Aktivitet

Rëndësia e edukimit të karrierës, takim me artisten Anila Zajmi Katanolli

Nxënësit e klasave të nënta, të shkollës “Protagonistët”, patën një takim për edukimin e karrierës, me artisten e mirënjohur Anila Zajmi Katanolli. Ky takim pati në vëmendje, përçimin e vlerave artistike dhe etnografike.

Nxënësit e klasave të nënta, të shkollës “Protagonistët”, patën një takim për edukimin e karrierës, me artisten e mirënjohur Anila Zajmi Katanolli. Anila Zajmi është një artiste me shumë dimensione. Ajo ka një karrierë të gjatë dhe të pasur artistike, me krijimtari dhe studime, rreth kostumeve popullore, në tërësinë e tyre komplekse. Krijimtaria e Anilës mbështetet fort në folklor dhe ajo flet me entuziazëm për etnografinë shqiptare. Krijimtaria e saj e pasur është e lidhur ngushtë me pasionin e saj më të madh, pikturën, me kostumografinë, me studimet e detajuara, ilustrimet, stilimet dhe mësimdhënia.


Anila shpalosi për nxënësit tanë një panoramë të bukur të kësaj krijimtarie artistike, nëpërmjet një prezantimi. Ajo me shumë dashamirësi u shpjegonte nxënësve çdo detaj të punës së saj. Me shumë interes për nxënësit, ishte mënyra se si Anila zgjidhte një motiv nga kostumet popullore dhe e stilizonte, duke e sjellë në kohë, në kostumet që ajo krijon. Dashuria e saj për kostumet tona popullore ishte qendra e bisedës që zhvilloi si dhe në krijimtarinë e saj artistike. Studimet e saj rreth etnografisë shqiptare janë të thelluara dhe të detajuara. 


Në fund të bisedës nxënësit tanë i drejtuan pyetje Anilës, për të kuptuar më mirë krijimtarinë e saj, frymëzimin si dhe për projektet e saj në të ardhmen. Disa të tjerë kërkuan këshilla prej saj. Në fund të takimit nxënësit e ftuan Anilën të na nderonte përsëri me ardhjen e saj.  


Ky takim pati në vëmendje, përçimin e vlerave artistike dhe etnografike. Një mënyrë për t’u treguar nxënësve si të shohim me guxim përpara të ardhmen, duke u fokusuar te traditat tona kombëtare.  

Anila me shumë pasion, në jetën e përditshme, e ndan përvojën e saj profesionale dhe artistike me brezin e ri duke i profilizuar aftësitë e të rinjve atje ku ata kanë talent. Ajo këtë e bën me përkushtimin më të madh duke iu ofruar studentëve dhe nxënësve, gjithë vëmendjen që ata meritojnë. 


Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

660 Lexime
1 vit më parë