Krijim

Stinë "hijesh" që nuk i lind as dielli...

“Në ndërlikimet e kësaj bote, ku drita e besimit mbyllet nga errësira e mashtrimit, ndiej të shkruaj për ty që u përkushtove e besove në atë që nuk ishte më tepër se hija e gënjeshtrave”, shkrim nga Lorena Gjaçi, studente në Inxhinieri informatike.

Në hardhitë e kohës degëzohen po të njëjtat gjethe të kalbura nga stina e kaluar. Harlisjet e saj gjarpërohen në këtë qytet të hirtë për tu shpirtëzuar në qenësi, ashtu si njeriu-ujk pas mesnatës. Tashmë, me privilegjin e pasjes e "shijimit" të tyre jo vetëm në kinematografitë më të shquara si mit, por edhe të parit uljen e tyre në frone te "armatuara" në mënyra nga më mediokret e qesharaket. Në llumin e kudogjendur frone të tilla i përkasin së njëjtës trajtë dhe zënë fill lehtësisht...mjafton një trill delirant i një personaliteti që do të kamuflojë deri në surprizën e radhës emrin e tyre; ky promocion vetëm për ju!


"Me shndërrimin e tyre në dritën e 'hënës' ata zgjedhin petkun e radhës për performancën e ditës." Tingëllon bukur si titulli i një dokumentari apo jo? 


Unë nuk kam shquar ndonjëherë interesa të këtij lloji e ndoshta për këtë arsye më ka rastisur të njoh shumë prej tyre në një raport tejet jopropocional. Jo në xhungël, Amazonë apo botën e egër detare por në këtë vend që synon urbanizim me pikëpamje rurale e duke harruar se ka për të mbetur ajo dega e kalbur e harlisur që do të bëjë përpara vetëm duke u dredhuar! 


Mikluese...sepse ndoshta gjallesat, speciet e shumëkëmbëshat tashmë nuk do të ishin vetëm një epitet i madh për personifikimin më të duhur. Se e vetmja tufë gjakpirëse që provon "besnikërinë" nuk është asgjë më tepër se një shtojcë e servilizmit.


Më kujtohet një personazh zafonian aq i mirëshkruar sa Luciferi, i cili nuk mbetet i mbyllur brenda faqeve të një libri por është kaq i klonuar dhe në vende kaq të vogla si tonat; Luciferi që i bëri shoqëri shkrimtarit më të mirë të kohës, jo sepse vlerësonte figurën e tij por sepse ai do të ishte shërbyesi më i mirë në vazhdim, e në kamuflimin e një miku të mirë e ndihmues i bleu veprën më të mirë të kohërave sepse paraja ish i vetmi antikuar që përdorte për t’u ndjerë më i lartë e më i pushtetshëm...e kështu duke blerë jo vetëm vendin e tij në shoqëri por dhe vetë figurën e tij të asinkron, që herët a vonë do të zhvishej nga çdo shkëlqim i rremë. Duke i vjedhur kohën, jetën dhe punën disavjeçare për ta quajtur të tijën e për të përbaltur vetë krijuesin në syrin  gjykues.


Në ndërlikimet e kësaj bote, ku drita e besimit mbyllet nga errësira e mashtrimit, ndiej të shkruaj për ty që u përkushtove e besove në atë që nuk ishte më tepër se hija e gënjeshtrave.




Lorena Gjaçi, studente në Inxhinieri informatike 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,875 Lexime
1 vit më parë