KEROL

Romanca e guximshme e dy grave

Kerol rrëfen për jetën e dy grave, që mori ngjyra të tjera, sapo sytë e tyre u ndeshën. Befas gjithçka ndryshoi dhe i dha realitetit të jetës së përditshme të tjera ndjesi, lumturinë, aventurën, emocionet dhe gjallërinë. Tërmeti i dashurisë preku qeniet e tyre.

Kerol rrëfen për jetën e dy grave, që mori ngjyra të tjera, sapo sytë e tyre u ndeshën. Befas gjithçka ndryshoi dhe i dha realitetit të jetës së përditshme të tjera ndjesi, lumturinë, aventurën, emocionet dhe gjallërinë. Tërmeti i dashurisë preku qeniet e tyre.



Elemente si gjurma e një buzëkuqi në cigare pranë një pianoje është pjesë e historisë së dashurisë së ndaluar. Në çdo hapësirë gjendet diçka erotike: në sipërfaqe, në mobilim, në apartament, në ngjyra, në fshehtësi, në shkelje etj. Dorezat janë një tjetër element që kompleton të tërën.



Kerol, një grua e pakënaqur, në prag të një divorci, bie në dashuri me Terezën, shitëse në dyqanin e lodrave, e cila në prag Krishtlindjeje i shet Kerolit një tren, dhuratë për vajzën e kësaj të fundit. Një dhuratë mjaft e çuditshme për vitet ’50, ku vendosen ngjarjet. Ndaj Kerol duhet t’i japë adresën Terezës, në mënyrë që dhurata t’i shkojë në destinacion. Kjo bëhet pika lidhëse mes të dyjave. Ndërveprimi i parë është një skenë e pastër flirtimi.



Eleganca e Kerol bëhet njësh me frikën dhe vetëbesimin. Në film, ndryshe nga ç’ndodh në libër, thuhet më pak “të dua” dhe nuk shpie drejt mendimit se dashuria homoseksuale është një formë më e drejtë dhe më e ekuilibruar e të dashuruarit. Në film shikohen vetëm linjat më kryesore të kësaj dashurie. Një ndër to janë udhëtimet e gjata me makinë, aty ku kjo dashuri nis të marrë formë.



Ndërsa në libër, ngjarja tregohet nga këndvështimi i Terezës dhe kjo është arsyeja përse ne nuk jemi asnjëherë të sigurt për Kerolin. Ajo është një karakter shumë i fortë kur shikohet në këtë distancë. Por, ndërsa e shikojmë në film, shpeshherë pa praninë e Terezës, por duke biseduar me avokatin e saj, duke debatuar me bashkëshortin, apo në raport me vajzën, shohim një Kerol më të thyeshme.



Në këtë moment Tereza nuk është thjesht një e dashur, por është dikush që do të vijë nën mbrojtjen e Kerolit, pasi bashkëshorti i saj, një njeri i zymtë, i revoltuar, i tërbuar nga paaftësia për ta ndëshkuar Kerolin, e fut atë në një betejë kujdestarie për vajzën. Kerol dëshmon se edhe jeta e një homoseksuali në vitet ’50 mund të organizohet me shumë dinjitet.



Blanchett, aktorja që në film luan Kerol, është një aktore natyrshëm teatrale, gjë që në një kontekst realist duket sikur nuk zë vend, por në fakt ajo i jep shprehi çdo gjestikulacioni: mënyra si prek flokët, si ndez një cigare, si shikon Terezën. Ajo është e rënduar nga kompromiset dhe përgjegjësitë. Ndërsa Tereza, me anë të Kerolit duket sikur gjen kuptimin e jetës së saj. Nga një jetë e thjeshtë prej një shitëseje del nga guacka, për të jetuar një jetë që tashmë për të ka kuptim. Kerol ndriçon botën e Terezës me elegancën, vetë-posedimin, si dhe joshjen verbuese e misterioze.



Të dyja gratë fillojnë një udhëtim rrugor dhe përshkrimet e këtij udhëtimi lexohen si një ëndërr e çuditshme, shoqëruar me pije të forta, dhoma moteli, pllaka druri, armë në një valixhe etj. Ndjenjat e Terezës janë një mister për të. “Ajo nuk donte të fliste. Megjithatë, ndjeu se kishte mijëra fjalë që e mbytën, dhe mbase vetëm distanca, mijëra milje, mund ta qartësonte”.



Homoseksualiteti në atë kohë ishte ‘i padukshëm’. Rrallë mund të mendohej se dy gra që drekonin së bashku mund të kishin një lidhje dashurie. Ky ishte komploti i autores. Në njërën prej skenave, Tereza është e ulur në ndenjësen e  e pasme të makinës dhe shikon një çift të kapur përdore. Një nga momentet pikante, pasi ajo nuk do të ndihej kurrë e lirë deri në këtë pikë.



Në skenën e fundit, nuk ka tragjizma, askush nuk ka vdekur apo është institucionalizuar. Tereza shikon Kerol në një restorant. Sipas saj ishte Kerol dhe askush tjetër. Do të ishte vetëm ajo në një mijë qytete, në një mijë shtëpi, në tokë të huaj e kudo të shkonin së bashku. 



 

Nga Parajsa Shtini

Romani “Kerol”, përkthyer nga Olta Canka, botuar nga “Albas”


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,863 Lexime
3 vjet më parë