miqësinë dhe guximin. Nxënësja Dea Bilali, e klasës së 6-të në shkollën “1 Maji”, na tregon me pasion këtë udhëtim përmes tre review-ve të saj për librat “Ana flokëkuqja”, “Poliana” dhe “Kampi Magjik i Përrallave”, vëllimi 1, libra të sjellë në shqip nga ALBAS (përkthyer nga origjinali ). Nga mënyra se si ajo i përshkruan personazhet, ngjarjet dhe mesazhet e librave, kuptohet qartë se leximi nuk është vetëm hobi për Dean, por një mënyrë për të reflektuar, për të mësuar dhe për t’u frymëzuar. Përshtypjet e saj të sinqerta janë një shembull i bukur për të gjithë fëmijët që duan të rriten me librin.
"Ana flokëkuqja"
Ky libër sjell me elegancë historinë e Ana Shirlit, një vajzë 11-vjeçare, jetime dhe me shumë fantazi. Ajo dërgohet gabimisht në Kodrat e Gjelbërta, ku përballet me zhgënjimin e Marillës, e cila donte një djalë për të punuar në fermë. Megjithatë, Ana nuk dorëzohet. Me çiltërsinë e saj prej fëmije, me gabimet e pafajshme, me emrat e saj romantikë, ajo rrëmben zemrat e të gjithëve.
Fillimet ishin të vështira. Ana duhej të mësohej të sillej me edukatë, të pastrohej, të vishej mirë, të ndiqte shkollën dhe kishën. Gjatë jetesës në Ejvonli, Ana kishte shumë mësues dhe mësuese. Një prej tyre dallojmë zonjën Steisi, e cila dalloi talentin e Anës duke e nxitur të vazhdonte studimet e larta. Pikërisht kjo mësuese ia ndryshoi jetën.
Një zënkë mes Gilbert Blaithit dhe Anës u bë zanafilla e një konkurrence të fortë mësimore që zgjati për vite me radhë. Përveç Gilberit, Ana gjeti shoqen e ëndrrave: një vajzë të çiltër, e të shtruar, Diana Berri.
Kur Ana u rrit, u shpërngul nga Kodrat e Gjelbërta për të ndjekur studimet. Fatkeqësisht, Methju Kuthbert, vëllai i Marillës, ndërroi jetë. Ana sakrifikoi për të qëndruar pranë Marillës, duke treguar pjekurinë e saj me përkushtim dhe forcën e dashurisë familjare që nuk lidhet me gjakun, por me dashurinë.
Pse më pëlqeu?
Ky libër më pëlqeu jashtëzakonisht shumë sepse personazhi i Anës është frymëzim për çdo lexues që kërkon të gjejë forcën te vetja. Gabimet e saj gazmore më bëjnë të qesh, duke treguar se të gabosh është njerëzore në mënyrë që të përmirësohemi. Lidhja e saj me natyrën dhe miqësia me Dianën na pasqyron që t’i kushtojmë më shumë rëndësi mjedisit që na rrethon. Libri na jep mësime për optimizmin, guximin që transformoi Kodrat e Gjelbërta nga një vend i heshtur në një vend plot gjallëri.
"Poliana"
Historia nis me mbërritjen e Polianës, një vajzë jetime 11-vjeçare në qytetin e Belldingsvillit. Pas vdekjes së babait të saj, i cili ishte një prift i varfër, Poliana dërgohet të jetojë me teze Polin, një grua e rreptë, e ftohtë dhe e pasur, që e pranon mbesën nga detyra. Nga babai sjell lojën e të qenit të lumtur, që konsiston në gjetjen e gëzimit, pavarësisht sa i vështirë është rasti. Loja e ka origjinën që kur Poliana shpresonte të merrte një kukull nga kutia e bamirësisë, por mori paterica, gjë që nuk i duheshin.
Gjatë qëndrimit të saj, Poliana transformon jetën e banorëve të qytetit. Disa prej tyre janë: zonja Snou, një grua grindavece që rri gjithë kohën në shtrat për shkak të sëmundjes së saj; zoti Pendilton, një burrë i vetmuar, i ngrysur dhe i pasur; Xhim Fasulja, një djalë jetim që Poliana e ndihmon të gjejë shtëpi. Ajo i ndihmon ata duke luajtur lojën e të atit.
Kulmi i librit vjen kur Poliana pëson një aksident dhe humbet aftësinë për të ecur. Për herë të parë në jetën e saj, optimizmi lëkundet. Megjithatë, i gjithë qyteti bashkohet për të treguar se sa shumë i kishte ndihmuar Poliana ata. Kjo i jep asaj forcë. Pas ca kohësh, Poliana rifiton aftësinë për të ecur, kur merr edhe lajmin që teze Poli do të martohet me doktor Çilltënin.
Pse më pëlqen ky libër?
Është frymëzuese që një fëmijë, pa asnjë pushtet tjetër përveç buzëqeshjes, të ndryshojë një mentalitet të tërë. Ajo më bën ta admiroj, pasi ka shumë guxim për të zgjedhur dritën edhe kur rrethanat janë shumë të errëta. Përmes lojës së të qenit të lumtur, ajo na tregon që lumturia nuk është fat, por një vendim i qëllimshëm që marrim çdo ditë.
“Kampi Magjik i Përrallave”, vëllimi i parë
Libri na njeh me një kamp veror ku përrallat janë prej vërteti. Kampi është dizenjuar për fëmijë me lidhje gjaku me personazhet më të mëdhenj të botës së përrallave. Kryesorja është Maria, pasardhësja e Nënë Holes: një vajzë normale, por me anë të mësueses së saj të gjermanishtes, zonjës Shneberger, futet si e re në Kështjellën e Përrallave Rozenshtajn. Aty takon shumë miq. Disa prej tyre janë Rozalia, ose Rozi, pasardhësja e Bukuroshes së Fjetur; Vili, i cili i përkiste përrallës “Ujku dhe 7 kecat”; Xheku, stërnipi i Rapanzëllës; Ela, pasardhëse e Hirushes dhe Penelopa, kushërira e Kësulkuqes.
Bashkëmoshatarët konkurrojnë për t’u bërë Zana Mbrojtëse. Në trajnim mësojnë se si të përdorin objekte magjike, si të komunikojnë me krijesa fantastike dhe si të punojnë në grup. Problemi është se gjatë rrugës kanë konkurrencë me Severirin dhe grupin e tij, nxënësin më të mirë të kampit.
Këta u ngrenë kurthe dhe mashtrojnë grupin e Rozit. Duke qenë të bashkuar, Rozi, Maria, Xheku, Vili, Popi, Ela shpëtojnë një përrallë dhe fitojnë çmimin e garave të përrallave.
Pse më pëlqeu?
Kampi Magjik i Përrallave na mëson se magjia nuk qëndron te shkopinjtë magjikë, por te guximi dhe dëshira për të ndihmuar të tjerët. Është një libër i këndshëm dhe të fut menjëherë në një botë magjike plot fantazi. Personazhet janë të veçantë dhe secili ka fuqitë e veta, që duke u bashkuar arrijnë gjithçka. Prandaj unë e rekomandoj edhe për fëmijët e tjerë që ta lexojnë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Poezi nga nxënësja Steisi Ndoni, talenti i vogël me ëndrra të mëdha
“Atdheu”, poezi nga nxënësi Glejdis Çibuku
Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor e përsosje morale