Krijim

“Pse e du un Shkodren?”, shkrim në gegërisht nga gjimnazistja Lorela Sinani

Gjimnazistja Lorela Sinani ka zgjedhur të shkruaj në gegërisht për qytetin e saj, Shkodrën. Me dëshirë ajo përshkruan me ketë dialekt natyrën, njerëzit, kulturën dhe traditat e Shkodrës...

 Pse e du un’ Shkodren?…Kjo, asht nji pytje të cilës un i përgjigjem plot dëshir, e menjiher më vërshon si Drini n’mendje, gjithçka që m’ ban mu krenare me ken shkodrane.


  Shkodra shquhet si nji ndër qyetet ma t’ bukra t’ Shqipnis, por për mu , asht qyeti ma i bukur n’ bot. Elementet e rrallë që run brenda saj , e bajn kyt qytet të pazëvëndësushëm. Megjithse e vogël, Shkodra ka shumë tipare, me anë të t’cilve dallohet lehtsisht prej qyteteve të tjera. Mes faktorve përbërs të krenaris teme si shkodrane, ka shumë elemente. Shumë prej tyne jan’ dhurata t’ natyrs, e të tjera t’ ndërtume nga dora e njeriut. Disa nuk shifen, po ndjehen. E kshtu pra, në paragraft e maposhtëm, jan t’ paraqitun vetëm disa prej ktyne faktorve, me t cilt jo vetëm un, po tan Shkodra krenohet. 

  Kalaja jon’ e bukur, Kalaja e Rozafatit, shtrihet krenare mbi qytetin ton t’vjetër. Muret e forta, historike e t’mëdha, duket sikur rujn shum sekrete të t’ shkuarës. Me nji arkitektur mahnitse’, kjo ndërtes madhështore asht nji thesar i vjetër i qytetit ton. N’ maje t’ kalasë , valëvitet flamuri i Shqipnis’, i kuq flàk, me shqiponjen dykrenare n’mes. Kur njitesh nelt, arrin me pa tan Shkodren, e cila duket sikur t’përshëndet prej posht. Muzeu, i vogël por domethans, pret krahëhapun vizitor’ , tu pasqyru Shkodren e vjetër, at’ për të cilën ne shkodrant jena shum’ krenar. Vetë legjenda e kalasë ton’ t’len me gojë hap… çdo detaj që tregohet në legjend’, asht i përputhun me pamjen fizike t’ kalasë deri në perfeksion, prej te fortësia e mureve e deri te qumshti i Rozafatit, i cili kullon hala sot e ksaj dite prej tavanit t’ ndërtesës.


  Pedonalja e qendres t’ qytetit, me ndërtesat e saj t’ bukra, e me Gjuhadolin piktoresk, asht nji tjetër pikë karakteristike e Shkodërs. Ndërtesat e bukra e historike, me ngjyra t’amla , t’ bajn me u dashuru mas atij vendi. T’ gjitha s’ bashku ndërtojn nji pamje magjike, e cila t’ ban me dasht me u kthy prap aty… Mes shumë dyqaneve, ndodhen edhe studio piktorësh, të cilët hedhin talentin e tyne mbi nje telajo, t’ vogël, krahasu me pasionin e tyne. Me këndvështrimin e nji piktoreje, un mrekullohem nga kta artistë pasionant. Shpeshher’ ndalem në cep t’ rrugs edhe i shaf prej pexheres, se nuk du me i shqetsu kur jan tu pikturu. Kjo për mu asht nji ndër momentet ma t’veçanta t’ kalume n’ at pedonale. Pedonalja e parruces asht pikërisht vendi që mbledh tan Shkodren t’ dilen masdite. Bile, edhe nqoftse nuk e ke pa naj shok a naj shoqe shkodrane për shum koh, del ka ora 8 ose 9 n’ pedonale se njaty i gjen tan. Me ato kokoshkat e pamuk sheqerin tipik, që i shtojn lezet vendit, pedonalja t’jep ndjesi fantastike. 


  Shiroka, me liqenin ton t’ bukur, njifet kudo. Ajri I pastër që t’ shoqnon n’ Shirok, asht i pazëvëndsushëm. Gjelbërimi e bukuria e rrallë që mbulon vendin, me t’ vërtet që asht nji dhurat e magjike prej natyrs, vetëm për Shkodrën. Në restorante vjen era e tavs t’krapit, që Shkodra e qan. Nëpër pedonalen e Shiroks, bajn xhiro shum njerz, shum’ fmij lujn me njeni-tjetrin dhe shumë bajn edhe vrap e aktivitet fizik. Epo, aktiviteti fizik në ajrin e pastër t’ liqenit asht madhështi. 


   Buna e Drini, që rrjedhin e shëtisin Shkodren, jan’ për ne shkodrant nji tjeter dashni. Tan fmit që pysin prindërit për fminin’ e tyne, marrin’ t’ njejten përgjigje: ‘’Kur kena ken t’ vegjël, jena la n’ Dri, me ujin akull. E maj mend si tesh, qi mu ngrishin gishtat e kamve, po hajt se t’ban mir na thoshin’’. Un’ vet, ikyt përgjigje kam marr gjithmon’. Drini dhe Buna jan si me ken motër e vlla maj naqe. Si motër e vlla që shkojn shum mir me njeni tjetrn, e që janë gjithmon bashk, edhe ndër shkrimet ma t’ vjetra për Shkodren. 


   Velipoja, asht shpija e dyt e tan’ shkodranve dhe un nuk mund t’rri pa e përmend. Un’ kam kalu të 16 verat e jetës teme njaty, te njaj plazh paqsor. Restorantet, dyqanet, lokalet, çdo gja aty asht e njoftun dhe t’ ban me u ndje i sigurt. Miqtë që njifen aty, shoqnit që krijohen mes shqiptarve t Shqipnis dhe atyne t’ Kosovs, janë nji ndër fenomenet ma nostalgjike t’ plazhit. Ajrit i vjen era Shkodër…Krijohet nji paqe magjike…Mahnitem sa her që shkeli ranen e amël të plazhit tëm t’ dashtun, e sa her shof detin e kaltër, që duket sikur ka dal prej prrallave. Sado plazhe t’ mdhaja e t’ bukra t’ ket bota, për mu Velipoja asht ma e dashtuna…


  Përvec bukurive natyrore, ne shkodrant kena edhe shum elemente kulturore karakterisitike. Komunikimi i Shkodranve me njeni tjetrin asht art n’ vedi. Bile bile, me degju naj njeri prej Beratit, prej Tiranet, prej Korçet a prej Sarandet, s’merr vesht asigja. Gegnishtja jon’ e bukur, që e përdorim me krenari, asht elementi kryesor i mënyres ton t’ folunit. Gjuha shkodrane (mu m’ pëlqen me e qujt gjuh, edhe pse nga ana teorike asht dialekt) asht nji kombinim i ironis me humorin, e tek tuk edhe naj fjal serioze. Ironia n’ pupa, i thojm na t’ Shkodërs. Ne jena njerz inteligjent ta marrsha, se ironi pa inteligjenc s’ka. Përvec ironis, kena edhe humorin që mbizotëron. Ndër 10 fjal, 15 i thojm tu u tall… Ne e kena gja normale kyt mnyr t’ folunit, s’na ban përshtypje hic. A dini ju si e kuptojm ne njeni-tjerin? Me sy maj naqe, me sy, pa fol hiç. Mrekullohem çdo her që e mendoj kyt mnyr kaq t’ bukur komunikimi. 


   Shkodra pa humor s’ asht Shkodër. Batutat tona futen ndër te tana muhabetet. Po si ka mundsi që ne n’ çdo muhabet përfshijm batuta, e asiher nuk e teprojm? E pra, ky fenomen s’ka shpjegim, veç ne shkodrant jena t’zot me e ba kyt pun. Humori jon nuk krahasohet me asnji tjetër dhe kyt e them pa hezitu hic. Mendoj që asht shumë pak vetëm nji paragraf për me fol për humorin shkodran, megjithat’ jam e sigurt se nuk kam nevoj me u zgjat, se t’ gjith e dijn që Shkodra asht njishja n’ kyt fush. Mu ma merr mendja se ne shkodrant ma par kena msu barcaletat se emrin ton. Brezi i prindërve t’ mi, përdorin gjithë kohen shprehje t’ Bes Qinarit e Zyliha Milotit, aq sa shum’ her nuk di ma me ra n’ te ça jan tu than. Mu m’duket se, kur humori asht i veçant, edhe e qeshuna e shkodranve asht ma e veçant se t’ tjerat. Nji e qeshun e pastër, me shpirt e plot hare. Ndoshta asht nga fakti që jena qejfli e i shkojm qejfit e humorit mrapa. 


  Njerzit n’Shkodër janë si askund tjetër. Shkodrant jan mikpritës, t’dashtun e zemërmir.T’gjith kan sens humorit, i cili prodhon batuta t’njipasnjishme. Qytetart e Shkodërs janë gjithmon gati me ndihmu, me ba çdo gja që munden, vetëm që me t’ ba me u ndje ma mir. Shkodrant jan t’ hareshëm, t’ gjithanshëm dhe rrezatojn mirësi. Secili prej tyne asht I talentum , në nji mnyr a nji tjetër. Nën shoqnin e nji shkodrani, i harron menjëher’ shqetsimet e largohesh me shpirtin e mushun plot e me buzt vesh m’ vesh prej t’ qeshunave. Sikur t’ xixëllon shpirti…Sikur t’ digjet nji flak e bardh brenda, najshtu si zemra e shkodranve. Kto cilësi e shum të tjera, e bajn nji shkodran, person shumë t’ lezetshëm. 


  Shkodra asht djepi i kulturs, i talentit…Emrat ma t’ përmendun t’ Shqipnis jan’ shkodran. Ma e bukra asht se ne shquhena për tana fushat. Ne humor kena Zyliha Milotin, Paulin Preken, Bes Qinarin, Gëzim Kruja, Zef Deda. Batutat e tyne janë nji ndër elementet kryesor të komunikimit mes shkodranve, e përmenden në bisedat e përditshme tonat. Njeni e lshon nji fjali të tynen, e tjetri r plotson pa hezitu hic. Në sport kena Vioresin Sinanin, Loro Boriçin Vera Bregun, Besnik Limanin, Mark Krroçin, Sokol Kalaj e shumë e shume figura të tjera të sportit shkodran me t’ cilt Shkodra shet mend. Veprat rrënqethse t’ Marin Barletit, t’ Zef Zorbës, Koliqit, Migjenit, Fishtes,jan tana pun shkodransh…Hareja e bukuria e qyetit ton pasqyrohet në kangt e Bujar Qamilit e Frederik Ndocit, me Osman Mulen që kompozon mrekullina…Kto, e shum figura t’tjera, jan kenaria jon…E ju thoni pastaj, pse mburren Shkodrant…Po si mos me u mburr maj naqe? Kot nuk thojn, ‘’me ken shkodran tana i ban’’. Bile edhe tifozllekun e ban ma mir se tan…çohena n’ kam e bërtanism ma fort se t’ gjith…E bindim vendin…


   Shkodër locja asht ma e dashtuna për mu. E du mnyren si flasim, e du kulturen e qytetit ton, i du bukurit e saj natyrore. Krenohem me gjithë figurat e pazëvëndsushme që kan dal prej ktij qyteti. E du humorin ton, ironin ton. Shkodra i ka tana t’ mirat, si thojm ne. E si mundem un mos me e dasht ky qytet i mrekullushëm? 

                                            


                                

Punoi: Lorela Sinani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,270 Lexime
1 vit më parë