Profil

Orajën Popa, artisti i vogël me shumë çmime

Orajëni është një djalë 10 vjeçar dhe studion në Liceun Artistik "Jordan Misja", në Tiranë, dega piano. Ai sapo mbaroi klasën e tretë me rezultate të shkëlqyera në mësime. Dhe të jeni të sigurtë, që për Orajënin, nuk ka qenë e lehtë për t’i arritur këto rezultate.

Dita e Orajënit


Orajëni pas rutinës së mëngjesit në shtëpi, niset për në shkollë dhe e fillon ditën me mësimin e përgjithshëm. Mësuesja e tij quhet Alma Teqja, të cilën e falënderon pafund për njohuritë që i jep me përkushtim. 

Pas mësimit ai zhvillon orën e pianos në klasën e profesor Herton Mikelit, ndaj të cilit Orajëni është shumë falënderues për zhvillimin artistik që i jep. 

Pas një dite të gjatë, ai kthehet nga shkolla, konsumon drekën, kalon kohë me prindërit, duke biseduar me ta rreth ditës në shkollë. 

Pasi çlodhet pak, Orajëni bën detyrat dhe përgatitet për të nesërmen. Mbas mësimeve ai studion në piano. Nëse i mbetet kohë e lirë, ai nuk harron të takojë shokët ose të luajë me ta futboll në park. 

Në darkë pasi ka bërë gati gjithçka për ditën e nesërme, Orajëni nuk harron të përshëndetet me pianon, duke luajtur repertorin pianistik. Përpara se të flejë atij i është bërë zakon të lexojë dhe ashtu me libër në dorë e zë gjumi.


Aktivitetet në kohën e lirë


Orajëni kohën e lirë që i mbetet pas studimit, përpiqet t'a kalojë me aktivitete të ndryshme. Lexon libra fantastiko-shkencorë dhe autori i tij i preferuar është Zhyl Vern. Orajëni pëlqen shumë edhe futbollin, si pjesa më e madhe e djemve të moshës së tij. Atij i pëlqejnë shumë shëtitjet në natyrë dhe sa herë i jepet mundësia bashkë me prindërit, dalin së bashku. Pasionet e tij janë piano, piktura, futbolli, tenisi dhe ping-pongu.

Orajëni i do shumë kafshët dhe argëtohet me to. Ai kujdeset shumë për macen e tij, Cha-cha, peshqit, zogun Suifti dhe dy breshkat e ujit, të cilat quhen Bre dhe Shka. 


Ëndrra e Orajënit


Orajëni na thotë që ëndërron të bëhet një artist i madh. Ai tashmë ka hyrë në rrugën e vështirë dhe plot emocion të muzikës. Sa herë del në skenë atë e shoqërojnë emocionet që janë të pashmangshme për çdo artist. Orajëni studion fort çdo ditë, pa u ndalur edhe pse kjo kërkon sakrifica. Prindërit e tij Kristi dhe Moza, janë artistë dhe e mbështesin në çdo hap që ai hedh. Ai ndan me ta çdo shqetësim dhe emocion.  Orajëni mundohet me të gjitha forcat që të mos lerë pas dore asnjë ditë detyrat dhe mësimet, sepse ai thotë që së pari, duhet të jem njeri i mirë dhe të mësoj që të bëhem pianist i zoti. 


Çmimet e marra nga Orajëni


Ai është vlerësuar me shumë çmime në koncerte, konkurse dhe aktivitete muzikore: 

  • Në vitin 2020 fitues i çmimit të parë në konkursin "Tirana Talent" edicioni i XI-të, fitues i çmimit të dytë në konkursin "Pjetër Gaci". 
  • Në vitin 2021 fitues i çmimit Absolut në konkursin "Tirana Talent"edicioni i Xll-të 
  • Fitues i çmimit të dytë në SETTENOTE ONLINE PIANO INTERNARIONAL COMPETITION "
  • Në vitin 2022 fitues i çmimit të parë në Edicionin e I-rë të konkursit "TEMPO" GJIROCLASSICA i zhvilluar në Gjirokastër 
  • Fitues i çmimit Absolut në konkursin Tirana" Talent"edicioni i XIII-të
  • Fitues i çmimit parë në konkursin" EPTA" FESTIVALI XXV-të MBARË KOMBËTAR "Pianisti i Ri" i zhvilluar në Tiranë
  • Fitues i çmimit Absolut në konkursin Edicioni i XV-të i Festivalit "Pianisti i Ri", zhvilluar në Prishtinë. 

Gjithashtu ka interpretuar në dy koncerte të zhvilluara me rastin e 75 vjetorit të Liceut "Artistik Jordan Misja" dhe "CHOPIN"PIANOFEST PRISHTINA” i zhvilluar në Prishtinë. 

Orajëni thotë që i pëlqen shumë piano. Ai dëshiron të bëhet një pianist me famë botërore. Orajëni jeton dhe rritet çdo ditë me muzikë që tashmë është bërë pjesë ë pandarë e tij. 

Shumë suksese Orajën në rrugën e gjatë që ke nisur!


Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,447 Lexime
1 vit më parë