Shkollë arti në “Art House”: Çfarë ju revolton?
Nga data 23 gusht deri më 16 shtator, “Art House” organizon “Art House School”, një eksperiencë alternative shkollimi ku dijet nuk përcillen në mënyrë vertikale e hierarkike nga dikush që di tek ato që nuk dinë...
E konceptuar një shtëpi e artit, në dy vite, “Art House” i Adrian Pacit në Shkodër, ka mundur të bëjë bashkë emra e vepra. Pas festivalit “Ekrani i artit” që rihapi dyert e kinemasë së qytetit, një shkollë arti vjen tanimë, duke bashkuar artistë shqiptarë, kuratorë e koleksionistë që vijnë nga qendra e artit në Perëndim. Nga data 23 gusht deri më 16 shtator, “Art House” organizon “Art House School”, një eksperiencë alternative shkollimi ku dijet nuk përcillen në mënyrë vertikale e hierarkike nga dikush që di tek ato që nuk dinë, por shkëmbehen në mënyrë rrethore mes pjesëmarrësve që do të ndajnë me njëri-tjetrin eksperiencat, punën dhe refleksionet e tyre. “Art House” njofton se një grup prej dhjetë artistësh të rinj që kanë qenë aktivë vitet e fundit në skenën shqiptare janë ftuar të marrin pjesë në këtë shkollë, e ato janë Silva Agostini, Bora Baboçi, Fatlum Doçi, Lek M Gjeloshi, Jetmir Idrizi, Iva Lulashi, Alket Frashëri, Remijon Pronja, Alketa Ramaj e Stefano Romano. Në rolin e mentorëve do jenë Zef Paci e Adrian Paci nën koordinimin e Tea Çunit.
Ndërkaq, një grup kuratorësh dhe artistësh ndërkombëtarë do të dialogojnë me pjesëmarrësit, e këto janë Adam Budak, kurator, drejtues i Muzeut të Artit në Pragë, Rischa Paterlini, kuratore e një koleksioni privat në Milano, Yael Bartana, artiste, Emily Jacir, artiste e Tommaso Saçhi, kurator NISMA “Art House School” tenton të jetë një platformë informale e krijuese shkëmbimi mes artistëve, ku të bashkëjetojnë afeksioni njerë- zor me debatin kritik, disponibiliteti miqësor me ndershmërinë intelektuale, respekti për mendimin ndryshe me ekzigjencën për të vërtetën si horizont kërkimi. Duke vendosur shkëmbimin në qendër të marrëdhënies mes pjesëmarrësve, “Art House School” do të fokusohet në dy pyetje themelore: Çfarë? Si? Çfarë na intereson, çfarë na prek, çfarë na revolton, çfarë na çudit, çfarë na emocionon, çfarë na stimulon e njëkohësisht si i qasemi asaj që na intereson, si e shprehim atë që na prek, si e formulojmë revoltën tonë apo artikulojmë çudinë. Synimi nuk është të ndajmë në dy kategori formën dhe përmbajtjen, por të shohim lidhjet e shumëfishta, kalimet dhe sfumaturat e buta që lidhin atë çfarë duam të bëjmë me mënyrën se si subjekti merr formë duke u përballur me realitetin kompleks të gjuhës shprehëse, e cila nuk është vetëm një instrument, por një univers me rregullat, mundësitë dhe kufizimet e veta.
“Art House School” është konceptuar si një platformë e lirë, ku pjesëmarrësit do jenë ato që do i japin trajtë strukturës katërjavore, ku nuk do mungojnë prezantimet e punëve të secilit, diskutimet mbi projektet apo intuitat fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, lexime tekstesh e projektime filmash, refleksione e debate mbi argumente që do prezantohen nga të pranishmit, hapë- sirë për kërkim individual e punë në studio. Të jetuarit së bashku dhe kërkimi intelektual nuk do shihen si dy zona të ndara, por si procese ku format e mendimit, format e të shprehurit dhe format e të jetuarit tentojnë t’i gërshetohen njëra-tjetrës.
Gjatë katër javëve të “Art House School” do ketë momente kur grupi do jetë i hapur për të diskutuar me artdashës, studentë, kuratorë apo kërkues që kanë dëshirë të marrin pjesë në diskutimet tona e të ndajnë me ne kuriozitetin, refleksionet apo stimujt e tyre.
Mjekja e viteve të gjata, që të shëron me fjalë, në pritje të të rinjve…
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...