“Pak nga 30 vite emocion, pasion dhe dashuri për profesionin…” nga Albana Rrushi

“Pak nga 30 vite emocion, pasion dhe dashuri për profesionin…” është shkrimi letrar i Albana Rrushi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Një ditë, kur babai u kthye në shtëpi, na përshëndeti dhe në çast më tregoi një letër, në të cilën shkruhej vendimi në lidhje me mua, për të filluar punë. Isha emëruar mësuese në shkollën e Bashkuar Gjocaj, një fshat jo shumë larg Peqinit. Isha diplomuar në Korrik të 1993 për Gjuhë shqipe dhe Letërsi. E adhuroja këtë profesion. Ndoshta ishte dëshira ime për t’iu ngjarë prindërve të mi. Babai drejtonte prej shumë vitesh Qendrën Kulturore Peqin. Ishte njëkohësisht dhe regjisor i shfaqjeve që jepeshin aty si: festivale, koncertet e Majit apo të Pranverës, shfaqje teatri të trupave që vinin nga Durrësi, Elbasani, Tirana etj. Unë isha rritur në labirintet e asaj qendre, ndërsa mamaja, ishte mësuese letërsie në gjimnaz. E adhuroja kur fliste, kur shpjegonte me aq qartësi e pasion. E s’kishte si të ndodhte ndryshe, teksa rritesha me ta!  Im atë, idhulli im, një herë më pati thënë: 


”Letërsia është art, e ti duhet të jesh pak aktore“. 


16 gusht, dita kur do të paraqitesha në punë, babai do të më përcillte, si dita e parë që ishte. Para se të niseshim më kërkoi të dilja para pasqyrës. 


“Ka ndonjë gjë që nuk shkon?” – e pyeta me një gjest pakënaqësie.

Pse?... 

-Shihe veten! Si dukesh? Të pëlqen vetja?... 

-Pse? -pyeta sërish. 


“Dëgjo bijë, - vijoi - tregohu gjithnjë e kujdesshme kur ecën, kur flet, kur shpjegon, fol qartë, sepse nuk je vetëm, do të kesh shumë sy që do të të ndjekin dhe unë dua të mbahesh mend jo për një ditë, por të mbetesh gjatë në kujtesën e nxënësve, bashkudhëtarëve të tu.”


Çaste kujtimesh... 


Sapo kisha nisur punë dhe do të jepja Gjuhë shqipe dhe Letërsi në gjimnaz, të të 4-viteve (atëherë gjimnazi ishte me katër vite) por do t’i jepja mësim edhe një klase të pestë.

Pasi u ambientova, krijova raporte shumë të mira me kolegët, me të cilët gëzoj respekt edhe sot e kësaj dite, njerëz të dashur e shumë profesionistë. 


Nxënësve të vitit të katërt u shpreha një ide për të vënë në skenë një dramë. Si për çudinë time, të gjithë e pëlqyen dhe ranë në dakortësi. U tregova pjesën, e cila pwrkonte me statusin e tyre momental, e quajta “Maturantët”. Mw pas ndava pjesët. Filluan provat e para. Gjithçka po shkonte për mrekulli, derisa ndodhi diçka që na tronditi. Ishin vite të vështira largimesh pwr njerëzit, në kërkim të një jete më të mirë, më të lumtur e më të lirë. Kjo vlente dhe për nxënësit tanë dhe mw konkretisht për nxënësin A.B. 


Të gjithë u shokuam kur morëm vesh largimin e tij, e më pas edhe lajmin e trishtueshëm jo vetëm për familjen, por për të gjithë ata që e njihnin, ndarjen e tij nga jeta. Ai kishte mbetur në dëborë, i ngrirë për disa ditë pa mundur të mbijetonte. U duk se gjithçka ngriu: jeta... shpirti... zemra... nuk merrej më frymë. Gjithçka kishte humbur në vitet e rinisë së tij, në buzëqeshjen e tij. 


“Nuk ka kuptim - u fola nxënësve - do ta ndërpresim projektin tonë”. 


Por diçka e papritur më ndodhi, pasi nxënësit u treguan më të guximshëm se unë. Ata më kërkuan ta vazhdonim projektin e nisur dhe ta çonin deri në fund, dhe kjo për shumë arsye: së pari për shokun e tyre, së dyti për të thyer një tabu në fshatin e tyre dhe së treti për të bërë krenarë prindërit, e natyrshëm edhe mua si mësuesja e tyre. 


Dhe puna nisi sërish, por tashmë në mënyrë më intensive. Me ndihmën e tim ati vendosëm që dy javët e fundit provat e dramës t’i zhvillonim në Qendrën Kulturore Peqin. Me fugonin që sillte mësuesit, pas mësimit merrnim nxënësit, bënim provat dhe i kthenim përsëri në fshat të shoqëruar padyshim nga ne. 


Kjo ishte pjesa më e bukur e këtyre provave, veçanërisht momentet kur nxënësit i merrja edhe në shtëpinë time, ku natyrshëm këshillat e nënës sime si mësuese letërsie vlenin shumë. Muzika që do të shoqëronte dramën, skenografia e punuar me shumë kujdes ishin gati. Dita e shfaqjes po afrohej. Drejtori, një njeri korrekt dhe i dashur, vendosi që e gjithë shkolla dhe prindërit të vinin në Peqin për ta parë shfaqjen. 


Perdja u hap. Të gjithë ishim të emocionuar, por me kalimin e minutave, nxënësit me performancën e tyre treguan se e meritonin të quheshin “aktorë”. 


Sa bukur! Duartrokitje pa fund për Mirën, Teutën, Ilirin, Altinin, Mirushin dhe padyshim emocione dhe për mua, që dhe tani kur e kujtoj më dridhen këmbët, tufa me lule, fjalë inkurajuese për lojën e nxënësve tanë. Shumë moment i paharruar e i bukur. Këto emocione na ndoqën dhe në shfaqjen që dhamë për prindër e gjimnazistë në fshatin Shezë, sepse atje, në atë kohë, në vitet 1993-94 kishte Vatër Kulture. Shfaqja u pëlqye shumë dhe u vlerësua.

  

Vitet e para të punës nuk do t’i harroj kurrë, sepse aty filloi rrugëtimi i një pune sa të vështirë aq dhe fisnike. Nuk mund të harroj ata njerëz të mrekullueshëm me shpirt të madh, megjithëse të varfër nga ana ekonomike. Një vit i mbushur me kujtime të paharruara mbetet edhe periudha kur isha emëruar Përgjegjëse e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Peqin 97-2000. Vite të mbushura me shumë veprimtari: konkurse, olimpiada, festivale fëmijësh, mbrëmje festive si ajo e festave të Nëntorit, Vitit të Ri, 7-8 Marsit apo e 1 Qershorit. 


Një moment i veçantë… Ardhja e kosovarëve… 

Ishin muaj të vështirë, trishtues, të frikshëm, të mbushur me dhembje. Ata ishin vendosur në një kamping të ngritur posaçërisht për ta, sot Burgu i Sigurisë së Lartë Peqin. Të paharrueshme ato skena rrëqethëse, ato sy të zmadhuar, sikur do të dilnin nga zgavra e do shkonin larg për të treguar me pamje çfarë kishin parë, për të treguar ato skena makabre, që vetëm egërsirat e dala nga mesjeta mund të dëbojnë një popull ndër më të lashtët në Ballkan. Do jepnim një program artistik për fëmijët, ndërkaq salla qe mbushur plot. Të gjithë këndonin bashkë ato këngë që u krijuan rishtazi për heronjtë e UÇK -së: 

“Mos ma prek ti shkja Drenicën / se kam gjallë Azem Galicën....” 

Gjatë gjithë kohës më ndiqnin dy sy, si sumbulla, të një vogëlusheje, së cilës iu afrova dhe e pyeta nëse kishte dhe ajo dëshirë të përshëndeste me një këngë a recitim. 


-Po, - m’u përgjigj vogëlushja. 

-Çfarë dëshiron të interpretosh? – e pyeta. 

-Dua të recitoj vjershën “Unë, biri yt Kosovë” – foli. 


U ngjit. Recitoi aq bukur e me ndjenjë, saqë më pas m’u hodh në krahë e më shtrëngoi aq fort, sa filloi të qante në krahët e mi. Ndjeva një trembje përbrenda, zemra m’u ndrydh, e përqafova fort e putha pa pushim. 


-Më merr me vete! Nuk dua të qëndroj këtu. Dua mamin tim. – m’u lut vogëlushja. 


Aty mësova se e kishte humbur të ëmën kur ishin nisur për këtu. Aty ishte me gjyshin dhe gjyshen e saj. Vajzën me emrin e bukur Ardita e mora disa herë në shtëpinë time. Vitet kanë kaluar. Ajo tashmë është një grua dhe nënë shumë e mirë, por sytë e saj të asaj dite prilli nuk do t’i harroj kurrë. Ato skena rrëqethëse, ata sy të zbehtë si tek personazhet migjeniane do ngelen përherë në kujtesën time.  


Një tjetër kujtim… 


Prill 2019. Vë në skenë “Meriyll” të Viktor Canosinaj. S’mund ta harroj dot emocionin që përjetova, kur vura re, se vetë autori ndodhej në sallë për ta ndjekur shfaqjen. Një lojë e mrekullueshme e nxënësve të klasës së nëntë që sillnin në skenë këtë dramë. E veçanta e këtyre shfaqjeve mbetet prezenca e të gjithë nxënësve të klasës, të organizuar në një projekt. 


Në përfundim, duke falënderuar nxënësit “aktorë” për lojën e bukur dhe plot emocion, më tërhoqën vëmendjen lotët në sytë e njeriut që e kishte krijuar këtë fëmijë “vepër”, të cilin ne patëm fatin ta kishim të pranishëm. Sikur të ma kishte kuptuar mendimin, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: 


”Dhe ne qajmë po po, sepse ndërkohë që nxënësit interpretonin, (që për hir të së vërtetës është hera e parë që e shoh të plotë) unë shfletoja librin tim. Sa bukur! Ju lumtë! Gjithçka ishte siç e kisha përfytyruar. Nuk e prisja, sidomos në një qytet të vogël, por që më tregoi se ka një shpirt të madh e të bukur.” 


Këto ishin ca copëza të kujtimeve të punës sime si mësuese, të një profesioni sa të lodhshëm aq dhe mbresëlënës. Megjithatë, profesionin tim nuk do e ndërroja kurrë. Nxënësit e mi sot janë kudo të punësuar me arsimim të duhur. Shpresoj të mbeten njerëz të mirë e të më bëjnë krenare. Unë do vazhdoj punën me të njëjtin pasion e dashuri, ashtu siç e kam nisur.  



Albana Rrushi 

Ka lindur më 31 maj 1971 në Peqin. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Peqin. Është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi në vitin 1993. Ka punuar mësuese në shkollën e Bashkuar Gjocaj në vitet 1993-97. Në vitet 1997-2000 ka qenë Përgjegjëse e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Peqin dhe nga viti 2000 deri më sot vijon të jetë mësuese në shkollën 9- vjeçare “Demir Godelli” Peqin. Gjatë këtyre 30 viteve eksperiencë pasioni dhe dashuria për profesionin e kanë shoqëruar kudo. Veçanërisht pasioni për teatrin e ka bërë që t’i përkushtohet edhe regjisë duke vënë në skenë drama të ndryshme si: “Meriyll”, ”Vdekja e gjysh Trifonit”, ”Pjata e drunjtë”, ”Gjaku i Arbërit”, ”Maturantët”, “Makbeth” etj. Fëmijët janë bukuria e jetës dhe punën e ka të lidhur me ta. Jeton me gëzimet e tyre, trishtimet, lumturitë dhe buzëqeshjet e tyre. 

 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,651 Lexime
7 muaj më parë