Si lexuese, mes Rita Petros dhe Mimoza Ahmetit: dy gjendje për të mos heshtur…
Një rrëfim personal mbi zbulimin e poezisë shqipe pas ’90-ës, mes dy zërave të fuqishëm femërorë: Rita Petro dhe Mimoza Ahmeti. Dy mënyra për të thyer heshtjen, për ta kthyer poezinë në akt lirie, guximi dhe rezistence ndaj normës, ku zëri i gruas nuk hesht, por flet, shpërthen dhe çliron mendjen e lexuesit.
Nga R.Mullaj
Poezinë shqipe të pas viteve ’90 e kam gjetur krejt rastësisht. Çdo ditë im atë më kërkonte t’i blija gazetat e përditshme që botoheshin asokohe dhe, çuditërisht, në kioskën e vogël të qytetit tim të lindjes gjeja edhe libra të vegjël me poezi, revista letrare etj. Tituj që i njihja pak, për të cilët kisha dëgjuar lexime fshehurazi, por një 14-vjeçare si unë nuk ishte ende gati për të lexuar poezinë moderne shqipe.
Më vonë, pasi u rrita me poezitë e dy grave të bukura të poezisë shqipe, kërkova dhe gërmova të shijoja edhe më tej arsyet pse më pëlqenin kaq shumë poezitë e Ritës dhe Mimozës. Asokohe kisha nisur të lexoja edhe Ervin Hatibin, Frederik Rreshpjen e të tjerë. Por për këta do të flas një moment tjetër.
Çfarë më bëri për vete është se zëri gruas në shoqërinë tonë të brishtë, nuk erdhi si pëshpëritje, apo heshtje, por si thyerje që do pasonte me gra të emancipuara, të cilat rridhnin nga pena e dy poeteve. Rita dhe Mimoza. Të dyja nuk janë thjesht poete të brezit në fjalë, ato janë dy mënyra, dy gjendje të ndryshme që na ndihmojnë për të dalë nga heshtja, dy forma të lirisë që lindin nga nevoja për të folur, për të thënë se gruaja nga pena e tyre nuk ka se si të jetë viktime përveçse e guximshme!
Rita Petro shkruan për plagën dhe brendinë e saj e nuk kërkon që përmes poezisë ta zbukurojë përvojën, por ta çlirojë atë. Trupi, dëshira, frika, turpi flasin ndër vargje jo si provokim, por si nevojë dhe zë i domosdoshmërisë. Poezia e Ritës nuk kërkon falje, sepse të heshtësh është një tradhti ndaj vetes dhe shumë vetëve të tjera që e lexojnë autoren. Intimiteti që përfaqëson Rita në poezinë e saj është akt etik, shkruan për mos-dorëzim përballë asaj norme që gratë janë mësuar të fshihen. Nëse do ishte një burrë në vargjet e Ritës do ishte një burrë që nuk e rreh gruan por e dashuron atë, e miklon dhe nuk ka se si të ketë dhunë në shpirtin, mendjen dhe integritetin e tij. Rita i shkruan trupit si nevojë e pavdekësisë jo e trupit për të patur frikë, droje dhe turp.
Mimoza Ahmeti, ndryshe nga kjo qetësi e brendshme e Ritës, ka ardhur në poezinë shqipe si shpërthim. Poezia e saj ka energji, ka dëshirë për shpirtin jo për trupin siç ajo vetë e ka cilësuar. Uni poetik i saj është i ekspozuar dhe sfidues që shkon përshtat natyrës teatrale. Moza hapësirën nuk e kërkon me kujdes dhe finesë por e merr atë, është si të thuash e rrëmben. Trupi, dashuria dhe dhimbja te Ahmeti jo që nuk janë të fshehta, por janë të dukshme si deklarime publike në agorën e letrës dhe penës për tua përplasur në sy botës.
Pavarësisht dallimeve, të dyja kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në poezinë moderne çlirimin e saj nga frika e zërit femëror. Rita e bën këtë me një rrëfim të sinqertë, delikat e të zhveshur, ndërsa Mimoza përmes pranisë dhe thyerjes së figurës tradicionale të poetes. Rita flet brenda heshtjes. Ahmeti e bërtet me zë heshtjen.
Të lexosh dhe të dëgjosh sot Ritën dhe Mozën nuk është vetëm kënaqësi shpirtërore për një lexues, apo aspekt estetik i një studiuesi fjala bie, por edhe kujtesë: se poezia mund të jetë një formë rezistence dhe të dyja këto gra poete ja kanë dalë me veten dhe me shumë prej nesh. Shpëtimi im gjithashtu erdhi prej asaj kohe të largët kur lexoja Pjalmimi i Luleve dhe dëgjoja duke kërcyer “Pesë fustane kam”. Paskam patur fat, që i gjeta këto thesare në adoleshencën time, duke lexuar dhe kuptuar sot, se të lexosh do të thotë të mos jesh vetëm. E të dyja s`duan t’ia dinë nëse je gati apo jo, por të marrin përdore për të t’i shkundur të gjitha pasiguritë. Asnjëra nuk më jep ndjesinë e provokimit, përkundrazi ndihem e kuptuar. Çdo kush që lexon poezinë dhe çdokush që e shkruan atë, e dinë që poezia nuk është e ndershme, por e guximshme dhe universale. Nuk i lexova kurrë ndarasi Ritën dhe Mozën, sepse mes tyre nuk zgjedh dot. Janë dy zëra që vijnë përmes butësisë dhe nevojës për guxim, pa justifikime, pa turp dhe pa filtra.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Koment mbi librin “Kufiri” nga Latif Ajrullai
"Fuqia e padukshme e klubeve të leximit", përgatiti dhe bisedoi Xhoina Salaj
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...