Poetja Laureate Rita Petro në Trieste: Poezia shqipe ndërton ura mes kulturave dhe brezave
Letërsia bashkëkohore shqipe takon të rinjtë në Trieste, përmes një dialogu frymëzues me Poeten Laureate Rita Petro. Një nismë e Shoqatës ARBËRIA Trieste dhe Liceut “Dante Alighieri”, që promovon gjuhën, poezinë, identitetin shqiptar dhe shkëmbimin ndërkulturor.
LETËRSIA BASHKËKOHORE SHQIPE NË TAKIM ME NXËNËSIT E LICEUT KLASIK “DANTE ALIGHIERI “ TË TRIESTES.
Një dialog mes poezisë, gjuhës dhe kulturave me poeten Rita Petro
Trieste – Letërsia bashkëkohore shqipe ishte në qendër të një takimi të rëndësishëm kulturor, një bashkëpunim i organizuar Shoqata Kulturore ARBËRIA Trieste me Liceun Klasik “Dante Alighieri” i Triestes, me pjesëmarrjen e poetes Rita Petro, një prej zërave më të njohur dhe më të vlerësuar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Nisma lindi nga një projekt i ideuar nga Kamelja Shehu, anëtare e Shoqatës Kulturore ARBËRIA Trieste, në bashkëpunim me drejtoreshën e Liceut Klasik “Dante Alighieri”, Trieste, doktoreshën Carmela Testa.
Ky aktivitet përbënte një mundësi të rëndësishme për njohjen dhe thellimin e njohurive mbi poezinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke përfshirë aktivisht nxënësit në një proces njohjeje dhe shkëmbimi ndërkulturor.
Takimi u hap nga profesoresha Federica Daniele, e cila përshëndeti të pranishmit, mirëpriti të ftuarit dhe bëri prezantimin hyrës të aktivitetit. Më pas, moderimi vijoi me Endra Becolli, anëtare e Shoqatës Kulturore ARBËRIA Trieste, e cila drejtoi bisedën mes protagonistëve të këtij takimi: poetes Rita Petro dhe përkthyesit Kledi Kalaja, i cili luajti një rol të rëndësishëm në lehtësimin e komunikimit dhe të pjesëmarrjes së nxënësve.
Një nga elementet më domethënëse të këtij aktiviteti ishte përfshirja e drejtpërdrejtë e të rinjve. Nxënësit nuk u mjaftuan vetëm me dëgjimin, por u bënë pjesëmarrës aktivë të takimit, duke lexuar vetë poezi të ndryshme e duke dialoguar drejtë për së drejti me poeten por edhe me vajzën e saj Sofiana Filipi e cila ftoi studentët drejtë rrugëtimit të studimit e të kulturës si vetmja pasuri drejtë një të ardhmeje më të mirë vetjake e shoqërore.
Ky ishte një moment veçanërisht i bukur dhe frymëzues, që u dha mundësinë të njiheshin më nga afër me ndjeshmërinë poetike të autores dhe të zbulonin vlerën e fjalës si mjet shprehjeje, reflektimi dhe komunikimi ndërmjet kulturave.
Prania e Rita Petros u ofroi nxënësve mundësinë të njihnin më nga afër një autore të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare, duke reflektuar mbi rolin e poezisë në shoqëri dhe aftësinë e saj për të shprehur emocione, përvoja dhe identitete.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe gazetari i Rai 3, Antonio Caiazza, një mbështetës i rëndësishëm i Shoqatës ARBËRIA Trieste dhe i veprimtarisë së saj kulturore.
Një falënderim i veçantë i drejtohet gjithashtu Hektor Lekës, i cili realizoi me profesionalizëm fotografitë dhe filmimet e aktivitetit, duke dokumentuar dhe përjetësuar momentet më domethënëse të kësaj dite.
Shoqata Kulturore ARBËRIA Trieste shpreh mirënjohjen e saj për drejtoreshën e shkollës Zj.Carmela Testa, profesoreshën Federica Daniele,profesorin Gabriele Donato, Presidenten e shoqatës kulturore zj.Adela Shehu, Endra Becolli, Rita Petro, Kledi Kalaja, Kamelja Shehu, Sofiana Filipi dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij takimi. Një falënderim i veçantë u drejtohet nxënësve për pjesëmarrjen e tyre aktive, interesimin dhe përfshirjen gjatë gjithë aktivitetit.
Kjo nismë dëshmon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe shoqatave kulturore në krijimin e mundësive edukative që zgjerojnë horizontet e të rinjve, nxisin njohjen e traditave të ndryshme letrare dhe forcojnë respektin për identitetet kulturore.
Për Shoqatën ARBËRIA Trieste, promovimi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe përbën një pjesë thelbësore të misionit të saj: të ruajë rrënjët, të përcjellë kulturën te brezat e rinj dhe të ndërtojë ura dialogu ndërmjet komunitetit shqiptar dhe qytetit të Triestes.
Sepse letërsia nuk njeh kufij: përmes poezisë, fjalët shndërrohen në takime, dallimet bëhen pasuri dhe kulturat gjejnë mundësi të reja për t’u njohur, për t’u afruar dhe për të dialoguar.
Shoqata Kulturore ARBËRIA Trieste
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Për lulet luftëtare!
Fjala, tradita dhe frymëzimi poetik - Shkolla “Vinçenc Prendushi” feston Muajin e Letërsisë