FITUESIT 2023

QKLL shpall fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj, mes tyre dhe Enxhi Naum me dorëshkrimin “Tytnia” nga ALBAS

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2023, një fond ky i përvitshëm tashmë. Juria vlerësoi mes 11 dorëshkrimeve edhe Enxhi Naumin për dorëshkrimin me titull “Tytnia”, si shkrimtare e re e shtëpisë botuese “Albas”.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, çdo vit u jep  mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para.  Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bashkë me Ministren e Kulturës Elva Margariti, shkrimtarë, botues të pranishëm, ndanë sot vlerësimet për fituesit e këtij viti: Alban Tufa, Enxhi Naumi, Andrin Kabashi. 


Enxhi Naumi është shkrimtarja më e re e shtëpisë botuese e “Albas” dhe në këtë kompeticion ajo u vlerësua për dorëshkrimin e saj me poezi “Tytnia”, me motivacionin “Për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin  lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike”.


Gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni ajo tha: “Ashtu sikurse nuk ka nevojë që burrave t’u mbushim pjatën me sasinë më të madhe të ushqimit për t’i treguar sa përgjegjësi kanë, ashtu edhe gratë nuk kanë nevojë të mbajmë stiva me dru në kurriz për të treguar fortësinë që kanë; as ata nuk kanë nevojë të bëjnë pediker për të treguar se sa të brishtë janë...në këtë lloj forme poezia ime flirton dhe eksperimenton”.

 

Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj dhe anëtar Enkel Demi, Sonila Strakosha, vlerësoi konkretisht mes 11 dorëshkrimeve veprat e mëposhtme me motivacionet përkatëse: 

  • Alban Tufën me dorëshkrimin “Ata ishin (mbetën) dy”, shtëpia botuese “Toena”, me motivacionin “Për  origjinalitetin dhe thellësinë e vargut poetik të shprehur me sinqeritet dhe pjekuri”.
  • Enxhi Naum me dorëshkrimin “Tytnia”, shtëpia botues “Albas”, me motivacionin “Për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin  lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike”.
  • Andrin Kabashi me dorëshkrimin “Qyteti pa lumë”, shtëpia botuese “Onufri”, me motivacionin “Për mesazhet nënkuptimore të përcjella nëpërmjet një stili ekzistencial dhe proze të konsoliduar, që evidentojnë problemet thelbësore të brezit të mileniumit të ri”.


“Enxhi Naumi, Alban Tufa e Andrin Kabashi janë 3 fituesit e Fondit të krijimtarisë letrare për të rinj. Kënaqësi t'i takoja sot në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të merrja energjinë pozitive që ata përçonin përmes dëshirës për t'iu qasur rrugës së bukur dhe të vështirë të krijimtarisë. E kënaqur që mes fituesish kemi dhe një të ri nga Kosova, si një ogur i mirë dhe dëshmi se nismat tona nuk janë thjesht lokale. Falënderime Liridon Mulaj, Sonila Strakosha e Enkel Demi, për durimin dhe përgjegjshmërinë në zgjedhjen e fituesve mes 11 kandidatësh”, kështu është shprehur ministrja e MK Elva Margariti pas shpalljes së fituesve të këtij fondi. 



Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

741 Lexime
1 vit më parë