Aktualitet

Panairi i Librit “Tirana 2023” hap dyert nga data 15 deri në 19 nëntor

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet panairi i 26i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes.

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet panairi i 26i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes. 


“Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të zgjedhin librat që dëshirojnë por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete”, tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve.


Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.


“Unë besoj në rrafshin kombëtar, është ngjarja më e madhe më e rëndësishme në fushën e kulturës. Kemi botues nga Kosova, shumë autorë nga Kosova, kemi gjithashtu stendë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Është një festë e bukur e kulturës shqiptare, është një festë e bukur e librit në gjuhën shqipe”, u shpreh Ymeri.


Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.


Juria e panairit të librit, “Tirana 2023”


Mes shumë aktiviteteve, një nga ata që pritet me shumë interes në panairin e librit, është edhe konkursi i Çmimeve të Panairit.

Juria këtë vit përbëhet nga personalitete të letërsisë dhe kulturës:

Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare

Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar

Enkel Demi – shkrimtar

Erion Kristo – pedagog, përkthyes

Monika Stafa – gazetare e kulturës

Autori, përkthyesi, libri më i mirë për fëmijë etj. i vitit 2023 do të përzgjidhen për këto çmime te mirëpritura. Në konkurrim do të përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 25 të Librit (dhjetor 2022 – nëntor 2023), përjashtuar ribotimet. Mund të futen në garën e çmimeve me librat e tyre të gjithë botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në Panair. Shumë libra janë paraqitur dhe shumë të tjerë priten ende. Data e fundit e dorëzimit të librave është 3 nëntor 2023.



Kaltra Tafani 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

458 Lexime
5 muaj më parë